Ndërlidhjet

Turqia nis me sulme ajrore ofensivën në Siri


Një grua ecë, teksa në prapavijë shihet tym, pas bombardimeve të Turqisë në qytetin sirian, Rasa l-Ain, që gjendet në kufi me Turqinë.
Një grua ecë, teksa në prapavijë shihet tym, pas bombardimeve të Turqisë në qytetin sirian, Rasa l-Ain, që gjendet në kufi me Turqinë.

Aeroplanët turq kanë bombarduar pozicionet kurde teksa ka nisur ofensiva në verilindje të Sirisë.

Përveç sulmeve ajrore, është raportuar edhe për një varg shpërthimesh në qytetin sirian, Ras al Ain, në kufi me Sirinë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se ofensiva e nisur më 9 tetor synon të krijojë një “zonë të sigurt” dhe të shënjestrojë militantët kurdë, bashkë me grupin ekstremist, Shteti Islamik në verilindje të Sirisë.

Turqia ka kërcënuar një kohë të gjatë se do të nisë sulme kundër luftëtarëve kurdë, të cilët Ankaraja i konsideron terroristë.

Forcat e udhëhequra nga kurdët që kontrollojnë verilindjen e Sirisë kanë thënë se sulmet ajrore kanë lënë të vdekur dy civilë dhe kanë plagosur dy të tjerë në Ras al Ain.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe koalicionit ndërkombëtar që të mbajnë përgjegjësi dhe të parandalojnë ndonjë krizë të mundshme humanitare”, kanë thënë Forcat Demokratike Siriane (SDF) përmes një deklarate.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar takim me dyer të mbyllura për të diskutuar këtë situatë, kanë thënë diplomatët.

Ofensiva e Turqisë vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se forcat e Shteteve të Bashkuara do të largohen nga kjo zonë e Sirisë.

“Forcat e armatosura turke dhe Ushtria Kombëtare Siriane (grupi rebel i përkrahur nga Ankaraja) sapo kanë nisur Operacionin Pranvera e Paqes në veri të Sirisë”, ka thënë Erdogan përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Misioni ynë është që të parandalojmë krijimin e ndonjë korridori terrorist në kufirin tonë jugor dhe të kthejmë paqen në atë zonë”, ka thënë ai.

Më herët gjatë ditës, në raportimet e televizioneve turke është thënë se aeroplanët luftarakë turq kanë bombarduar pozicionet siriane kurde përgjatë kufirit me Turqinë.

CNN në gjuhën turke ka raportuar se disa shpërthime të mëdha kanë goditur qytezën, Ras al Ain, në kufi me qytetin turk, Ceylanpinar.

Liderët kurdë kanë bërë thirrje më herët për “mobilizim të përgjithshëm” përgjatë kufirit me Turqinë, pasi Ankaraja ka thënë se do të nisë ofensivën, pas largimit të forcave amerikane nga kjo zonë.

NATO-ja pjesë e së cilës është Turqia, i ka bërë thirrje këtij shteti që ta ketë nën kontroll operacionin në verilindje të Sirisë.

“I bëj thirrje Turqisë që të përmbahet dhe të sigurojë se secili veprim që kryen në verilindje të Sirisë është i matur”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke shtuar se është shumë me rëndësi që mos destabilizohet rajoni më shumë.

Presidenti në shkuarje i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, po ashtu ka bërë thirrje për përmbajtje.

“Turqia ka shqetësime për sigurinë në kufirin e saj me Sirinë. Megjithatë, i bëj thirrje Turqisë dhe palëve tjera që të jenë të përmbajtura dhe t’i ndalin operacionet që veçse kanë nisur”, ka thënë Juncker para Parlamentit Evropian në Bruksel.

Administrata civile e udhëhequr nga kurdët në verilindje të Sirisë ka paralajmëruar për “një katastrofë humanitare” në veri të Sirisë nëse fillojnë armiqësitë, derisa presidenti rus, Vladimir Putin i ka kërkuar Erdoganit, përmes një thirrjeje telefonike që të “veprojë me kujdes” para nisjes së ofensivës.

“Putin u ka bërë thirrje partnerëve turq që të mendojnë me kujdes për situatën dhe të mos dëmtojnë përpjekjet për ta zgjidhur krizën në Siri”, ka thënë Kremlini përmes një deklarate.

Por Ankaraja ka thënë se synon të krijojë një zonë të sigurt në territor prej 30 kilometrave përgjatë kufirit me Sirinë për të strehuar rreth 2 milionë sirianë nga 3.6 milionë refugjatë sirianë sa jetojnë aktualisht në Turqi.

Makinat e ushtrisë turke nisen drejt kufirit me Sirinë. 9 tetor, 2019.
Makinat e ushtrisë turke nisen drejt kufirit me Sirinë. 9 tetor, 2019.

Mirëpo Juncker u ka thënë ligjvënësve evropianë në Bruksel se blloku evropian nuk do ta financojë këtë plan.

“Nëse plani turk përfshin edhe krijimin e të ashtuquajturës zonë të sigurt, mos prisni nga Bashkimi Evropian që të paguajë për të”, ka thënë Juncker.

Nga fillimi i luftës civile në Siri më 2011 kanë vdekur më shumë se 400,000 persona.

Turqia i konsideron militantët kurdë si “terroristë”, ndonëse ata dominojnë aleancën e Forcave Demokratike Siriane që drejtohen nga Shtetet e Bashkuara.

Forcat kurde, që kanë ndihmuar në mposhtjen e grupit militant, Shteti Islamik në Siri, e kanë përshkruar largimin e forcave amerikane nga verilindja e Sirisë si “thikë pas shpinës”.

Mirëpo duke mbrojtur vendimin e tij, Trump ka thënë se tërheqja ka prekur “vetëm 50 ushtarë” derisa Pentagoni ka thënë se personeli amerikan është tërhequr “për të garantuar sigurinë e tyre”, dhe se ata nuk po largohen nga territori i Sirisë.

“Ne mund të jemi në proces të të larguarit nga Siria mirëpo në asnjë mënyrë ne nuk kemi braktisur kurdët që janë njerëz të posaçëm dhe luftëtarë të mrekullueshem”, ka thënë Trump duke shtuar se “Uashingtoni është duke ndihmuar kurdët në aspektin financiar bashkë me armë”.

Duke i përshkruar lidhjet në mes të Uashingtonit dhe Ankarasë si “shumë të mira”, presidenti amerikan ka thënë se “secili luftim i panevojshëm nga Turqia do të jetë shkatërrues për ekonominë e saj”.

Megjithatë Trump ka thënë se Erdogan do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë më 13 nëntor.

Rusia ka ofruar mbështetje të madhe për presidentin sirian, Bashar al-Assad në luftën civile në Siri, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë përkrahur grupe të ndryshme rebele.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG