Pedagogët në Shqipëri më 31 tetor mbajtën protestën e radhës, duke i dhënë dy ditë kohë Qeverisë për të reflektuar për kërkesat e tyre. Nëse kjo nuk ndodh, ata paralajmëruan se do të hyjnë në grevë urie, ditën e mërkurë, në orën 16:00.
Pedagogët shqiptarë kanë nisur protestat që nga 15 shtatorit dhe një pjesë e tyre kanë bojkotuar mësimin që prej 17 tetorit, kur nisi zyrtarisht viti i ri akademik.
Kërkesa kryesore e tyre është rritja e pagës për 50 për qind. Ata po ashtu po kërkojnë që 30 për qind rritje page të aplikohet menjëherë, ndërsa 20 për qind gjatë vitit të ardhshëm.
SHIKONI EDHE: Shqipëri: Disa universitete nisin vitin akademik me protestaQeveria e Shqipërisë ka miratuar rritje page në masën prej 7 për qind dhe u ka kërkuar universiteteve të marrin përsipër një shtesë prej 8 për qind, meqë funksionojnë si institucione autonome.
Ky vendim i ka lënë të pakënaqur pedagogët. Kreu i Sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi, tha se Qeveria ka treguar se nuk e njeh dhe nuk do ta shohë gjendjen e universiteteve, ndaj ai tha se protestat e profesorëve “do të përshkallëzohen”.
“Këtë betejë e kemi filluar prej tre vjetësh, por e kemi intensifikuar dy muajt e fundit. Qeveria ka treguar se nuk ka veshë për të dëgjuar apo sy për të parë gjendjen e universiteteve tona, ofron zgjidhje ‘kozmetike’ pa i shoqëruar me vendime konkrete. Është propozuar që të kalohet në formën e grevës së urisë, për të ndërgjegjësuar opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. I lëmë kohë deri të mërkurën për të gjetur zgjidhje”, tha Kovaçi.
Sipas tij, ky akt merret, për të shpëtuar arsimin e lartë nga shkatërrimi dhe për të ndalur shpopullimin e Shqipërisë.
Një nga nëntë kërkesat e pedagogëve shqiptarë është edhe transparenca mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozoi që një pjesë e rritjes së pagës të vijë nga këto të ardhura.
Organizata të ndryshme kanë akuzuar universitetet publike për keqpërdorim të fondeve dhe shpenzimin e tyre më shumë për zyra sesa për kërkimin shkencor.
SHIKONI EDHE: Pedagogët në Shqipëri kërkojnë rritje pagashRama më herët ka deklaruar se ndryshe nga mësuesit, të cilët paguhen thuajse të gjithë njësoj, pedagogët kanë mundësi që përmes aplikimeve për fonde të rrisin të ardhurat e tyre, duke i akuzuar ata se nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë. Ai theksoi se diferencimi në paga duhet të vijë përmes shfrytëzimit të autonomisë universitare.
Por, këtij pretendimi pedagogët iu përgjigjën duke theksuar se nëse paga e tyre do të varet nga autonomia e universiteteve, kjo do të rëndonte studentët, të cilëve do t’u rriteshin tarifat e arsimimit.
Madje Rama ka thënë më herët se kjo protestë e ka bërë që të kuptojë problemet në universiteteve dhe se në vijim do të marrë masa drastike për të ndryshuar gjendjen, duke shtuar se mbase ka qenë e parakohshme dhe e nxituar autonomia universitare. Por, ndryshimi i gjendjes, sipas tij, nuk do të përfshijë rritje pagash.
Pagat e pedagogëve në Shqipëri variojnë nga 73 mijë lekë (rreth 630 euro) dhe më e ulëtat deri në 130 mijë (rreth 1.120 euro).