Ndërlidhjet

Von der Leyen takon liderët e Ballkanit Perëndimor, thotë se ai e ka vendin në BE


Dreka e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
Dreka e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u takua në Bruksel me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune, me të cilët diskutoi për zgjerimin dhe për një plan për rritje ekonomike kushtuar atyre.

Në një shkrim në X pas takimit, Von der Leyen tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkim Evropian.

"Sot i prita liderët e gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor. Që të gjitha gjashtë vendet e kanë vendin në Evropë. Pikërisht për këtë jemi duke punuar. Njëkohësisht, ne jemi duke i sjell ekonomitë dhe tregjet e tyre më afër tonave me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin", shkroi ajo.

Në drekën e punës morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim.

"Ne jemi shumë të kënaqur që Plani i Rritjes u kushtohet të gjitha vendeve të Ballkanit. Jemi të kënaqur që Bashkimi Evropian e ka rikthyer temën e zgjerimit në tryezë. Kjo është përgjigja më e mirë për të gjitha ata që e kërcënojnë paqen dhe sigurinë e unitetin në BE, mbi të gjitha për Federatën Ruse dhe agresionin e saj", tha Kurti të enjten pasdite.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë drekës u bisedua për planet e Komisionit të ri Evropian dhe për iniciativat strategjike, korridoret e gjelbra dhe rrugën evropiane.

Sipas tij, presidentja Von der Leyen kishte një qëndrim pozitiv ndaj zgjerimit.

Plani i Rritjes

Në drekën e punës u diskutuan mbi agjendën reformuese që të gjitha vendet, përveç Bosnje e Hercegovinës, e dorëzuan me kohë në Bruksel.

Bëhet fjalë për reformat që lidhen, ndër të tjera, me sundimin e ligjit, demokracinë, reformat institucionale, parandalimin e korrupsionit dhe konflikteve të interesit, si dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të siguruar që fondet të mos keqpërdoren.

Për të marrë fondet financiare nga Plani i Rritjes, çdo shtet nga Ballkani Perëndimor ishte i obliguar të dërgonte agjendën reformuese.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë "një ndër vendet e para" që ka dorëzuar agjendën e reformave "duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes".

Kurti tha më vonë në Bruksel se Kosova pritet ta marrë këstin e parë nga Plani i Rritjes këtë vit "për të mos thënë muajin e ardhshëm".

Por, ai nuk tregoi se sa do të përfitojë vendi i tij nga 6 miliardët e BE-së, duke theksuar se "Kosova do ta marrë së paku atë që na takon për nga madhësia dhe puna që e kemi bërë. Gjysma mund të jenë grante e gjysma tjetër kredi".

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky Plan i Rritjes.

Vuçiq tha se Serbia së shpejti do të marrë këstin e parë prej 112 milionë eurosh nga Plani i Rritjes.

Presidenti serb beson se tregu i unifikuar në Ballkanin Perëndimor është kushti themelor për t’u bashkuar me tregun e unifikuar evropian.

“Ai që nuk dëshiron të marrë pjesë, ai bie nga loja. Të gjithë të tjerët që e bëjnë këtë dhe e pranojnë përmes CEFTA-s dhe Procesit të Berlinit, ata mbeten në lojë. Ne mbetemi në lojë. Duam një Ballkan të Hapur”, tha ai, duke aluduar në kryeministrin Kurti.

Por, sipas Qeverisë kosovare, Kurti e “konfirmoi mbështetjen” për Procesin e Berlinit”, derisa shprehu “angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin”.

Kosova dhe Serbia kanë mosmarrëveshje rreth CEFTA-s, Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, pasi kjo e para ndaloi importin e mallrave serbe më 2023.

Ndërkohë, Vuçiq shtoi se, sa i përket kushteve për Planin e Rritjes “të gjithë kriteret nga agjenda reformuese, nga ndihma shtetërore, tenderët publikë, të gjitha i kemi përmbushur dhe i kemi nënshkruar”.

“Mendoj se vetëm një vend nuk ka ardhur me kriteret themelore të përmbushura. Një i tillë nuk do të mund të dëmtojë përparimin e të tjerëve, ky është një parim i mirë”, tha Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë mësoi se dokumenti mbi Planin e Rritjes që Bosnja e Hercegovina i dorëzoi Brukselit nuk plotëson kriteret për të qenë i pranueshëm për Komisionin Evropian (KE).

Siç merret vesh, Bosnja e Hercegovina ka dërguar një dokument të paplotë që nuk reflekton të gjitha rekomandimet e KE-së.

Bosnja dhe Hercegovina ka humbur kështu afatin për të dërguar në kohë agjendën reformuese që është e nevojshme për të marrë fonde financiare nga Plani i Rritjes për rajonin.

Kushtëzimi me dialog

Për Kosovën dhe për Serbinë, përveç kritereve të përgjithshme që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kusht për të përfituar nga ky Plan i Rritjes është edhe angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që përfshin edhe zbatimin e të gjitha obligimeve nga procesi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

I pyetur nëse përfitimet e Kosovës dhe Serbisë varen edhe nga përparimi i tyre në bisedimet për normalizimin e marrëdhenieve fqinjësore, Kurti tha se "përparimi është arritur tashmë", duke iu referuar Marrëveshjes Bazë dhe aneksit për zbatimin e saj për të cilat palët u pajtuan më 2023.

"Dialogu ka fazë të avancuar dhe kjo nuk duhet të harrohet, sepse kemi marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo çfarë duhet bërë është të respektohet e të mos shkelet dhe të zbatohet pa vonesa. Në thelb të marrëveshjes është së paku njohja reciproke de fakto", tha Kurti.

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë hapa për ta zbatuar këtë marrëveshje, për të cilën BE-ja thotë se është ligjërisht obliguese.

Kurti shtoi se gjatë drekës në Bruksel të enjten "theksova se nuk duhet që problemet dypalëshe t’i vënë në qendër, por duhet që vlerat e Bashkimit Evropian si, demokracia, të drejtat e njeriut, pluralizmi politik, ekonomia e tregut dhe barazia, të jenë në qendër dhe përtej problemeve e dallimeve që kanë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG