Studentët bllokojnë për 24 orë qendrën e Beogradit, kërkojnë hapjen e listës së votuesve

Studentë dhe aktivistë të rinj bllokuan rrugën në qendër të Beogradit duke kërkuar hapjen e listës së votuesve pas pretendimeve për keqpërdorime në zgjedhje. Serbi, 29 dhjetor 2023.

Studentët filluan më 29 dhjetor një bllokadë 24-orëshe të kryqëzimit të rrugëve në qendër të Beogradit, duke protestuar pas akuzave për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit dhe duke kërkuar nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.

Ky lokacion është një nga më të ngarkuarit në kryeqytetin e Serbisë.

Ata po bllokojnë kryqëzimin e rrugëve Birçaninova dhe Kneza Millosha, në afërsi të ndërtesës së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale.

Siç raporton ekipi i Radios Evropa e Lirë nga terreni, policia rrugore po rregullon trafikun në një zonë dhe po shmang automjetet.

Rruga Kneza Milosha është një nga më të frekuentuarat në kryeqytet.

SHIKONI EDHE: Një sandviç, një fletë dhe një adresë fiktive: Udhëtimi i votuesit nga Bosnja në Beograd

Një nga organizatorët, Ivan Bjeliq, duke folur me megafon, tha se automjetet e ambulancës do të lejohen të qarkullojnë gjatë bllokadës.

Ai paralajmëroi një program muzikor gjatë bllokadës, si dhe ngritjen e një kampi me tenda.

Siç njoftuan më herët, bllokada do të zgjasë 24 orë - deri të shtunën e 30 dhjetorit, në mesditë - kur planifikojnë t'i bashkohen protestës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë.

Kjo është vetëm një nga protestat e studentëve. E fundit u mbajt më 27 dhjetor, përballë Fakultetit Filozofik.

Atë ditë ata kanë përsëritur zyrtarisht kërkesën e tyre për hapjen e listës zgjedhore për të përcaktuar nëse ka parregullsi në të.

SHIKONI EDHE: Studentë bllokojnë rrugën në qendër të Beogradit, duan qasje në listën zgjedhore

Studentët iu bashkuan protestave që kanë vazhduar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të thirrura nga koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës”, duke akuzuar ndër të tjera Partinë Progresive Serbe (SNS), që është partia në pushtet, për vjedhje në zgjedhje duke regjistruar në adresat e Beogradit votuesit e saj nga Serbia dhe jashtë vendit.

Dyshime për parregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.

SHIKONI EDHE:

BE kërkon që të hetohen parregullsitë e mundshme në zgjedhjet në SerbiHill: Është e rëndësishme të zgjidhen "mangësitë" në lidhje me zgjedhjet në Serbi

Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje gjithashtu autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.