Ndërlidhjet

Si e zuri Evropën somnambul kriza e koronavirusit?


Romë, Itali. Mars, 2020.
Romë, Itali. Mars, 2020.

*Raport nga agjencia Reuters

Pothuajse një muaj para se Evropa të përfshihej në “luftën” për maska, ventilatorë dhe në pajisje testimi për të luftuar koronavirusin, qeveritë e vendeve anëtare i thanë Brukselit se sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor ishin në gjendje gatishmërie dhe nuk kishte nevojë për porositjen e më shumë pajisjeve në stoqet e tyre, thuhet në disa dokumente të Bashkimit Evropian.

Por, ky kalkulim optimist ishte në kundërshtim të plotë me situatën e mungesës së pajisjeve mjekësore dhe maskave që ndodhi vetëm disa javë më vonë, kur Komisioni Evropian vlerësoi që nevojat në të gjitha shtetet e BE-së ishin dhjetë herë më të larta sesa ato që janë zakonisht në dispozicion.

Disa dokumente të brendshme dhe disa tjera publike të cilat i ka parë agjencia Reuters, tregojnë se qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mund të kenë përkeqësuar situatën e tyre duke mbivlerësuar aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur krizës.

"Gjërat janë nën kontroll", tha një zyrtar i Komisionit Evropian në një takim me dyer të mbyllura me diplomatët e vendeve anëtare më 5 shkurt. Kjo ndodhi dy javë pasi Kina izoloi rreth 60 milionë njerëz në provincën Hubei, shifër kjo e përafërt me numrin e popullsisë së Italisë.

"Te vendet anëtare ekziston një nivel i fuqishëm i gatishmërisë dhe shumica tashmë i kanë ndërmarrë masat për të zbuluar dhe trajtuar COVID-19”, tha zyrtari, duke transmetuar deklaratat nga të dërguarit e vendeve anëtare në takim.

Kjo deklaratë u bë vetëm dy javë para se të shënohen viktimat e para të koronavirusit në Itali. Deri më tani në këtë vend anëtarë të BE-së janë shënuar 12,428 viktima nga COVID-19, pothuajse katër herë më shumë nga numri i vdekjeve në Kinë, ku sëmundja u shfaq për herë të parë.

Agjencia Reuters e ka pyetur një zëdhënës të Komisionit Evropian, nëse këto dokumente dëshmojnë se përgjigja evropiane ndaj krizës kishte qenë shumë e ngadaltë.

Mirëpo ai tha se “që nga muaji janar, Komisioni ofroi mundësinë e mbështetjes për shtetet anëtare”.

Qeveritë e vendeve anëtare filluan ta kuptojnë rëndësinë e situatës në muajin mars, dhe në vend që të përqendrohen në veprime të përbashkëta, shumë prej tyre u koncentruan në vendosjen e masave proteksioniste, duke ngritur barriera tregtare për të penguar eksportin e pajisjeve mjekësore për fqinjët e tyre.

Italia ende posedon vetëm një pjesë të 90 milionë maskave të fytyrës, të cilat iu duhen në baza mujore punëtorëve të saj mjekësorë. Javën e kaluar, Franca porositi mbi 1 miliard maska dhe prodhuesit po përshtatin linjat e prodhimit për të bërë ventilatorë.

“Kapacitetet ekzistojnë”

Analiza me tone optimiste e paraqitur nga zyrtari i Komisionit Evropian më 5 shkurt, buronte nga një seri takimesh me ekspertë shëndetësorë nga vendet anëtare të BE-së.

Në një takim të 31 janarit, përfaqësuesit e ministrive të Shëndetësisë nga vendet anëtare i thanë organit ekzekutiv të BE-së se vendet e tyre nuk kishin nevojë për ndihmë në blerjen e pajisjeve mjekësore.

*Video: Prodhimi i maskave me printer 3D

Profesori prodhon maska me printer 3D në luftën kundër koronavirusit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Në dokument thuhej se “ende asnjë vend nuk ka kërkuar ndihmë për të marrë kundërmasa shtesë ndaj krizës së koronavirusit”.

Mirëpo në dokument potencohej se vetëm katër shtete anëtare të BE-së paralajmëruan gjatë takimit se mund të kenë nevojë për pajisje shtesë nëse situata përkeqësohet në Evropë.

Se cilat janë këto vende, nuk u bë e ditur.

Më 28 shkurt, një muaj pas ofertës së parë për ndihmë drejtuar vendeve anëtare dhe pasi gjatë dy takimeve të ardhshme vendet u urdhëruan të sqarojnë nevojat e tyre, Komisioni Evropian filloi një program të përbashkët të prokurimit për maska të fytyrës dhe mjeteve të tjera mbrojtëse.

Por, tenderi që u hap në emër të 25 shteteve anëtare të BE-së, fillimisht nuk kishte oferta, thuhet në një dokument të brendshëm të parë nga agjencia Reuters.

Vendet anëtare të BE-së tani po vlerësojnë ofertat e bëra pas një tenderi të dytë, por ende nuk janë nënshkruar kontrata dhe Komisioni Evropian vlerëson se dërgesat e para janë akoma disa javë larg.

*Video: Shkencëtarët punojnë në gjetjen e ilaçit për COVID-19

A është afër ilaçi për koronavirus?
A është afër ilaçi për koronavirus?

Sipas dokumenteve që citon agjencia Reuters, qeveritë e vendeve anëtare të BE-së e kishin siguruar Brukselin se punëtorët e tyre mjekësorë ishin informuar mirë se si të trajtojnë pacientët me COVID-19, megjithëse Italia që nga 24 shkurti, kërkonte nga personeli mjekësor që vetëm të mbante maska kur trajton rastet e dyshuara me COVID-19.

Sipas të dhënave zyrtare, gati 10,000 punonjës shëndetësorë italianë janë infektuar me koronavirusin e ri, ose më shumë se 9 për qind e numrit të përgjithshëm të rasteve në Itali.

Në një takim të BE-së më 4 shkurt, ekspertët e shëndetit të vendeve anëtare thanë: "Kapacitetet diagnostikuese ekzistojnë dhe disa vende kanë filluar testimet".

Shtetet anëtare të BE-së tani po përballen me një mungesë të madhe të testeve. Ato shpallen një skemë të përbashkët për blerjen e tyre më 18 mars.

*Expose: Informacioni për COVID-19 mposht panikun

Informacioni për koronavirusin mposht panikun
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:08:41 0:00

Sipas procesverbalit të takimit, nevoja për të siguruar bashkërisht ventilatorët, u ngrit për herë të parë në një takim të ekspertëve të shëndetit të BE-së më 13 mars.

Këto pajisje janë shumë të rëndësishme për pacientët me probleme të rënda të frymëmarrjes.

Në mesin e muajit shkurt, Agjencia për Kontrollin e sëmundjeve, vlerësoi se rreziqet që sistemet e kujdesit shëndetësor të vendeve anëtare mund të tejkalojnë kapacitetin e tyre janë në nivel “të ulët deri në të mesëm”.

Por, një muaj më vonë Agjencia e përditësoi vlerësimin e saj, duke thënë se asnjë vend nuk do të kishte shtretër të mjaftueshëm të kujdesit intensiv deri në mes të muajit prill.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG