Operimi i kurrizit më 1999 dhe një vizitë e shkurtër në vitin 2022, janë ato që e lidhin një burrë të lindur në Ruda në lindje të Bosnjë e Hercegovinës, me kryeqytetin e Serbisë – Beogradin.
Në rastin e tij, kjo ishte e mjaftueshme për të votuar në Beograd në zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor, kur qytetarët e Serbisë votuan për pushtetin lokal në Beograd, Kuvendin e Serbisë dhe pushtetin krahinor.
"Unë iu thashë atyre në ditën e zgjedhjeve - mos më lini këtu. Tani (Beogradi) është një metropol, ndryshe nga koha kur jetoja më gjatë", thotë ky punonjës i një institucioni publik në Ruda, i cili financohet nga fondet e buxhetit të entitetit të Bosnjës - Republika Sërpska. Ai, po ashtu, pranoi se në zgjedhjet në Serbi ka votuar për Partinë Progresive Serbe (SNS).
Për gati gjysmë ore, ai foli për Radion Evropa e Lirë (REL), siç tha, "të vërtetën e gjallë" për detajet e votimit në Beograd, ku të paktën pesë autobusë nga disa qytete të Republikës Sërpska shkuan në një arenë (Shtark Arena) në Beograd në ditën e zgjedhjeve, të cilët fotografët e REL-it i fotografuan.
Përveç Rudas, autobusët transportuan edhe votues nga Foça, Vishegradi, Novo Gorazhde dhe Cajniqi, tha për REL-in një nga transportuesit.
"Votova për herë të parë në Beograd dhe do të votoja përsëri"
Bashkëbiseduesi i REL-it, nëpunës civil në Ruda, i cili nuk deshi t'i publikohet emri dhe mbiemri, tha se letërnjoftim serb me vendbanim në Beograd e ka tash e një vit e gjysmë.
Ai tha se ka edhe letërnjoftim e Bosnjës me vendbanim në Ruda, edhe pse ligjet e Serbisë dhe ato të Bosnjë e Hercegovinës nuk parashikojnë mundësinë që shtetasit e dyfishtë të Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë të kenë dy vendbanime.
Ai tha se e ka marrë sepse “në Rudë kanë ardhur disa persona dhe kanë sjellë dokumente”.
"I plotësuam letrat. Më pas shkuam në Beograd, plotësuam edhe disa letra dhe u regjistruam. Tani ka njëfarë mashtrimi aty, por edhe nuk është mashtrim, sepse është lënë mundësia të regjistrohemi në një adresë”, shpjegoi ai procedurën, me të cilën e ka marrë letërnjoftimin.
Ai thotë se kurrë nuk ka jetuar në Beograd e as në Serbi.
“Një njeri na ka pritur neve, 10 apo 15 veta (në Beograd) dhe na regjistroi në adresën e tij”, shpjegoi ai se si ka marrë letërnjoftimin bazuar në një vendbanim fiktiv në kryeqytetin e Serbisë.
I pyetur nëse e di “adresën e tij” në Beograd, ai tha se e di dhe për një moment deshi ta ndajë me REL-in, por më pas ndryshoi mendje, sepse “nuk do që askush të ketë probleme”.
"Dua të them, patjetër do të ketë probleme", tha ai, sepse "është bërë shumë e madhe" prurja e njerëzve nga Bonja në Beograd.
“Ajo që ndodhi në Arenë ishte vetëm faji i tyre, edhe unë u thashë - më lejoni të flas me ata [gazetarët para Arenës]. Le të vijë gazetari me mua në qendrën e votimit, le të shohë se kam letërnjoftim”, u shpreh ai.
Në Arenë u shpërndanë fletë me informacione për qendrat e votimit
Punonjësi i një institucioni publik në Ruda tha se është mirënjohës ndaj organizatorëve që ia siguruan transportin për të votuar, por i vjen keq për atë çka ndodhi në Arenë. Për të, ajo ka qenë gabim dhe ata dolën “të jenë kriminelë”.
“Ne as që e dinim që do të shkonim në Arenë, dikush bëri një gabim që erdhën pesë autobusë në Arenë, kështu që ne u futëm, por nuk mund të dilnim, ata bënin foto, u bënë foto autobusëve njëqind herë”, tregon ai si dukej dita e zgjedhjeve në Arenë e përreth.
Ai mohoi që dikush të ketë votuar në Arenë, por aty janë shpërndarë fletë me adresën ku do të votojnë.
Ai tha se ka votuar në Shkollën Teknike “Drvo art” në adresën e Car Dushanit 23 në Stari Grad.
"Tani është tjetër gjë që makinat na kanë çuar në ato lokacione. Por, ato fleta mund të na i jepnin edhe në autobus", tha ky banor i Rudos, i cili e merr rrogën nga buxheti i komunës në Republika Sërpska, në krye të së cilës është kryetari që vjen nga Unioni qeverisës i Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD) Milorad Dodik, president i Republikës Sërpska.
Gazetarët e REL-it gjatë ditës së zgjedhjeve kanë parë të paktën pesë automjete me shenjat e kompanisë së sigurimeve “T&M Group Solutions” përballë Arenës, si dhe një grup burrash pa shenja sigurimi, të cilët i kanë penguar të hyjnë në sallë.
Kryetari i Komunës së Rudës, Dragolub Bogdanoviq, nga SNSD-ja, nuk deshi të flasë me REL-in.
Komuna thekson se nuk i di detajet e transportit të organizuar të banorëve vendas për të votuar në Beograd.
Kush i ka paguar dhe kush i ka transportuar votuesit nga Bosnja dhe Hercegovina?
Banorët e Rudës në Beograd e kanë shfrytëzuar kompaninë e autobusëve “In Turs” nga ky vend.
Drejtori i kompanisë, Marko Novakoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se transportin e ka porositur një person privat, përkatësisht dy automjete – një autobus dhe një minibus.
"Ne i kemi transportuar qytetarët, rreth 22 apo 23 prej tyre. Unë nuk kam organizuar asgjë. Ishte në disa qytete dhe disa njerëz na punësuan për t'i transportuar njerëzit atje”, tha Novakoviq dhe shtoi se ende nuk është paguar për shërbimet e transportit.
Ai tha se ka votuar në Priboj të Serbisë, sepse ka letërnjoftim nga ky qytet, por personalisht i ka çuar votuesit nga Ruda në kryeqytetin e Serbisë.
Ai theksoi se është sekret se kush ishte personi privat që porositi transportin për në Beograd, por i pyetur nëse ka qenë dikush nga partia SNSD, ai tha:
"Epo, ju e shihni Dodikun pranë Vuçiqit [Aleksandër, president i Serbisë]. Gjithçka është e qartë. Pse nuk e keni parë Triviqin [Jelena Triviq nga partia opozitare Fronti Popullor në RS]?", tha Novakoviq, i cili është kryetar i Komitetit komunal të Partisë Fronti Popullor.
Ai, gjithashtu, tha se e njeh personin që e ka porositur transportin nga më parë dhe se është nga Republika Sërpska.
Ai theksoi se nuk ka pasur motive, përveç atyre financiare, që t'i çojë njerëzit në Serbi për zgjedhje.
“Nuk na ka sjellë Xhillasi në Beograd”
Punonjësi i institucionit publik në Ruda tha se në Beograd ka votuar edhe për pushtetin lokal, edhe për parlamentin serb.
- "Domethënë, ne nuk jemi fëmijë. Prandaj, na kanë çuar atje, për hir të Beogradit".
REL: A kishin frikë ta humbnin Beogradin?
– "Natyrisht. E dimë krejt qysh e tek".
I pyetur nëse e di se kush e ka organizuar transportin, ai tha se nuk i intereson.
"Nuk ishte Xhillas [Dragan, Partia opozitare e Lirisë dhe Drejtësisë në Serbi] ai që na solli të votojmë në Beograd".
Ai tha gjithashtu se "telefonat punonin" me muaj para zgjedhjeve.
Në ditën e zgjedhjeve, përveç transportit, atyre iu dha një sandviç dhe një shishe me ujë.
Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, si dhe 20 organizata të shoqërisë civile, kërkuan përsëritje të zgjedhjeve në Serbi për shkak të dyshimeve për mashtrime dhe parregullsi zgjedhore.
Gjatë njërës prej protestave të opozitës të mbajtura në Beograd, policia arrestoi 30 protestues dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë atë, kurse opozita akuzoi qeverinë për dhunë.