Dhurata, buzëqeshje e dashuri: Superheronjtë vizitojnë fëmijët në QKUK

Fëmijë të grumbulluar para Klinikës së Pediatrisë në QKUK përqafojnë një vajzë të veshur në kostumin e Ladybug, 15 dhjetor 2023.

Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në repartin e Onkologjisë pediatrike në Prishtinë - ku trajtohen fëmijë të diagnostikuar me kancer - një gjashtëvjeçar u vizitua nga superheronj të shumtë.

Një gjashtëvjeçar përshëndetet nga vullnetarët e Klubit Alpin Prishtina, të veshur në kostume të superheronjve, në repartin e Onkologjisë pediatrike në Prishtinë.

Qysh në mëngjes, kur nëna e tij i kishte treguar se ata do të sjellin dhurata në këtë repart të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ai mezi e kishte pritur mesditën.

“Shumë u gëzua sepse, e do Spiderman-in [njeriun merimangë] shumë. Të gjitha lodrat i blen me të. Non-stop më ka pyetur se kur do të vijnë”, thotë Shqipe Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Dy vullnetarë nga Klubi Alpin Prishtina, të veshur me kostumet e superheronjve Spiderman dhe Superwoman.

E buzëqeshur - njësoj si djali i saj dhe superheronjtë - ajo tregon se trajtimi i gjashtëvjeçarit të prekur me tumor, është duke shkuar mirë.

“Shumë e vështirë ka qenë për mua në fillim, sepse ka qenë dy javë pa terapi derisa e kemi marrë vesh se çka ka. Normalisht që kur e kam parë në atë gjendje, ka qenë shumë e vështirë”, thotë nëna e dy fëmijëve.

Një fëmijë në repartin e Onkologjisë pediatrike në QKUK zgjat njërën dorë drejt një vullnetari për ta bërë formën e një zemre.

Para katër vjetësh, Klubi Alpin Prishtina dhe organizata Care for Kosovo Kids organizuan për herë të parë këtë aktivitet. Çdo fundvit, alpinistë dhe vullnetarë lëshohen me litarë nga kati më i lartë i ndërtesës së Pediatrisë në QKUK dhe u shpërndajnë fëmijëve dhurata për festat e Vitit të Ri.

Vullnetarët duke u lëshuar me litarë nga kati më i lartë i Klinikës së Pediatrisë në Prishtinë.

Për burrat e gratë e veshura në kostume të superheronjve, kjo ditë sjell çdo vit një ëmbëlsi të hidhur, siç thotë Berat Rexhepaj.

Ai tregon se gëzohet kur sheh buzëqeshjen e fëmijëve, por mërzitet kur kujton gjendjen e tyre shëndetësore.

“Është një ndjenjë e papërshkrueshme kur sheh forcën e jetës në sytë e tyre, çka luftojnë çdo ditë...”, thotë ai.

Berat Rexhepaj, i veshur në kostumin e Superman, viziton një fëmijë në repartin e Onkologjisë pediatrike në QKUK bashkë me vullnetarë të tjerë.

Për të, synimi është që, të paktën një herë në vit, ai të jetë një ndër arsyet përse këta fëmijë marrin “kurajë e buzëqeshje”.

Berat Rexhepaj mban në krahë një fëmijë pas lëshimit më litarë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.

Që nga fillimi i organizimit të këtij aktiviteti, më 2020, Dea Durmishi ka qenë pjesë e tij, e nxitur nga “dëshira për t’i parë fëmijët duke u gëzuar”.

“Është goxha prekëse dhe emocionuese duke e ditur gjendjen e tyre. Pastaj, e sheh se sa shumë kanë vullnet. Janë të mbyllur këtu, por janë plot jetë”, thotë Dea.

Dea Durmishi, e veshur me kostumin e superheroit Batman, i ofron një dhuratë një fëmije në oborrin e Klinikës së Pediatrisë në QKUK.

Ajo thotë se, ndër vite, ka krijuar një lidhje edhe më të veçantë me fëmijët, të cilët i ka parë dy apo tre vjet radhazi të shtrirë në reparte të ndryshme të Pediatrisë.

“Edhe pse janë dhurata modeste, ata kanë qejf të shohin menjëherë se çfarë kanë marrë. Duan t’i çelin, të bëjnë fotografi, të na tregojnë ndonjë gjë që u ka ndodhur apo ndonjë përrallë. Gjithë ai gëzim që e sheh te fëmijët, të përmbushë edhe ty si person”, shton Dea.

Dy fëmijë festojnë lëshimin me litarë të vullnetarëve nga Klubi Alpin Prishtina në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.

E njëjta arsye e ka shtyrë edhe Ariot Myrtajn - i cili ka rreth 95 mijë ndjekës në TikTok, ku publikon video duke provuar ushqime të ndryshme nëpër Kosovë - të marrë pjesë në këtë ngjarje.

“Kam ardhur këtu për ta dhënë njëfarë dashurie, për t’ua parë xixat në sy fëmijëve. Besoj që një dhuratë, një buzëqeshje u bën mirë edhe atyre, por edhe neve”, thotë Arioti.

Ariot Myrtaj, i veshur në kostumin e superheroit Hulk.

Sapo u lëshua nga rreth 15 metra lart, Ariotin e prisnin disa fëmijë që ishin grumbulluar jashtë repartit të Pediatrisë në QKUK. Atë e njihnin edhe si personazh të rrjeteve sociale, por edhe kostumin e tij të superheroit Hulk.

“E kam imagjinuar këtë moment në mënyra të ndryshme. Disa fëmijë më njohën, bëra foto me ta. Oh, sa mirë ishte! Çfarë kënaqësie!”, shprehet Arioti.

Një fëmijë shikon teksa vullnetarë lëshohen me litarë në Klinikën e Pediatrisë, pasi iu dhurua një lodër.

Jashtë Pediatrisë, fëmijët e grumbulluar ishin me prindërit e tyre, pasi që e dinin se do të shpërndaheshin dhurata, ndërsa një grup fëmijësh kishte arritur në mënyrë të organizuar nga një çerdhe në Prishtinë.