Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, Presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar.
Presidenca hungareze - me mandat deri në fund të këtij viti - nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të bëjë ndonjë hap. Qeveria e Kosovës shpreson që po.
“Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit janë hapa të domosdoshëm, të cilët duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Klisman Kadiu, këshilltar politik i Qeverisë së Kosovës.
Me rregullore, detyrën për ta futur në shqyrtim aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE, e ka presidenca e Këshillit të BE-së, e cila çdo gjashtë muaj ndërrohet mes vendeve anëtare.
Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues.
Përmes një pyetësori, pastaj, Komisioni vlerëson gatishmërinë e vendit aplikues për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, përkatësisht për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Në proces të zgjerimit janë aktualisht dhjetë shtete - gjashtë të Ballkanit Perëndimor, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia. Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.
Augustin Palokaj, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se janë dy arsye përse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ka mbetur në sirtar për gati dy vjet.
“E para është arsyeja formale, ose fakti që Kosova nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së [Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja], ndërsa procesi i zgjerimit është mes vendeve anëtare dhe vendit që aplikon - nuk është proces me institucionet e BE-së. Andaj, për të avancuar tutje, duhet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare ose, së paku, asnjë vend anëtar të mos e kundërshtojë”.
“E dyta është mungesa e vullnetit politik nga ana e BE-së, pasi disa vende duan ta lidhin këtë edhe me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Palokaj.
Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë. BE-ja, si ndërmjetësuese, ka theksuar rëndësinë e rezultateve në këtë proces, si parakusht për përparimin e tyre në rrugën evropiane.
Por, përkundër kësaj, marrëdhëniet mbeten të tensionuara dhe shumë prej marrëveshjeve të arritura, nuk zbatohen.
Udhëheqësit politikë, Albin Kurti i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë, nuk janë takuar saktësisht një vit. Qeveria e Kurtit, ndërkohë, ka bërë disa veprime - si heqja e dinarit serb nga përdorimi apo mbyllja e institucioneve paralele serbe - të cilat Bashkimi Evropian i ka konsideruar si të njëanshme dhe me ndikim negativ.
Kosova, për më shumë se një vit, është edhe subjekt i disa masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat lidhen me tensionet në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Kosova nuk u është përgjigjur as kërkesave të vazhdueshme të disa vendeve anëtare të BE-së për të ndërmarrë hapa në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vend të tyre, Qeveria akuzon Serbinë për qasje jokonstruktive dhe BE-në për trajtim jo të barabartë - edhe pse kjo e fundit nuk pajtohet.
“Sa u përket ‘hapave të njëanshëm’ dhe kritikave të BE-së, parë në kontekstin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, ato do të duhej të vlerësoheshin pozitivisht dhe si hapa shtytës të funksionimit dhe sundimit të ligjit në vend, si dhe të luftimit të aktiviteteve ilegale dhe bandave kriminale. Pra, ata nuk do të duhej të ndikonin në prolongimin e procesit evropian”, thotë këshilltari i Qeverisë, Kadiu.
Tefta Kelmendi, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, vlerëson për Exposenë se perspektivat evropiane të Kosovës, tash për tash, janë të zymta. Sipas saj, BE-së, fillimisht, i duhet të gjejë një mënyrë se si ta vazhdojë ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe si ta rikthejë besimin e Qeverisë së Kosovës.
“Ekziston një perceptim [në Kosovë] për njëanshmëri dhe trajtim jo të barabartë nga BE-ja. Kjo mund të mendohet kështu për faktin se BE-ja aplikon masa të caktuara kundër Kosovës, ndërkohë që udhëheqësit evropianë udhëtojnë në Beograd për të bërë marrëveshje të rëndësishme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është një figurë problematike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, thotë Kelmendi.
Që gjërat të lëvizin përpara, Kelmendi i rekomandon edhe Kosovës një angazhim më strategjik - të përmbahet nga marrja e vendimeve të pakoordinuara dhe t'i qaset dialogut me një vizion më afatgjatë, duke u fokusuar edhe në sigurinë dhe besimin e qytetarëve në veri.
“Në kontekstin e një lufte në Evropë dhe gjithashtu të një politike të paparashikueshme të SHBA-së në rajon, mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ta kuptojë se duhet t’i mbajë miqtë afër. Ajo duhet t’i rimendojë vërtet pasojat nëse vazhdon të mbetet e izoluar nga BE-ja ose shtetet e saj anëtare”, thotë Kelmendi.
Palokaj paralajmëron se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE mund të mbetet në sirtar për kohë të pakufishme, pasi, siç thotë, nuk ka ndonjë afat që e obligon shtetin që kryeson Presidencën e Këshillit të BE-së, për ta nxjerrë në rend dite.
Për shembull, në rastin e Shqipërisë, nga koha e aplikimit deri te marrja e statusit të vendit kandidat kanë kaluar pesë vjet.
Palokaj thotë se vendimi është krejtësisht politik.
“Do të duhet një shtytje e madhe politike sidomos nga dy vendet kryesore të BE-së, Gjermania dhe Franca. Ato janë në krye të përpjekjeve për të detyruar Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë raportet. Këto dy vende kanë edhe fjalën kryesore në QUINT. Po ashtu, kanë qenë vendimtare për të mos e mundësuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe nuk ka dyshim se ato do ta lidhin edhe çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën me ecurinë e dialogut”, thotë Palokaj.
Në fillim të këtij muaji, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka rikonfirmuar angazhimin e saj për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ashtu si edhe të Ukrainës dhe Moldavisë, por ka paralajmëruar se duhen edhe vendime të vështira.
“Si vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të përballen me zgjedhje të vështira. Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të trajtohen. Integrimi në BE do të varet nga qeveritë dhe nga marrja e vendimeve të vështira, e ndonjëherë edhe jopopullore. Por, kjo është koha në të cilën jetojmë. Shtyrja e vendimeve nënkupton marrjen e vendimeve të gabuara”, ka thënë von der Leyen në Forumin e Bledit.
Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë vendet e para në Ballkanin Perëndimor që i kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE - më 2012, përkatësisht më 2014.
Ndërsa Serbia mbetet më mbrapa, për shkak të mospërshtatjes së politikave të saj me ato të BE-së, për Malin e Zi flitet me data konkrete.
Në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian tashmë ekziston një plan i përgatitur kalendarik, sipas të cilit Mali i Zi do të mund ta përmbyllte të gjithë procesin e negociatave për anëtarësim deri në vitin 2026 dhe, në rrethana ideale, të bëhet anëtar i BE-së më 2028.
BE-ja, për herë të fundit, është zgjeruar me Kroacinë në vitin 2013.
Sipas një studimi që ka bërë Qendra e Kërkimeve Pew, janë dashur mesatarisht nëntë vjet për secilin nga 21 anëtarë aktualë që t’i bashkohen BE-së. Qipros dhe Maltës u janë dashur pothuajse nga 14 vjet për t’u bërë zyrtarisht anëtare.
E, në Prishtinë disa qytetarë të anketuar janë më optimistë; disa të tjerë shpresat i varin te politikëbërësit.
“Shpresoj që [Kosova] në dy-tre vjetët e ardhshëm të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret ende, por shpresoj të shkojë në këtë rrugë”, thotë Fitore Mataj.
“Pse të mos anëtarësohet Kosova në BE, kur dihet se ka një rini shumë të shëndoshë, një mentalitet shumë të shëndoshë?”, pyet Drin Makolli.
“Është duke avancuar nëpër shumë fusha dhe profesione të ndryshme. Unë mund ta shoh Kosovën brenda pesë vjetësh si anëtare të BE-së”, thotë ai.
Për Samir Hasanin, “kjo varet nga politikanët tanë, nga politikat e tyre në raport me evropianët”.
“Ndoshta brenda pesë vjetësh, ndoshta brenda mandatit pas zgjedhjeve që do të vijnë”, thotë ai.
“Mendoj se çështja e anëtarësimit në BE është komplet e kushtëzuar nga dialogu dhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Sa më shpejt që të ndodhë kjo, mendoj se edhe [çështja e anëtarësimit] do të kryhet më shpejt”, shpreh bindjen Emir Ademi.
Kryeministri Kurti, më herët, ka kërkuar që dialogu me Serbinë të ndahet prej procesit të integrimit evropian, pasi, sipas tij, procesi i normalizimit të marrëdhënieve varet më shumë nga Serbia sesa nga Kosova. Por, BE-ja këmbëngul që këto procese nuk mund të ndahen.
Rruga përpara mund të jetë e pasigurt, edhe aplikimi i Kosovës mund të mbledhë pluhur në sirtar, por vendosmëria në mesin e autoriteteve për integrim duket e palëkundur.