Ndërlidhjet

Gratë e përjashtuara nga biznesi


Ilustrim
Ilustrim

Institucionet qeveritare në Kosovë nuk kanë ndërmarrë masa të përshtatshmepër forcimin e pozitës së gruas në biznes dhe ato nuk janë “në agjendat qeveritare”, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Sipas tyre, pavarësisht miratimit të ligjeve për forcimin e pozitës së gruas në shoqëri, gratë nuk kanë qenë të pranishme gjatë hartimit të politikave ekonomike.

Mirlinda Kusari- Purrini, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se ndihmë ka pasur, por jo sa deklarohet nga autoritetet vendore. Ajo thotë se problemet e grave në fushën e të bërit biznes janë të shumta.

“Gratë nuk janë në agjendat qeveritare, ato nuk janë të pranishme, as në hartimin e politikave nuk janë të ftuara. Pra, gruaja është ajo e fundit, e cila informohet nga mediet ose organizatat tjera, që ka ndodhur apo është krijuar diçka. Kurrë ato vetë nuk kanë mundur të japin kontributin ose të paraqesin nevojat, me të cilat përballen gjatë aktivitetit të zhvillimit të veprimtarisë së tyre”, thotë ajo.

Sipas shifrave zyrtare, vetëm 18 për qind e kompanive private në Kosovë janë të regjistruara në pronësi të femrave. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, nga mbi 43 mijë biznese të regjistruara, rreth 8 mijë janë me pronare femra. Pjesa më e madhe e kompanive që udhëhiqen nga gratë janë biznese individuale me vlerë të vogël financiare, si në sektorë të tregtisë, industrisë, akomodim dhe ushqim.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë vazhdimisht kanë premtuar fuqizimin e pjesëmarrjes dhe performancës së gruas në biznes.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se me qëllim të mbështetjes së bizneseve me pronare të gjinisë femërore dhe fuqizimit të tyre, janë organizuar panaire dhe janë zhvilluar projekte që kanë të bëjnë me inkurajimin dhe nxitjen e shtimit të bizneseve të grave.

Një nga zhvillimet tjera të rëndësishme në drejtim të fuqizimit të rolit të grave afariste, thuhet në përgjigje, është anëtarësimi i Forumit të Grave me të drejta të plota në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, një platformë e rëndësishme për kultivimin e dialogut publik privat, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për të bërë biznes në vendin tonë.

Por, Mirlinda Kusari – Purrini, pranon se ka pasur organizime të panaireve, projekte për fuqizimin e grave afariste, por sipas saj, këto janë të pamjaftueshme nëse nuk ka lehtësime për një periudhë kohore nga obligimet tatimore.

Problem kryesor i të qenët femër në fushën e të bërit biznes, thotë ajo, është mungesa e kapitalit. Gratë nuk kanë pronë të regjistruar në emër të tyre, në mënyrë që ta shfrytëzojnë si hipotekë për të marrë ndonjë kredi në bankat komerciale, për të filluar apo zgjeruar veprimtarinë e tyre.

“Pastaj vijnë pengesat tjera, si politikat fiskale, të cilat ndikojnë te këto biznese, pasi kryesisht janë biznese të vogla dhe mikro, e të cilave iu nevojiten,sa i përket tatimeve, që ato të lirohen së paku vitin e parë dhe të dytë. Të fillojnë të paguajnë diçka, në mënyrë që të shohim se a mund t’i përballojnë ato tatime”, thekson Kusari - Purrini.

Mungesën e mjeteve financiare për të filluar apo zgjeruar veprimtarinë, e përmendin si sfidë kryesore edhe disa gra ndërmarrëse.

Selvete Fetahu, është pronare e Shoqatës “ Shpresa e Llapit”, e cila merret me kultivimin dhe konservimin e perimeve. Ajo tregon se për shkak të mungesës së mjeteve financiare, nuk ka mundësi që të rrisë sipërfaqen për kultivimin e perimeve apo të hapë ndonjë dyqan, por prodhimet i shet në tregun mobil në Prishtinë.

“Jo nuk kemi ndihmë me mjete financiare nga askush, çdo gjë e fitoj vetë. Është vështirë të merresh me biznes, konkretisht për të fituar treg”, tregon Selvete Fetahu.

Ngjashëm thotë edhe Afërdita Murati, pronare e ndërmarrjes prodhuese “Kastrioti”, e cila merret me kultivimin dhe përpunimin e disa produkteve bujqësore. Ajo tregon se gjatë sezonit të verës ka të punësuar deri në nëntë punëtorë, kurse ndihma nga institucionet ka pasur në mënyrë simbolike.

Afërdita Murati shpreson se gjatë vitit të ardhshëm të hapë dyqan me produktet e kultivuara.

“Për dyqan nuk kam mjete financiare, kërkon shumë investime. Për sipërfaqen rreth 2 hektarë të mbjella me mjedër, kërkohen deri në 12 mijë euro, pastaj duhet rritur edhe numrin e punëtorëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë Afërdita Murati.

Por, një nga kompanitë private, që në Kosovëllogaritet një ndër më të mëdha që udhëhiqet nga një grua, por që ka fituar disa donacione nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare është “Magic Ice”, që merret me prodhimin e produkteve të qumështit.

Syzana Aliu, e cila në kompaninë e saj, ka të punësuar rreth 90 punëtorë, thotë se gjatë zhvillimit të veprimtarisë, paraqiten sfida të ndryshme. Por, megjithatë, ajo tregon se ka arritur që prodhimet e kësaj kompanie të gjejnë hapësirë të mjaftueshme në tregun e Kosovës.

Ajo tashmë është duke bërë përpjekje që prodhimet e kompanisë “Magic Ice”, t’i eksportojë edhe në Evropë.

“Unë jam në Vjenë. Kam ardhur të shikoj qasjen e produkteve tona këtu në Vjenë. Mirëpo, autoritetet në Kosovë duhet të pajisen me një certifikatë për të mundësuar eksportin e produkteve me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Aliu.

Sipas organizatave joqeveritare, edhe paragjykimet dhe traditat e shoqërisë nëse një femër mund të jetë pronare e suksesshme, ndikojnë që gratë të jenë më pak të pranishme në fushën e biznesit.

Përveç përfshirjes së një numri të vogël të grave në biznes, në situatë më të keqe, gratë paraqiten si pronare të shtëpisë apo banesës. Sipas një raporti të quajtur “Gratë dhe burrat në Kosovë”, thuhet se vetëm pesë për qind e grave janë pronare të shtëpive apo banesave, kurse 95 për qind të këtyre pronave janë meshkuj.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG