Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj ministrive turke dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, në përgjigje të ofensivës ushtarake të vendit në veri të Sirisë.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, telefonoi homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm, njoftoi nënpresidenti amerikan, Mike Pence.
Pence tha se ai do të udhëtojë në rajon për të diskutuar zhvillimet "sa më shpejt të jetë e mundur".
Masa e SHBA-së vjen pas kritikave për tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni, që disa thonë se i dha Turqisë një "dritë jeshile" për të nisur ofensivën.
SHIKONI EDHE: Pompeo: SHBA-ja nuk ka miratuar ofensivën e Turqisë në SiriNdërhyrja ushtarake turke, e cila filloi javën e kaluar, synon të largojë nga rajoni kufitar, Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, raporton BBC.
Turqia, e konsideron grupin e udhëhequr nga kurdët, një organizatë terroriste.
Forcat turke gjithashtu duan të vendosin atë, që qeveria e tyre e përshkruan si një "zonë e sigurt", për të rivendosur aty deri në dy milionë refugjatë sirianë që gjenden aktualisht në Turqi.
Shumë prej tyre nuk janë kurdë dhe kritikët, paralajmërojnë se kjo mund të çojë në spastrim etnik të popullatës lokale kurde.
Forcat e udhëhequra nga kurdët kanë qenë një aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik.
Kurdët e përshkruanin tërheqjen e SHBA-së, e cila i parapriu veprimit turk, si një "goditje pas shpine".
Ekziston frika se përshkallëzimi i konfliktit lokal mund të rrezikojë një ringjallje të IS-it, pasi mijëra ish-luftëtarë dhe të afërmit e tyre po mbahen në burgje në veri të Sirisë.
Disa qindra thuhet se tashmë kanë shpëtuar nga një kamp.
Turqia njoftoi më 14 tetor se forcat e saj e gjetën të boshatisur një burg ku mbaheshin militantët e Shtetit Islamik. Autoritetet turke nuk ishin në gjendje të tregonin sa të burgosur po mbaheshin në atë burg dhe as vendin ku kanë ikur.
SHIKONI EDHE: Kriza në Siri: Turqia e gjen të boshatisur burgun ku mbaheshin militantët e IS-itPresidenti amerikan, Donald Trump supozoi se forcat kurde me qëllim po i lirojnë të burgosurit, në mënyrë që të detyrojnë rikthimin e trupave amerikane.
Përballë presionit të jashtëzakonshëm, forcat kurde njoftuan arritjen e një marrëveshjeje me Qeverinë siriane për mbështetje ushtarake në përballje me Turqinë.
SHIKONI EDHE: Kurdët arrijnë marrëveshje me ushtrinë siriane për t'i rezistuar TurqisëÇfarë përfshijnë sanksionet amerikane ndaj Turqisë?
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, njoftoi për vendosjen e sanksioneve, ndaj dy ministrive turke dhe tre zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Sipas një deklarate, sanksionet përfshijnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Energjisë, si dhe ministrat e Mbrojtjes, Energjisë dhe ministrin e Brendshëm. Masa parasheh ngrirjen e pasurisë së tyre në SHBA dhe ndalon transaksionet e lidhura me SHBA-në.
"Veprimet e Qeverisë turke po rrezikojnë civilë të pafajshëm dhe destabilizojnë rajonin, përfshirë dëmtimin e fushatës për të mposhtur IS-in”, thuhej në deklaratë.
SHIKONI EDHE: Merkel i kërkon Erdoganit që “menjëherë ta ndalë” ofensivën në SiriPresidenti Donald Trump është përballur me presion në rritje për të ndërmarrë veprime kundër partnerit amerikan të NATO-s, përfshirë thirrjen edhe nga ligjvënësit republikanë, që zakonisht janë besnikë ndaj administratës së tij.
Në një deklaratë të postuar në Twitter, presidenti Trump tha gjithashtu se ai do të rrisë tarifat për çelikun turk në 50 për qind dhe "menjëherë do të ndalojë" negociatat në lidhje me një "marrëveshje tregtare 100 miliardë dollarëshe" me Turqinë.
"Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë mposhtur 100 për qind të kalifatit të pamëshirshëm territorial të ISIS-it. Turqia nuk duhet t'i vë në rrezik këto arritje”, thuhet në deklaratë.
Nënpresidenti amerikan Pence paralajmëroi se sanksionet "do të vazhdojnë dhe do të ashpërsohen, përveç nëse Turqia e vendos një armëpushim të menjëhershëm, ndalon dhunën dhe pranon të negociojë një zgjidhje afatgjatë të çështjeve përgjatë kufirit midis Turqisë dhe Sirisë".
Nënpresidenti përsëriti gjithashtu se SHBA-ja "nuk i dha dritën jeshile Turqisë për të pushtuar Sirinë".
Më herët më 14 tetor, disa vende të Bashkimit Evropian u angazhuan të pezullonin eksportet e armëve në Turqi.
Si përgjigje, Turqia tha se do të shqyrtojë bashkëpunimin e saj me BE-së për shkak të qëndrimit të saj "të paligjshëm dhe të njëanshëm".