Ndërlidhjet

Shqipëri: Disa universitete nisin vitin akademik me protesta


Pamje nga protestat e profesorëve në Durrës.
Pamje nga protestat e profesorëve në Durrës.

Viti i ri akademik në Shqipëri nisi të hënën me bojkot dhe protestë nga ana e disa pedagogëve në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Gjirokastër.

Përjashtim bënë Universiteti i Mjekësisë, ku mësimi nisi normalisht, si dhe dy universitetet në Vlorë dhe Korçë: Ismail Qemali dhe Fan Noli.

Nga ora 08:00-10:00 u mirëpritën studentët e vitit të parë në departamentet tjera, por nuk u zhvillua mësim.

Më pas, rreth dy orë, shumica e pedagogëve u mblodhën para fakulteteve ku japin mësim, për të protestuar.

Megjithatë pati edhe përçarje mes pedagogëve, pasi jo të gjithë iu bashkuan protestës.

Pedagogët në Shqipëri i nisën protestat prej datës 15 shtator dhe deri më 17 tetor kanë realizuar katër sosh me kërkesa kryesore: rritjen e pagës për 50 për qind, rritjen e pagesës për orët shtesë dhe rritje të financimit për kërkimin shkencor.

Dy javë më parë Qeveria mori vendim për rritje të pagave për pedagogët dhe stafin e ndihmës për 7 për qind.

Aktualisht pagat e pedagogëve në arsimin e lartë në Shqipëri variojnë nga 73 mijë lekë (rreth 630 euro) më e ulëta deri në 130 mijë (rreth 1.120 euro), varësisht prej titujve dhe pozitës që ata kanë në fakultet.

Paralajmërimi për protestë.
Paralajmërimi për protestë.

Protesta e së hënës u mbyll në orën 12:00.

Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Arsimit të Lartë, Sandër Kovaçi, tha se të martën protesta do të nisë prej orës 08:00 të mëngjesit.

Ai shtoi se nuk presin më një përgjigje nga ministrja e arsimit, Evis Kushi, por nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Presim reagimin e sotëm nga Qeveria, për të vendosur hapat që do të marrim. Nëse nuk ka reagim, do të përshkallëzojmë protestën dhe do të mblidhemi para kryeministrisë, që zëri ynë të dëgjohet më mirë”, tha Kovaçi.

Për pedagogët që nuk iu bashkuan protestës, Kovaçi paralajmëroi se do të ketë shumë shpejt një veting për të ardhurat dhe pasuritë që disponojnë.

Edhe pse studentët nuk iu bashkuan në masë protestës, Kovaçi tha se të rinjtë janë përkrah tyre dhe kjo do të shihet në ditët në vijim.

Një nga thirrjet e bëra në protestë.
Një nga thirrjet e bëra në protestë.

Po të hënën, studentët që janë pjesë e “Lëvizjes Studentore” kërkuan të ketë një organizim të përbashkët, përmes të cilit t’i adresohen Qeverisë për problemet e studentëve.

Një nga kërkesat kryesore të studentëve është mbështetja financiare me 100 euro për të përballuar rritjen e çmimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG