Kuvendi miratoi buxhetin për vitin 2019

Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ka votuar Ligjin për buxhetin e vitit 2019. Gjatë seancës së sotme plenare, deputetët votuan po ashtu Ligjin për pagat në sektorin publik.

Për Ligjin për buxhetin kanë votuar 65 deputetë. Buxheti për vitin 2019 është paraparë të jetë në vlerë prej 2,3 miliardë euro.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë votuar për buxhetin për vitin 2019.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ky është buxheti më i madh "dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës".

Para nisjes së seancës plenare, Haradinaj njoftoi se ka shkarkuar nga detyra ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Vendimi për largimin nga detyra ka ardhur pas kërkesë së partisë opozitar, Partisë Socialdemokrate, që ka kushtëzuar votën për miratimin e buxhetit me shkarkimin e ministrit Rikalo që vjen nga radhët e partisë, Lista Serbe.

SHIKONI EDHE: Rikalo shkarkohet nga posti i ministrit të Bujqësisë

Lista Serbe kohë më parë ka thënë se nuk është më pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe se në Kuvend do të jetë pjesë e opozitës. Megjithatë, ministrat e kësaj partie që përfaqëson komunitetin serb, kanë vazhduar punën e tyre në dorëheqje.

Ndërkaq, më herët gjatë ditës, me 63 vota për dhe një abstenim, u miratua Ligji për pagat në sektorin publik.

Kryetari i Komisionit për administratë publike, qeverisje lokale dhe media, Nait Hasani, gjatë paraqitjes së rekomandimeve të këtij komisioni, lidhur me Ligjin për pagat, tha se ky ligj ofron nivelizim të pagave në sektorin publik.

“Mendoj e se me këtë projektligji dhe listën që është e bashkëngjitur, ne ja kemi arritur qëllimit që të paktën t'i nevilizojmë, t'i japim meritat secilit ku e ka dhe t'i japim atyre që duhet dhe të vlerësojmë edhe institucionet e shtetit për mbrojtje e siguri. Të gjitha institucionet e kanë vendin e merituar për punën që e bëjnë, prandaj për punën e njëjtë, paga e njëjtë. Ky ligj i siguron të gjithë atë në formën në të cilën janë miratuar amendamentet nga komisioni. Çdo ndryshimi i amendamenteve ose çdo votim kundër e çrregullon ketë sistem dhe parë do ta kemi një gjendje me të keqe se sa që e kemi pasur deri tash", tha Hasani.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se me miratimin e Ligjit për pagat, do të përfitojnë 70 për qind e punonjësve të sektorit publik, që sipas tij, “po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre”.

Para miratimit në Kuvend të këtij ligji, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se Projektligji për pagat ofron vetëm rritje për punonjësit në sektorin publik.

"Pagat u janë rritur të gjithë mësimdhënësve, personelit shëndetësor, policëve, ushtarëve, shërbyesve civilë dhe të gjitha kategorive tjera në sektorin publik", shprehet Veseli.