Qasja e Beogradit zyrtar ndaj serbëve që jetojnë në komunat veriore të Kosovës dhe ndaj atyre që jetojnë në komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, në pamje të parë duket e njëjtë dhe nuk hetohen dallimet, thotë Svetisllav Vasiq, pensionist nga Graçanica, në afërsi të Prishtinës.
Por, sipas tij, serbët që jetojnë në veri të Kosovës, e në Komunën e Mitrovicës së Veriut, gëzojnë më shumë privilegje.
“E para, ata kanë liri, kanë punë, i kanë të gjitha. Ka privilegje. Atje mund të shkosh të blesh çfarë të duash. Mund të punësohesh, mund të gjesh punë atje. Vajza e djalit tim ka përfunduar fakultetin, por këtu nuk ka mundur të gjejë punë. Shkoi atje në [Mitrovicë të Veriut] dhe menjëherë gjeti punë”, thotë Vasiq.
SHIKONI EDHE: Strukturat paralele vazhdojnë t'i marrin milionat nga SerbiaJovan Millosheviq, qytetar nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se qasja e Beogradit zyrtar ndaj serbëve që jetojnë në anën veriore të lumit Ibër, nuk është e njëjtë sikurse ndaj atyre që jetojnë në komunat në anën jugore.
“Mendoj se raporti i Serbisë ndaj serbëve në jug dhe në veri të lumit Ibër ndryshon, në domenin që po bëhen përpjekje që në veri të Ibrit të ndihmohet më shumë dhe që në veri të vendoset një autonomi e vogël, gjë që, siç mendoj unë, është e pamundur të bëhet në jug në të ardhmen”, thotë Millosheviq.
Qeveria e Serbisë ndan çdo vit mjete për Kosovën. Nga buxheti i saj për vitin 2022 ka ndarë 96.1 milionë euro.
Nga kjo shumë, pjesën më të madhe e merr Zyra për Kosovën e kësaj qeverie: 68.3 milionë euro.
Serbët “e margjinalizuar” në jug të lumit Ibër
Lidhur me qëndrimin e Beogradit zyrtar ndaj serbëve në jug dhe në veri të lumit Ibër, të premten u zhvillua një debat në Qendrën Mediale në Çagllavicë.
Pjesë e panelit të debatit ishin kryesisht përfaqësuesit e partive të serbëve të Kosovës, të cilat aktualisht nuk janë pjesë e pushtetit në Kosovë.
Nga Lista Serbe, e cila është partia dominuese e serbëve të Kosovës, nuk i ishte përgjigjur askush ftesës së Qendrës Mediale në Çagllavicë për të marrë pjesë në debat.
Aleksandar Jabllanoviq nga Leposaviqi, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili udhëheq Partinë e Serbëve të Kosovës, duke iu referuar kësaj teme, tha se sa i përket aspektit politik, të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, janë të margjinalizuar.
“Por, mendoj se serbët që jetojnë në jug të Kosovës janë shumë më të margjinalizuar se serbët që jetojnë në veri - para së gjithash në kuptimin ekonomik. Të margjinalizuar politikisht janë të gjithë, pra edhe në veri. Sa u përket serbëve në jug të Kosovës, Beogradi i sheh ata si një pjesë të popullit tonë të paorganizuar mjaftueshëm, i ndarë edhe në aspektin territorial. Por, në anën tjetër, as unë nuk kam hetuar ndonjë energji të popullit tonë, para së gjithash në anën jugore të Ibrit, për t'i përfshirë në mënyrë më aktive, për të vendosur për fatin e vet dhe jo të tjerët. Ndonëse, as në veri nuk është më mirë”, tha Jabllanoviq.
“Paratë shkojnë për milionerët”
Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe” nga Mitrovica e Veriut, theksoi se qytetarët e zakonshëm serbë në veri të Kosovës, megjithatë, nuk e marrin pjesën e madhe të mjeteve që ndan Serbia për Kosovën. Sipas tij, ato para shkojnë te milionerët.
“Nga buxheti i Serbisë, për çdo vit, zyrtarisht ndahen nga 750 deri në 800 milionë euro për Kosovën. Ne ato para nuk i kemi parë, sepse [në të kundërtën], vetëm për 10 vjetët e kaluar, secili prej nesh [qytetarëve], përveç projekteve infrastrukturore dhe gjithë asaj që bëhet, do të duhej t’i kishim nga 100 mijë euro në xhep”, tha Arsenijeviq, duke shtuar se kjo nuk ka ndodhur.
SHIKONI EDHE:
Verifikimet për serbët e “papërshtatshëm” të KosovësKufiri vështirë i kalueshëm për disa serbë të KosovësInvestimet e caktuara, sipas tij, sidomos mjetet bujqësore, u jepen njerëzve të caktuar nga udhëheqësit lokalë, me kushtin që qytetarët të nënshkruajnë se i kanë pranuar mjetet e tilla, por të cilave u vendosen çmime përtej vlerës së tyre.
“Presioni” ndaj serbëve në FSK
Se Beogradi zyrtar dhe politikanët lokalë serbë në Kosovë, që kanë mbështetjen e autoriteteve serbe, i trajtojnë ndryshe serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër nga ata që jetojnë në veri të vendit, sipas Nenad Rashiqit, kryetar i Partisë Përparimtare Demokratike, është shpërfaqur edhe përmes presionit ndaj pjesëtarëve serbë në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
SHIKONI EDHE: Sulmet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së, me prapavijë politike“Kanë qene rreth 50 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kishin punuar për disa vite me radhë. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Anamorava dhe punonin aty për kafshatën e bukës. Të gjithë ata kanë qenë nën presion të pabesueshëm".
"Ndërkaq, 45 [serbë] të fundit që janë punësuar aty, pikërisht nga veriu - diku në vitin 2018 dhe 2019 - ata janë pjesë e sistemit të tyre. Për ta nuk kishte problem, sepse ata kishin ardhur aty me rekomandim të qendrave të pushtetit”, tha Rashiq.
Të gjithë panelistët u pajtuan se pjesa më e madhe e politikanëve lokalë serbë me pushtet, që i takojnë Listës Serbe, aktualisht janë të përqendruar në pjesën veriore të Kosovës, ku, sipas tyre, mund të veprojnë në mënyrë më të papenguar.
Serbët e veriut, “instrument” i Beogradit
Por, pse situatat e këtilla më shumë ndodhin në veri sesa në jug të Kosovës?
Jabllanoviq vlerësoi se kjo ndodh për shkak se në veri të Kosovës është vendosur një formë specifike e të jetuarit, që është më e pavarur nga ngjarjet që ndodhin në anën jugore të lumit Ibër.
“Në [në veri] ende kemi disa instrumente që na mundësojnë të jetojmë sipas disa dëshirave dhe lirive tona, ashtu siç ne i shohim dhe i përjetojmë. Fakti që ne nuk i shfrytëzojmë të gjitha ato elemente që i kemi në dispozicion, kjo shpesh ndodh për shkak se na bind Qeveria e Serbisë, sepse ajo na shfrytëzon politikisht, për disa qëllime të tjera që nuk kanë lidhje me serbët në Kosovë dhe me Kosovën”, tha Jabllanoviq.
SHIKONI EDHE: Privilegjet e Serbisë për veriun e Kosovës
Ai shtoi se Serbia, jo rrallë kur ballafaqohet me disa tema të vështira në bisedimet që ka me Bashkimin Evropian për integrime, ngrit tensione në veri të Kosovës, në mënyrë që pala evropiane t’i bëjë lëshime.
Rashiq vlerësoi se Beogradi zyrtar më lehtë i manipulon serbët në veri të Kosovës, për shkak se, siç tha ai, territori i atjeshëm është kompakt. Në këtë kontekst, sipas tij, Beogradi i shfrytëzon serbët e veriut të Kosovës për të treguar “një lloj fuqie për të bllokuar proceset e caktuara”.
“Dëshirojnë [autoritetet e Beogradit] të tregojnë se kanë mënyra se si ta kontestojnë sovranitetin e Kosovës në të gjithë territorin e saj. Ata e dinë që kjo mund të nxisë reagimin e ashpër të palës tjetër. Kështu që ata e shfrytëzojnë këtë më shumë lidhur me marrëveshjet, sesa që dëshirojnë ta shfrytëzojnë për ndonjë përfitim të qytetarëve të atjeshëm”, tha Rashiq.
Arsenijeviq tha se e sheh këtë qasje të Beogradit zyrtar si mënyrë për t’i kontrolluar qytetarët serbë të veriut të Kosovës.
“Për vite të tëra është folur se do të ketë ndarje [të Kosovës]. Në vetëdijen e qytetarëve tashmë ekziston mendimi se do të ndodhë ndarja dhe ne në veri të Kosovës tashmë s’kemi pse të brengosemi, sepse faktikisht jemi Serbi”, tha Arsenijeviq, duke shtuar se ky është vetëm mashtrim i qytetarëve serbë dhe mënyrë për të siguruar dëgjueshmërinë e asaj pjese të qytetarëve serbë në veri të Kosovës që kanë orientim të djathtë.
Panelistët adresuan kritika edhe ndaj Qeverisë aktuale të Kosovës, e cila, sipas tyre, shmang zgjidhjen e problemeve të qytetarëve serbë në përgjithësi në Kosovë, duke lënë hapësirë që qytetarët serbë të marrin pozicion kundërshtues ndaj vetë kësaj qeverie dhe institucioneve të Kosovës, në përgjithësi.