Valdete Sahiti, 40-vjeçare nga Komuna e Vitisë dhe nënë e katër fëmijëve, tash e dy vjet punon në biznesin e saj të vogël. Ajo merret me prodhimin dhe konservimin e perimeve. Thotë se paratë që i fiton nga ky biznes, janë të mjaftueshme për një jetë normale.
Për aftësimin e saj për këtë punë, ajo e falënderon organizatën joqeveritare, “Gratë për Gratë”, e cila i ka ndihmuar në çdo aspekt për t’u inkuadruar në biznes. Valdetja, është një nga gratë në Kosovë që përbëjnë 12 për qind të të punësuarave, pasi që rreth 88 për qind e tyre, sipas statistikave zyrtare, janë të papunësuara.
“Këtë biznes e kam filluar para dy vjetësh. Tre vjet më parë kam mbajtur trajnim për aftësim profesional për hortikulturë nga organizata 'Gratë për Gratë'. Në fshatin ku jetoj kryesisht merren me bujqësi dhe jam trajnuar në këtë lëmi. Pastaj, kam hulumtuar dhe kam bërë projekte duke kërkuar donacione për pajisje, dhe i kam arritur të gjitha si aparaturën për punë, serat dhe gjitha pajisjet tjera mbështetëse”.
“Ne veprojmë tash si shoqatë dhe jemi 20 gra, ku të gjitha kanë fituar sera dhe punojnë njësoj sikurse unë. Na kanë financuar edhe objektin ku punojmë me kushte të pranueshme”, tregon për Radion Evropa e Lirë, Valdete Sahiti.
Me paratë që fiton, ajo thotë se i mbulon të gjitha shpenzimet e familjes.
“Ndonëse edhe bashkëshorti punon, ai paguhet pak në sektorin privat. Të gjitha meritat i ka organizata ‘Gratë për Gratë’, sepse pa të nuk do të ishte e mundur të zhvillojmë biznes. Punët tona janë sezonale. Të ardhurat dallojnë nga muaji në muaj, por fitimi është i mirë”, thotë Sahiti.
Gratë në Kosovë, përbëjnë gjysmën e popullatës së përgjithshme. Në bazë të ligjeve aktuale në Kosovë, ato gëzojnë të drejta të barabarta sikurse në vendet tjera të Bashkimit Evropian. Ato gëzojnë të drejtën e votës, shkollimit, punësimit dhe të ngjashme.
Por, ndonëse të përgatitura profesionalisht, ka të tilla që janë të papuna.
Njëra nga to është Vlora Shala, 33-vjeçare, e cila ka përfunduar studimet në nivelin bachellor dhe master. Ajo thotë se përcjell çdo konkurs, qoftë privat apo edhe shtetëror, për të gjetur një vend pune, por deri tash nuk ka pasur sukses.
“E kam përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, si dhe masterin në këtë lëmi. Jam e papunë. Kohë pas kohe punoj me projekte, por punë stabile nuk po mund të gjej. I përcjelli vazhdimisht konkurset dhe kam qenë e ftuar në intervista, por nuk kam mundur të punësohem. Ndonëse shpeshherë kam kaluar shumë mirë nëpër intervista dhe kam qenë e bindur se do të pranohem në punë, ka ndodhur e kundërta”, thotë Shala.
SHIKONI EDHE: Barrierat e të qenët femërAjo thotë se shpeshherë i ka shkuar mendja që të hapë ndonjë biznes privat, por për këtë duhet mjete financiare, të cilat thotë se nuk i ka.
Ndërkaq, edhe mungesa e hipotekave për marrjen e kredive, paraqitet si një nga problemet, me të cilat ballafaqohen gratë biznesmene.
“Më ka shkuar mendja të hap biznes timin, por as këtë s’kam mundësi ta bëj për shkak se duhen mjete financiare të kursyera, gjë që unë nuk i kam”, thekson ajo.
Kosova është një prej vende me papunësinë më të lartë në rajon dhe në Evropë. Ndërkaq, një problem tjetër që e karakterizon vendin, sipas Adelina Berishës nga Rrjeti i Grave të Kosovës është edhe ngecja në implementimin e ligjeve për barazi gjinore.
“Ne e kemi Ligjin për barazi gjinore që e thekson shumë mirë që përfshirja e burrave dhe grave në çdo institucion duhet të jetë 50 me 50 për qind, ashtu siç është edhe popullata në Kosovë. Mirëpo, edhe pse kemi kornizën ligjore mirë të formuluar dhe në harmoni me kërkesat e Bashkimit Evropian, nuk ka zbatim të kësaj kornize. Statistikat tregojnë sa pak është bërë për t’u ofruar mundësi punësimi grave edhe në sektorin publik edhe atë privat”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Gratë “uzurpojnë” punësimin në arsim dhe shëndetësiNë anën tjetër, Blerta Deliu - Kodra, e cila bën pjesë në grupin joformal të grave deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se si grup kanë arritur të ngritin kauza të shumta që kanë të bëjnë me fuqizimin e gruas në shoqëri, por që ende janë shumë larg realizimit të asaj çfarë do të donin të ishte roli i gruas në shoqëri.
“Ka qenë sfiduese që nuk kemi arritur të kemi një përfaqësim më të mirë të gruas në punësim. Ndonëse statistikat zyrtare flasin ashtu si janë, jo të gjitha të punësuarat janë të regjistruara, pasi punojnë në sektorin privat”.
“Megjithëkëtë ka pasur tentativa të deputetëve që ligji të jetë i implementueshëm , pasi është i shkruar mirë, dhe të rritet numri i grave që të punojnë, ende jemi larg realizimit të ligjit që këto gra të jenë të përfaqësuara dhe të kenë një pozitë më të lartë në statistikat e punësimit”, thotë Deliu - Kodra.
Bazuar në të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm 12 për qind e femrave në Kosovë punojnë. Megjithatë, marrë parasysh faktin që shumë biznese nuk i regjistrojnë punëtorët, dukuri kjo që është evidente në ekonominë e Kosovës, besohet se numri i të punësuarave është më i lartë.
SHIKONI EDHE: Mbështetet edukimi dhe punësimi i grave në sektorin e energjisëMe gjithë iniciativat e ndryshme të mbështetura nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, e më pak edhe ato qeveritare për inkurajimin e grave që të fillojnë ndonjë biznes, gratë në Kosovë hezitojnë dhe ende ballafaqohen me barriera të ndryshme për të marrë primatin e ndonjë kompanie.
Krahas punësimit, edhe pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kosovë është diskutuar shpesh, por nuk e ka ndryshuar shumë gjendjen praktike.
Pozita më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga ndonjë grua në Kosovë është nga Atifete Jahjaga, e cila ishte presidente e vendit nga viti 2011 deri në vitin 2016.
Në Kuvend, përfaqësimi i gruas sigurohet me ligj në kuotën prej 30 për qind. Kurse Qeveria e Kosovës, ka një ministre, ndërkaq asnjë komunë nuk udhëhiqet nga ndonjë grua.
Gjatë vitit të kaluar, autoritetet e rendit, kanë njoftuar se ishin raportuar rreth 1.200 raste të dhunës në familje, në të cilat pjesa më e madhe e viktimave janë femra.
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur 34 raste të vrasjeve, ku viktima kryesisht kanë qenë gratë.