Republika e Maqedonisë së Veriut, nën udhëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, mban një qëndrim të palëkundur ndaj ndryshimeve kushtetuese, të cilat deri në fund të vitit 2024, vështirë se do të realizohen.
Kështu vlerësojnë për Radion Evropa e Lirë ish-diplomatë dhe analistë politikë pas takimeve të kreut të ekzekutivit maqedonas në Bruksel, Mickoski, me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, përfaqësuesen e re për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe komisionaren për Zgjerim, Marta Kos.
Pas vizitës në Bruksel më 4 nëntor, kryeministri Mickoski, duke komentuar mundësitë për avancimin e procesit të integrimeve, tha se "nuk beson në një zgjidhje të shpejtë".
Ai shtoi se nuk do t’i "turpërojë qytetarët maqedonas, e as identitetin e tyre".
“Folëm për të gjitha temat që janë thelbësore. Kaluam sërish përmes argumenteve... Megjithatë, duhet ta keni idenë se është një përbërje krejtësisht e re, dje (më 3 nëntor) ishte dita e tyre e dytë e punës. Pjesa më e madhe e informacionit që po marrin tani, praktikisht është informacion i ri për ta. Pres që në periudhën e ardhshme të zhvillohen dhe formësohen disa zgjidhje të mundshme”, deklaroi Mickoski të mërkurën, para gazetarëve.
SHIKONI EDHE: Mickoski shprehet optimist për integrimin evropian pas takimit me MacroninKëto deklarata, sipas ish-ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, kanë qenë të pritshme, pasi, siç thotë, pasqyrojnë premtimet elektorale dhe kredibilitetin e Qeverisë Mickoski dhe partisë së tij, VMRO-DPMNE.
“Mendoj se njëjtë është edhe pozita e Bashkimit Evropian. Nuk ka shumë ambicie, apo hapësirë për të na lëshuar, qoftë edhe një variant të vogël rezervë, dhe ajo që kërkoi z.Mickoski për të ndryshuar Kushtetutën pas hyrjes në BE, është e vështirë të realizohet. Kemi të bëjmë me 28 shtete tjera, të cilat nuk kanë ndërmend të diskutojnë sërish për çështjen tonë. Madje, kam frikë se BE-ja po mbyllet gjithnjë e më shumë, dhe është e vështirë të thuhet se do të bëjë ndonjë përpjekje më të madhe për t’i kuptuar kërkesat tona”, thotë Ruzhin për Radion Evropa e Lirë.
Në zgjedhjet e majit të këtij viti, VMRO-ja doli e para dhe mori udhëheqjen e Qeverisë. Kryeministri Mickoski e bëri të qartë se ai dëshiron ta rinegociojë “propozimin francez”, që Parlamenti maqedonas e votoi në korrik të vitit 2022.
Ish-diplomati Ruzhin shton se qëndrimi i prerë i kryeministrit Mickoski për ndryshimet kushtetuese nuk lë hapësirë për kompromis. Kjo, sipas tij, zvogëlon mundësinë e ndryshimit të pozicioneve të kësaj qeverie, karshi anëtarësimit në BE.
SHIKONI EDHE: Mickoski: Jam i përgatitur për kompromis, por të mos marrim në thua në pengesa të reja drejt BE-së“BE-ja nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga ajo që ka miratuar Këshilli i saj, si për arsye taktike ashtu edhe praktike, sepse bëhet fjalë për një institucion të madh, që është i vetëdijshëm, se ne jemi ata që kërkojmë anëtarësim aty. Në anën tjetër, ka edhe ndonjë shtet që nuk është i prirë ndaj nesh. Maqedonia e Veriut, dhe z.Mickoski gjatë gjithë kohës mbajnë një linjë të fort në lidhje me çështjen e ndryshimeve kushtetuese, një linjë që nuk lë aspak hapësirë për kompromis dhe për këtë arsye mendoj se mundësia që diçka të ndryshojë në pozicionet e kësaj qeverie është e vogël”, shton Ruzhin.
Zgjidhja që po kërkohet nga Shkupi ka të bëjë me kërkimin e një garancie që pala bullgare të mos e bllokojë më tej Maqedoninë e Veriut. Që kjo të ndodhë, pritet formimi i Qeverisë së re në Sofje, pas zgjedhjeve të shtata parlamentare të mbajtura më 27 tetor, brenda një periudhe trevjeçare.
“Ne e dimë se një qeveri teknike në anën tjetër (Bullgari) nuk do të angazhohet as në dialog miqësor, e jo më në zgjidhjen e problemeve më komplekse”, është shprehur ditë më parë, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Po ashtu, deri më tani, nuk ka garanci nga BE-ja nëse Bullgaria nuk do ta bllokojë sërish Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj eurointegruese.
Analisti politik, Ibrahim Mehmeti, thotë se nëse nuk bëhen lëshime nga njëra apo tjetra palë, do të jetë vështirë që të ketë një zgjidhje përfundimtare.
“Nëse kemi qëndrime të kundërta, shtrohet pyetja se kush ka argumente më të forta? Nëse ne kërkojmë nga Bullgaria të pajtohet me anëtarësimin tonë, atëherë do të jetë vështirë për ta bindur palën bullgare që të lëshojë pe. Megjithatë, që të arrihet diçka e tillë, duhet angazhim i madh diplomatik. Dhe, unë këtë nuk e shoh se po ndodh, pasi nuk kemi një përafrim, apo një përpjekje për ta zbutur antagonizmin që paraqitet si rezultat i kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, qëndrimin e qeverisë aktuale që paraqet kushtet e veta”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.
BE-ja insiston për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese
Përbërja e re e Komisionit Evropian (26 komisionarë) në krye me presidenten Ursula Von der Leyen, filloi punën nga dy dhjetori, pasi më 27 nëntor mori dritën jeshile të Parlamentit Evropian (PE).
SHIKONI EDHE: Von der Leyen takon liderët e Ballkanit Perëndimor, thotë se ai e ka vendin në BEVon der Leyen në mandatin e saj të dytë ka thënë se vendet kandidate, si ato nga rajoni i Ballkanit Perëndimor ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, e kanë “vendin në BE”, dhe komisionarja e re për Zgjerim, Marta Kos, do të punojë që të realizohet qëllimi i integrimit të tyre në BE. Sipas Von der Leyen, në procesin e zgjerimit do të ruhet parimi i meritave individuale të vendeve kandidate, që do të thotë se avancimi i tyre do të varet nga suksesi në reforma dhe në përmbushjen e kritereve që kërkon BE-ja.
Ndërkaq Marta Kos, pas marrjes së mandatit, ka shprehur shpresën se Maqedonia e Veriut do t’i bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ta përfshijë komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës së vendit.
“Po, ne presim që Maqedonia e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën, për shkak se kjo është diçka që e kemi në konsideratë, as më pak e as më shumë, ndaj jam e sigurt se kjo mund të bëhet. Atëherë me të vërtetë mund të përparojmë shumë shpejt”, tha më 27 nëntor komisionarja Marta Kos.
E pyetur nëse Maqedonia e Veriut mund të marrë garanci se nuk do të ketë bllokada të reja nga Bullgaria, ajo tha:
“Unë nuk jam ajo që mund të garantoj për këtë”.
Mesazhet e komsionares Kos u pritën me skepticizëm në Shkup. Kryeministri Mickoski tha se Maqedonia e Veriut i ka përcaktuar “vijat e kuqe” dhe nuk do të ketë shmangie nga kjo.
Në këtë kontekst, analisti Mehmeti vlerëson se çdo shtet, ka të drejtë të paraqesë “vija të kuqe”, por shton se kur është fjala për integrimin evropian, kërkohet gatishmëri për “beteja diplomatike”.
“Këtë e kemi parë edhe më përpara. Pra, çdo shtet që është pranuar në Bashkimin Evropian ka bërë kompromise. Nëse Maqedonia e Veriut nuk dëshiron të bëjë kompromise me ato vijat e kuqe që i ka paraqitur, do të jetë problem vërtet i madh, sepse këto vija të kuqe ndeshen me vijat e kuqe të palëve të tjera të shteteve anëtare të BE-së dhe kjo mund ta komplikojë situatën edhe më shumë”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.
Edhe një tjetër rund i bisedimeve
Kryeministri Mickoski do të presë që të formësohen zgjidhjet e mundshme, siç paralajmëroi deri më 17 dhjetor, kur përsëri do të shkojë në Bruksel për një rund të ri të diskutimeve. Ndryshe nga Mickoski, partneri në Qeverinë e tij, koalicioni shqiptarë VLEN, beson se deri në fund të këtij viti të do të ketë ndryshim të Kushtetutës.
“Do të ketë ndryshime kushtetuese, mendoj. Unë jam shumë optimist se deri vitin e ri do të gjejmë mundësi për ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Arben Taravari, njëri nga liderët e koalicionit VLEN, gjatë Kongresit të pestë të jashtëzakonshëm të njërit prej fraksioneve të Aleancës për Shqiptarët më 10 nëntor.
SHIKONI EDHE: Ndryshimet kushtetuese, sfida kryesore e Shkupit më 2024Për më tepër, kreu i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, theksoi se legjislativi është i gatshëm të nisë procedurën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, nëse arrihet një marrëveshje politike.
E, për këto deklarata, analisti Mehmeti thotë se ekzistojnë prej vitesh.
“Tani është momenti për të bërë vepra konkrete, të cilat priten nga Maqedonia e Veriut. Ne i dëgjuam të gjithë përfaqësuesit e BE-së, përfshirë edhe komisonaren e porsazgjedhur të zgjerimit (Marta Kos), të cilët e kërkojnë atë që vendi është zotuar se do ta bëjë. Kjo është pika kyç në këtë proces. Tani, a do të ketë ndryshime kushtetuese deri në fund të dhjetorit? Nuk më duket se ka atmosferë, pasi nuk mundet brenda natës ta përgatitësh opinionin. Aq më tepër, kur me muaj dhe vite, ke pasur qëndrime të kundërta”, përfundon Mehmeti.
Për Qeverinë në Shkup, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të si popull shtetformues. Deri më tani, ky proces është anashkaluar.
Qeveria ka propozuar që edhe nëse bëhen ato ndryshime, të bëhen me zbatim të prolonguar, një ide kjo që është përjashtuar nga Bashkimi Evropian. Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut aktualisht përbëhet nga 78 deputetë nga gjithsej 120 sa numëron Parlamenti. Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Procesi i negociatave me BE-në nuk mund të vazhdojë pa përmbushjen e këtij kushti.