Ndërlidhjet

Studentë bllokojnë rrugën në qendër të Beogradit, duan qasje në listën zgjedhore


Studentë bllokojnë rrugën "Kneza Milosha" në Beograd të Serbisë, më 25 dhjetor 2023.
Studentë bllokojnë rrugën "Kneza Milosha" në Beograd të Serbisë, më 25 dhjetor 2023.

Më 25 dhjetor, një grup studentësh në Beograd të Serbisë bllokuan trafikun në kryqëzimin e rrugëve "Kneza Millosha" dhe "Birçaninova" , duke kërkuar që autoritetet në Serbi ta lejojnë inspektimin publik të listës së votuesve.

Ky lokacion është një nga më të ngarkuarit në kryeqytetin e Serbisë. Rreth tij gjenden ndërtesat e Qeverisë së Serbisë, ministri të shumta dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe.

Paraprakisht, me të njëjtën kërkesë, studentët protestuan edhe para selisë së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Birçaninovë.

Ata njoftuan se duan qasje në listën e votuesve për ta kontrolluar atë, pasi që organizata vendëse dhe evropiane që vëzhguan zgjedhjet në Serbi më 17 dhjetor shprehën dyshime për rregullsinë e tyre.

Njëri nga organizatorët e bllokadave, Ivan Bijeliq, tha se do të paraqesë kërkesë tek të gjitha pushtetet lokale për kontroll të listave zgjedhore dhe se do të kenë kohë t'u japin qasje deri të mërkurën, më 27 dhjetor, në mesditë.

Ata njoftuan se bllokada do të zgjasë deri në orën 18:00 dhe njoftuan se protestave në Beograd u janë bashkuar edhe studentët e Universitetit të Novi Sadit. Siç thanë ata, nuk do të ketë bllokada më 26 dhjetor.

Studentë, para ndërtesës së Ministrisë së Administratës Shtetërore, në Beograd, më 25 dhjetor 2023.
Studentë, para ndërtesës së Ministrisë së Administratës Shtetërore, në Beograd, më 25 dhjetor 2023.

Ministria: Lista zgjedhorë është një nga bazat e të dhënave më të përditësuara

Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale tha më 25 dhjetor se lista zgjedhore është "një nga bazat e të dhënave më të përditësuara" në Serbi.

“Dëshirojmë t'ju rikujtojmë se deri në vitin 2012 çdo komunë apo qytet e ka menaxhuar vetë listën zgjedhore dhe se një mënyrë e tillë menaxhimi ka pasur mangësitë e veta. Meqenëse të gjitha të dhënat janë konsoliduar në vitin 2012 dhe është krijuar Lista e Unifikuar Zgjedhore, është siguruar kontroll i plotë, saktësi dhe afat kohor i të dhënave”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Siç thuhet në njoftim, “Ministria ka punuar në vazhdimësi në përmirësimin e kësaj baze të dhënash në 11 vjetët e fundit dhe rezultatet e asaj pune janë të dukshme”.

Ministri i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, deklaroi se qëllimi i tubimit me ftesë të koalicionit “Serbia kundër dhunës” është “marrja e pushtetit në Serbi me dhunë”.

Martinoviq shtoi se “ai do të jetë me presidentin me të gjitha forcat”.

Gati 40 të arrestuar në protestën e mëparshme në Beograd

Gati 40 demonstrues u arrestuan gjatë një proteste të koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” më 24 dhjetor në Beograd, pasi një grup personash të maskuar tentuan të hyjnë në Kuvendin e Beogradit.

Gjatë protestës, disa persona thyen xhamat dhe dyert e ndërtesës, ndërsa policia brenda saj hodhi gaz lotsjellës ndaj tyre.

Koalicioni “Serbia kundër dhunës” (SPN) tha se incidentet në protestën e opozitës në Beograd të dielën janë shkaktuar nga “huliganët e dërguar nga qeveria”.

“Autoritetet përdorën dhunën për t'i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”, tha SPN-ja.

Ata njoftuan se “dërgimi i huliganëve” për të shkaktuar incidente në protestë është përdorur nga qeveria për ta dëmtuar iniciativën e protestuesve që kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha më 24 dhjetor se shërbimi rus i sigurisë "siguroi informacion" për incidente potenciale në protestën në Beograd, ndërsa ajo akuzoi koalicionin opozitar "Serbia kundër dhunës" për përpjekje për ta "destabilizuar me dhunë shtetin".

Ajo deklaroi se gjatë fushatës, para zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ishte “paralajmëruar për synimet e opozitës”.

“Para së gjithash, në këtë mënyrë na ka dhënë informacione edhe shërbimi i sigurisë ruse. Kur personalisht i ndava ato me disa ambasadorë, ata na akuzuan për përhapje të dezinformatave, të të pavërtetave, [na thanë] se ne i besojmë shërbimit rus dhe se e gjitha kjo është e pakuptimtë”, tha Brnabiq.

Opozita ka protestuar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke pretenduar se ato janë vjedhur nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga jashtë vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG