Ndërlidhjet

Dara e Vuçiqit shtrëngon komunitetin serb në Kosovë


Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Është e qartë se Lista Serbe, e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi zyrtar, zbaton politikat e saj hapur, duke reflektuar kështu edhe mënyrën e të menduarit të politikës zyrtare të Serbisë ndaj vetë serbëve të Kosovës dhe zhvillimeve politike në këtë vend, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës, Nenad Rashiq, Rada Trajkoviq dhe Aleksandar Jabllanoviq.

Të tre këta janë përfaqësues të subjekteve politike serbe, të cilat janë kundërshtare të Listës Serbe.

Sipas tyre, kritikat që ekzistojnë në opinionin serb, se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, udhëheq në vendin e tij me politika autoritare, janë të sakta.

Por, në anën tjetër, siç vlerësojnë ata, Lista Serbe është vetëm reflektim dhe shëmbëlltyrë e asaj politike, të cilën e zbaton edhe në Kosovë ndaj bashkësisë serbe, përmes mënyrave autoritare, e madje në formë të stërkequr.

Rashiq: Metodat mizore të autoritarizmit të Listës Serbe

Politikani serb nga Graçanica, Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë Përparimtare Demokratike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Lista Serbe zbaton hapur politikat e Beogradit zyrtar dhe këtë madje e pranon vetë.

Ai thotë se ka qenë dëshmitar në një mbledhje të këtij subjekti politik, në të cilën, siç thotë, nuk ka pasur debat dhe as bashkëbisedim, por thjesht janë marrë urdhrat që kanë ardhur nga Beogradi dhe ato pastaj fillojnë të zbatohen.

“Kjo do të thotë se, jo vetëm se mendoj që ata punojnë në mënyrë autoritare sikurse që punohet në Serbi, por unë e di që punojnë ashtu. Madje, mund të them se metodat që përdoren këtu janë edhe më mizore dhe më të këqija sesa që janë ne Serbi. Kjo bëhet për shkak të shumë institucioneve".

"Po ju jap një shembull: në Graçanicë janë të vendosura katër komuna (paralele). Këto janë: Komuna e Prishtinës, Lipjanit, Fushë Kosovës dhe Gllogocit. Ato janë bartur këtu me të gjitha kapacitetet financiare që mund t’i ketë një komunë. Për shembull, Komuna e Prishtinës ka 1,200 punëtorë që paguhen me këtë buxhet. Këta punëtorë janë gjithmonë të shantazhuar dhe u duhet të bëjnë atë që u thuhet, në të kundërtën secili prej tyre e humb punën”, thotë Rashiq.

Trajkoviq: Modalitetet e presionit mafioz ndaj serbëve

Për më shumë, siç thotë ai, tashmë ka institucione të dyfishta, pra ato të Kosovës dhe të Serbisë, në të cilat serbët që punojnë, janë në shërbim të atyre njerëzve që vijnë nga regjimi autoritar i presidentit serb, Vuçiq.

Gjithashtu, sipas Rashiqit, ata i kushtëzojnë të gjitha ato kategori që marrin benificionet dhe ndihmat sociale nga kanalet e ndërlidhura me regjimin e Vuçiqit, që të jenë të dëgjueshme.

Siç thotë Rashiq, në rast se edhe shantazhi nuk ka sukses, atëherë fillojnë ngacmimet e ndryshme, ndalimet në kufi në rastet kur qytetarë serbë të Kosovës hyjnë në Serbi ose kërcënimet me largim nga puna ndaj familjarëve të tyre që jetojnë në Serbi.

Pra, thekson ai, “përdoren të gjithë mekanizmat deri në maksimum, në mënyrë ekstreme dhe radikale, në mënyrë që struktura ekzistuese të mbetet në pushtet”.

Rada Trajkoviq, po ashtu politikane serbe nga Graçanica dhe udhëheqëse e Iniciativës Qytetare “Për Liri, drejtësi dhe mbijetesë”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se Lista Serbe e luan rolin e zbatueses së urdhrave të Vuçiqit.

Por, sipas saj, Lista Serbe e zbaton politikën e Beogradit zyrtar përmes mafisë, e cila, siç thotë, e ka vendosur të gjithë strukturën e saj në mjediset me shumicë serbe.

“Ata i shfrytëzojnë modalitetet e presionit mafioz ndaj serbëve, në mënyrë që të ruajnë ndikimin, para së gjithash të Vuçiqit në Kosovë dhe, në këtë mënyrë, t’ia imponojnë bashkësisë ndërkombëtare atë si liderin e vetëm relevant".

"Cilëndo listë tjetër të serbëve që shkon në zgjedhjet e Kosovës për të hyrë në Kuvend dhe për të marrë cilëndo pjesë, qoftë më të vogël, të përfaqësimit në Kuvend, Vuçiqi e përjeton si grabitje të ndikimit të tij në hapësirën e Kosovës”, thekson Trajkoviq.

Ajo e cilëson Listën Serbe si një “nëngrup autokrat”, që ka për detyrë të mbështesë pushtetin autokrat në Beograd dhe para bashkësisë ndërkombëtare të tregojë se janë të pazëvendësueshëm.

Sipas Trajkoviqit, autoritetet e Beogradit e paraqesin Listën Serbe në opinionin në Serbi si një subjekt që i unifikon serbët “dhe të gjithë që nuk janë me ta, janë kundër unifikimit të serbëve” dhe janë “tradhtarë”.

“Ky, në esencë, është problemi më i madh, sepse tek ata ‘uniteti’ nuk nënkupton unitetin, por nënkupton njëmendësinë. Pra, që të mendojmë të gjithë ashtu siç mendon Vuçiqi. Mua nuk më intereson, edhe pse ata vazhdimisht flasin për kinse politikën time pro-shqiptare, që gjithsesi nënkuptohet si politikë tradhtare".

"Madje, kanë shkuar deri aty sa të thonë që unë me Albin (Kurtin) po punoj për projektin e Shqipërisë së Madhe, ndonëse me Albinin nuk jam takuar tashmë tre apo katër vjet”, thotë Trajkoviq.

Jabllanoviq: “Tradhtarë” për shkak të qëndrimeve të kundërta

Etiketa e “tradhtarit” i vendoset secilit që nuk mendon njëjtë sikurse Lista Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë politikani serb nga veriu i Kosovës, Alleksandar Jabllanoviq, udhëheqës i Partisë së Serbëve të Kosovës.

Por, kjo qasje, qoftë e Beogradit zyrtar, qoftë e Listës Serbe, sipas tij, është tërësisht e palogjikshme dhe e papranueshme.

“Është budallallëk i i madh ta quash dikë ‘tradhtar’ vetëm sepse nuk ka qëndrime të njëjta politike sikur ju. Ndërkaq, ne nuk dëshirojmë që qëndrimet tona politike të na imponohen. Ne e konsiderojmë Beogradin si qytet miqësor dhe konsiderojmë se nga Beogradi mund të vijnë tone pajtuese dhe të idesë së pranueshme për ne serbët e Kosovës. Por, unë personalisht them se nuk janë edhe aq të mira për ne të gjitha propozimet dhe idetë që na vijnë të servuara nga Beogradi”, thekson Jabllanoviq.

Sipas tij, në mjediset ku jetojnë serbët, për shkak të pushtetit autoritar që ushtron Lista Serbe, liria e serbëve është më e vogël sesa në Serbi, ku Vuçiqi ushtron pushtetin autoritar.

“Lista Serbe nuk e sjell asnjë vendim. Ajo thjesht është zbatuese e politikës së Aleksandar Vuçiqit. Jemi dëshmitarë dhe sidomos serbët në Kosovë e ndjejnë në lëkurën e tyre se ajo politikë, vit pas viti, gjithnjë e më shumë është autoritare".

"Thjesht, dallon politika e Beogradit, për shembull e vitit 2004, kur serbët e Kosovës pyeteshin të paktën për diçka, me situatën e tashme kur serbët nuk pyeten për asgjë”, thekson Jabllanoviq.

Nojkiq: Prishtina duhet t’i afrojë votuesit serbë

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjell Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se një nga shkaqet kryesore që e kanë fuqizuar Listën Serbe dhe ndikimin e Beogradit zyrtar te serbët e Kosovës, është mosinteresimi i autoriteteve të Kosovës për qytetarët e tyre serbë.

Kjo i ka hapur rrugë, sipas tij, Beogradit zyrtar që të krijojë varësi financiare te serbët e Kosovës dhe përmes Listës Serbe ta ushtrojë pushtetin e tij autoritar.

“Natyrisht që sillen ashtu, sepse serbët janë kryesisht të lidhur nga financimet nga Beogradi. Ndërkaq, pasqyrim i kësaj është Lista Serbe, e cila ia bart të gjitha informacionet Beogradit. Kështu që, serbët e kanë kuptuar rëndësinë e Listës Serbe dhe për këtë arsye edhe votojnë për të”, thotë Nojkiq.

Ai shton se në Kosovë është një numër shumë i vogël i serbëve që nuk varen nga financat prej Beogradit. Megjithatë, siç thotë ai, ekzistojnë mënyra dhe mundësi që serbët e Kosovës të binden që përveç Listës Serbe, ekzistojnë edhe opsione tjera politike, të cilat do të ishin në favor të tyre.

Për një gjë të tillë, siç thotë Nojkiq, është përgjegjëse bashkësia ndërkombëtare, por edhe institucionet në Prishtinë. Këto të fundit, sipas tij, shumë vite më parë, kur nuk ka ekzistuar Lista Serbe, kanë qenë në gjendje që politikanëve të ndryshëm serbë t’iu ndihmojnë që të dërgojnë porosi të mira nga institucionet e Kosovës, por edhe të mira sociale dhe materiale.

“Atëherë serbët e tillë kanë marrë numër jo edhe aq të ulët të votave. Prandaj, për këtë problem duhet të mendojë Prishtina dhe ajo të gjejë mënyrën se si t’iu afrohet votuesve serbë dhe serbëve që sigurisht nuk mendojnë ashtu siç mendon Lista Serbe”, thotë Nojkiq.

Lista Serbe, në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, besohet se ka marrë të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Ngjashëm ka ndodhur edhe në disa palë zgjedhje paraprake, në tetë vjetët e fundit, kur Lista Serbe ka marrë të paktën shumicën e ulëseve të garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG