Mbi 90 për qind e të punësuarve në fushën e energjisë në Kosovë janë burra. Nisur nga ky fakt, Fondacioni Milenium i Kosovës ka mbështetur programin e fuqizimit të grave në këtë fushë, duke ndarë edhe bursa të plota për 20 gra. Këtu përfshihen studimet nga fusha të ndryshme të energjisë, nga dizajnet e turbinave me erë, ekspertiza e panelit diellor apo vetëm elektronikë të përgjithshme ose çdo gjë që lidhet me sektorin e energjisë.
Kështu ka thënë Sara Olmstead, drejtoreshë për Kosovën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në kuadër të Fondacionit Milenium të Kosovës (MFK), duke shtuar se tashmë në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është nënshkruar marrëveshja për bursat e para për shkollim të grave në fushën e energjisë.
“Mendoj se gratë munden dhe duhet të jenë lidere, jo vetëm në këtë fushë, por në të gjitha fushat dhe mendoj se futja e më shumë grave në këtë sektor mund të sjellë perspektivën e sektorit të energjisë, për faktin se energjia e ripërtritshme ka rëndësi. Gratë vetëm sjellin një perspektivë të shtuar për atë punë dhe mendoj se natyrisht mund të bëhen lidere në këtë fushë”, tha ajo.
*Video nga arkivi: Energjia me erë
Olmstead tha po ashtu se interesimi për të studiuar në fushën e energjisë nga gjinia femërore nuk mungon. Ajo potencon faktin se fillimisht do të ndahen 20 bursa për gratë, por që ky projekt do të vazhdojë edhe më tej së bashku me partnerë të tjerë.
“Nuk mendoj se kemi informacion specifik për gratë që janë të informuara në këtë fushë. Ajo çfarë kemi dhe ajo çfarë dimë është se ka nevojë për njerëz që të punojnë në këtë fushë, pasi që energjia është duke u rritur si burim i ekonomisë në botë, veçanërisht në Kosovë, pasi është duke u ndërtuar një termocentral, ka shumë kushte për sa i përket energjisë së rinovueshme dhe kështu gratë janë potencial real ekonomik në këtë fushë”.
“Njëzet veta nuk janë shumë, ky numër nuk do të përmbushë kërkesën në këtë fushë, por është një fillim dhe ne shpresojmë që këto gra të dalin të suksesshme dhe t’ju tregojnë grave të tjera dhe njerëzve në përgjithësi që kjo është një mundësi e mirë për ta”, tha Sara Olmstead.
Në anën tjetër, Dardan Abazi hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP, i tha Radios Evropa e Lirë, se në këtë rrafsh iniciativa e MFK-së apo edhe partnerëve të tjerë është domosdoshme dhe duhet filluar sa më parë me vendosjen e aspektit gjinor në planifikim të politikave dhe në zbatim të tyre në fushën e energjisë.
Gratë përbëjnë grupin shoqëror më të rëndësishëm në pjesën e zhvillimit të sektorit të energjisë dhe në të ardhmen fokusi i politikave duke marrë parasysh aspektin gjinor, siç thotë ai, do të jetë shumë i rëndësishëm në reformimin dhe transformimin e sistemit energjetik për çka e dhe INDEP, sipas Abazit, po lobon për një kohë të gjatë.
“Ka qenë një shqetësim i kamotshëm që institucionet e Kosovës nuk e kanë vendosur aspektin gjinor në planifikimin e politikave të energjisë, sidomos për faktin që femrat luajnë një rol të rëndësishëm në pjesën e konsumit te konsumatorët shtëpiakë, e që ajo përbën pjesën më të madhe të konsumit që ndodhë në Kosovë”.
“Në këtë kuptim, roli i gruas është krucial, qoftë në edukimin e tyre në zhvillim të qëndrueshëm, qoftë në gjithë strukturën e sistemit energjetik që ndodh në Kosovë”, tha Abazi.
*Video nga arkivi: Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"
Ndërkaq Olmstead ka potencuar faktin se edhe me ligj, grave u garantohet përfaqësimi në tregun e punës. Ajo tutje ka shtuar se të gjitha programet e MFK-së janë për mbështetje të biznesit, mbështetje në sektorin privat dhe nëse gratë janë të përfshira në këto fusha, atëherë ato do të përfitojnë nga këto programe.
Programi i Sfidave të Mijëvjeçarit ofron dy lloj grantesh. Bëhet fjalë për grante të mëdha dhe ato më të ulëta, por të cilat kryesisht kanë si qëllim mbështetjen financiare për zhvillim ekonomik dhe ulje të varfërisë.
Kosova, nuk është kualifikuar për grantet e larta, andaj ajo është përfituese e granteve më të ulëta nga ky program.