Një ish i dërguari me ndikim i Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Ballkan, Carl Bildt, ka folur me shqetësim për sinjalet politike që po dërgon Serbia në kohën e pandemisë së koronavirusit.
Në një intervistë të gjerë dhënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë më 30 mars, ish-ministri i Jashtëm suedez pranoi se ka pasur një dështim të Evropës karshi pandemisë së COVID-19, por paralajmëroi se mbështetja e liderëve serbë në "kartën e Kinës" mund të dëshmohet si "kundërproduktive”.
Ai tha se ka vështruar një model "të ngjashëm politik" në Hungari, vend anëtar i BE-së.
Qeveria hungareze, sipas tij, është përpjekur të ngufasë kritikat ndaj Pekinit, pasi Qeveria kineze me sa duket dështoi të vë kontrollin, pasi koronavirusi kaloi nga kafshët te njeriu, në muajin nëntor (jo dhjetor).
Bildt u pyet gjithashtu edhe për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kritikoi hapur Bashkimin Evropian kur ai tha në një fjalim televiziv më 15 mars se "solidariteti evropian" ishte thjesht "një përrallë", duke shtuar se vetëm Kina "mund të na ndihmojë në këtë situatë të vështirë. "
Bildt tha se ai e pa Serbinë "të luante fuqishëm me kartën e Kinës ".
Por, ai shtroi pyetjen: Cila është strategjia politike pas kësaj?
“Unë nuk e kuptoj atë. Unë mendoj se është kundërproduktive nga këndvështrimi serb", tha diplomati suedez.
Disa ditë më vonë, derisa Pekini po bënte përpjekje të hapura për të lënë nën hije kritikat për veprimet e vendit në fillim të krizës me koronavirusin, Vuçiq mirëpriti në aeroport një delegacion kinez bashkë me pajisje mjekësore.
Gjatë intervistës Bildt përmendi dhjetëra miliona euro në ndihmë të menjëhershme të ndarë nga BE-ja për të ndihmuar sektorin e shëndetësisë në Serbi për të luftuar kundër pandemisë, e cila deri më 2 prill kishte vrarë 31 nga 1.171 persona të konfirmuar si të infektuar me koronavirus.
"Këto janë fonde mbështetëse shumë domethënëse, shumë më tepër sesa dy gjëra më simbolike që kanë mbërritur nga vendet e tjera", tha Bildt.
"Nëse shpërblimi për këtë është deklarata e presidentit (Aleksandar Vuçiq) ku ai falënderon të gjithë të tjerët, por ankohet në Evropën, atëherë unë mendoj se do të ulet motivi afatgjatë i Evropës të ofrojë mbështetje", tha Bildt.
Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe përbërja e re e Komisionit Evropian, e udhëhequr nga presidentja, Ursula von der Leyen, ka sinjalizuar se ka një vullnet të ri për zgjerim, gjë që ishte zbehur nën udhëheqjen e paraardhësit të e saj, Jean-Claude Juncker, pasi kishte mosmarrëveshje për emigracionin, përparësitë e buxhetit dhe Brexit (dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja).
SHIKONI EDHE: Komisionari për Ekonomi i BE-së: Projekti evropian, në rrezikKomisionari për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, tha pas një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në muajin shkurt, se ai do të dëshironte që deri në vitin 2024 "të kishte të paktën një vend" nga Ballkani Perëndimor që do të jetë gati për anëtarësimin në BE.
Dhe, Ballkani Perëndimor mori një shtysë javën e kaluar kur Këshilli Evropian vendosi të fillojë bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke sinjalizuar një rikthim në aspektin e zgjerimit, pasi të kalojnë stuhitë aktuale politike.
Të mbash mëri?
Marrëdhëniet e Beogradit me Perëndimin kanë qenë të ndërlikuara, duke filluar nga një mosmarrëveshje e vazhdueshme për pavarësinë e Kosovës, pastaj blerjen e armatimit rus dhe aspektet e tjera të marrëdhënieve të Beogradit me Rusinë, si dhe një perceptim për një kahe jo të mirë sa i përket lirisë së mediave dhe demokracisë.
SHIKONI EDHE: Ambasada amerikane i kërkon Serbisë të heqë dorë nga armatimi rus"Vura re faktin se (Qeveria serbe) e shfaqi si sukses të madh ndihmën mjaft të kufizuar kineze", tha Bildt.
"Presidenti Vuçiq ishte në aeroport dhe unë shoh që ata kanë vendosur postera në Beograd duke thënë: ‘Faleminderit për Kinën’, ndërsa unë nuk kam parë ndonjë ‘Faleminderit’ për ndihmën shumë më thelbësore nga Bashkimi Evropian. Dhe kjo, mendoj, është vërejtur në të gjithë në BE ", shtoi Bildt.
Bashkimi Evropian ka ndarë të paktën 93 milionë euro në mbështetje të kujdesit shëndetësor dhe rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike në Serbi.
SHIKONI EDHE: Von der Leyen: Politikanët e nënvlerësuan koronavirusinBE-ja gjithashtu ka ndarë qindra milionë euro më shumë për pesë vendet tjera të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor : Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut.
Megjithatë, Qeveria e Serbisë lavdëroi publikisht Pekinin, përfshirë vendosjen e posterëve të përmendur më lart.
Bildt i quajti veprimet e zyrtarëve të Beogradit "një reagim shumë të ndryshëm", duke shtuar se ai nuk arriti "të shohë mençurinë politike të këtij veprimi".
Kina ka ofruar hua dhe investime në Ballkan në përpjekje për të rritur ndikimin e saj. Pjesa më e madhe investimeve është bërë në Serbi, si udhëheqëse rajonale ekonomike.
SHIKONI EDHE: Pompeo paralajmëron vendet e Ballkanit nga ndikimi kinezMirëpo, vlera e ndihmën kineze për pandeminë në Serbi është e panjohur, por duket se ka qenë e kufizuar në materialin mjekësor kinez duke përfshirë ventilatorë, ilaçe, maska mbrojtëse dhe doreza, si dhe një vizitë nga një ekip gjashtë anëtarësh i këshilltarëve të shëndetit publik.
Bildt kishte shkruar edhe një postim në Twitter, për standardet e dyfishta të zyrtarëve serbë në lidhje me ndihmën e pranuar nga BE-ja dhe atë nga Kina.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e ktheu mesazhin në Twitter, duke akuzuar Bildtin për "përhapjen e lajmeve të rreme për të dërguar mesazhe të fuqishme politike".
Ajo pastaj gjatë një konference për media së bashku me presidentin Vuçiq, përsëritën akuzën e “lajmeve të rreme” ndaj Bildit.
‘Ushtrim propagandistik’
Carl Bildt i tha Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian kishte bërë gabime në përgjigjen ndaj krizës së koronavirusit, por ai shtoi se BE-ja nuk e përhapur sa duhet informatën lidhur me përpjekjen e veta të ndihmës.
"Mendoj se ne kemi parë që, kinezët janë lënduar nga fakti se gjithçka filloi me ta dhe ata (bënë) gabime të rëndësishme në fillim duke u përpjekur të mbulojnë (krizën)", tha Bildt.
"Tani ata janë duke u përpjekur të bëjnë një lloj ushtrimi të vullnetit të mirë me dërgimin e aeroplanëve në vende të ndryshme në mënyrë që në njëfarë mase të caktuar: të bëjnë mirë ", shtoi Bildt për vazhduar se "të gjitha ndihmat duhet të jenë të mirëseardhura, por padyshim që ekziston një element i ... një ushtrimi propagandistik që po ndodh".
SHIKONI EDHE: Si e zuri Evropën somnambul kriza e koronavirusit?Bildt e ndërlidhi këtë me një skenar të ngjashëm në Hungari, ku kryeministri , Viktor Orban, ka dashur marrëdhënie më të ngushta me Moskën dhe Pekinin pavarësisht shqetësimit të gjerë të BE-së për populizmin e tij të nxitur nga nacionalizmi dhe kufizimet që ka vendosur në media dhe ndaj opozitës.
"Janë ditët e para - por unë mendoj se ka një tendencë drejt një modeli politik këtu", tha Bildt.
"Hungaria ka qenë shumë mbështetëse e Kinës në çdo aspekt - ne kemi parë sesi hungarezët bllokojnë deklaratat brenda Bashkimit Evropian që kanë qenë kritike ndaj Kinës, lidhur me të dhënat për të drejtat e njeriut dhe gjëra të tilla. Kështu që Hungaria ka vepruar si një aleat i ngushtë i Kinës brenda Bashkimit Evropian. Dhe mund të jetë që ky është një lloj shpërblimi", tha Bildt.
Bildt ishte i dërguari special i BE-së për ish-Jugosllavinë dhe bashkëkryesues i Konferencës së Paqes në Dejton më 1995. Ai gjithashtu shërbeu si përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar për Bosnje-Hercegovinën më 1995-97 dhe si i dërguari special i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Ballkanin në vitet 1999-2001.
Ai ishte kryeministër suedez në vitet 1991-94 dhe ministër i Jashtëm në vitet 2006-14.