Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka mohuar që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Turqisë “ditën e gjelbër” për ofensivën e saj në Siri.
Pompeo ka mbrojtur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, që është kritikuar gjithandej për të tërhequr trupat amerikane nga pjesa veriore e kufirit.
Në një intervistë për transmetuesin amerikan, PBS, Pompeo ka përkrahur vendimin e Trumpit për të tërhequr forcat amerikane, duke shtuar se Turqia ka “shqetësime legjitime për sigurinë” dhe “kërcënim terrorist në jug të shtetit”.
Ai ka thënë se raportimet që kinse SHBA-ja ka lejuar Turqinë të nisë ofensivën, “janë të pavërteta”.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë dritën e gjelbër”, ka thënë ai.
Edhe presidenti amerikan ka thënë se do ta shkatërrojë ekonominë e Turqisë nëse kalon limitet dhe se SHBA-ja nuk ka përkrahur sulmin turk, duke e konsideruar “ide të keqe”.
Trump ka thënë në një konferencë për media se turqit dhe kurdët “kanë luftuar për shekuj”.
Republikanët dhe demokratët kanë dënuar vendimin e Trumpit për tërheqje të trupave.
Senatori Lindsey Graham që zakonisht përkrah Trumpin, ka thënë se SHBA-ja ka braktisur në mënyrë të turpshme aleatët e saj.
Pas tërheqjes së forcave amerikane, Turqia ka nisur të mërkurën sulmet në territorin e udhëhequr nga forcat kurde, të cilat njihen si aleate të SHBA-së në rajon.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se qëllimi i sulmeve është “parandalimi i krijimit të një korridori të terrorit” në kufi.
Sipas tij Turqia planifikon të krijojë një “zonë të sigurt”, duke larguar militantët kurdë, çka do të rezultojë me krijim të strehimit për refugjatët sirianë.
“Unë besoj se bashkë me Ushtrinë Kombëtare të Sirisë, Forcat e Armatosura Turke, do të arrijmë sukses të madh kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Njësisë për Mbrojtjen e Popullit dhe militantëve të grupit ekstremist Shteti Islamik në Siri. Ne jemi krenarë me ata. Misioni ynë është i qartë. Qëllimi ynë është krijimi i një zone të sigurt”, tha presidenti turk.
Mirëpo kritikët kanë thënë se operacioni mund të shkaktojë spastrim etnik të popullatës kurde në veri të Sirisë dhe ringjallje të grupit militant, Shteti Islamik (IS).
Forcat kurde në anën tjetër janë zotuar se do t’i rezistojnë ofensivës dhe kanë nisur të përleshen me trupat turke.
Kurdët, që kanë ndihmuar në mposhtjen e miltiantëve të IS-it në Siri, aktualisht ruajnë mijëra luftëtarë të këtij grupi dhe familjarë të tyre në burgjet dhe kampet që janë në territorin që ata zotërojnë.
Ende nuk duhet se si do të ndikojë kjo betejë dhe përshallëzimi i saj në kujdestarinë e këtyre militantëve.
Çfarë po ndodh në Siri?
Dhjetëra qyteza dhe fshatëra janë goditur nga sulmet ajrore të mërkurën, duke shtyrë mijëra civilë që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Luftëtarët kurdë kanë thënë se të paktën shtatë civilë janë vrarë, dy prej tyre fëmijë dhe të paktën 19 persona janë plagosur.
Ministria turke e Mbrojtjes ka thënë se trupat turke dhe rebelët sirianë kanë hyrë në zonën “në lindje të Eufratit”.
Forcat e armatosura turke kanë thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se kanë qëlluar 181 shënjestra “terroriste” në kuadër të të ashtuqajturit, Operacioni Pranvera e Paqes, derisa një grup pro-turk i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se ofensiva ka nisur në Tal Abyad, zonë e kontrolluar nga militantët kurdë të Njësisë për Mbrojtjen e Popullit (YPG).
Autoritetet kurde kanë bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm dhe u kanë bërë thirrje njerëzve që “të nisen drejt kufirit me Turqinë, për të rezistuar në këtë moment të ndjeshëm dhe historik”.
Turqia konsideron militantët kurdë të grupit YPG, si zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde në Turqi për tri dekada.
Qeveria turke planifikon të dërgojë 2 milionë nga 3.6 milionë refugjatë sirianë sa strehon aktualisht, në “zonën e sigurt”.
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit ka thënë se ofensiva mund të ndikojë në zhvendosje të 300,000 personave nga shtëpitë e tyre.
Cilat kanë qenë reagimet për këtë ofensivë?
Bashkimi Evropian ka thënë ka pak gjasë që e ashtuquajtura “zonë e sigurt” mund të përmbushë kriteret ndërkombëtare për kthim të refugjatëve, derisa Belgjika, Franca, Gjermania, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar këtë çështje.
Të 15 shtetet anëtare të këtij trupi do të takohen të enjten.
Liga Arabe po ashtu ka njoftuar se do të zhvillojë një takim urgjent më 12 tetor në Kairo lidhur me këtë çështje.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se Turqia, vend anëtar i NATO-s, ka “shqetësime legjitime të sigurisë”, mirëpo pret që shteti të përmbahet dhe të sigurojë që secili veprim është i duhur dhe i matur”.
“NATO-ja është informuar nga autoritetet turke për operacionin në veri të Sirisë. Është e rëndësishme që të anashkalohen veprimet që mund ta destabilizojnë situatën dhe të shkaktojnë më shumë dëme në njerëz”, ka thënë Stoltenberg.
Përndryshe, në deklaratën e tij, Trump ka thënë edhe se Turqia duhet të jetë përgjegjëse dhe të sigurojë se luftëtarët e IS-it do të vazhdojnë të jetë në burgje dhe se militantët nuk do të rigrupohen.