Lufta në Ukrainë ul parashikimet për rritje ekonomike në Ballkan 

Logoja e Bankës Botërore - Fotografi ilustruese.

Parashikimet për rritjen e bruto prodhimit të brendshëm në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë vitit 2022, janë ulur nga 4.1 për qind në 3.1 për qind, thuhet në raportin e rregullt gjashtëmujor të Bankës Botërore për rajonin.

Ekonomitë e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, pavarësisht rimëkëmbjes së konsiderueshme nga pandemia e koronavirusit, tani po përballen me një sfidë të re, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, thuhet në raport.

“Lufta në Ukrainë ka tronditur gjithë rajonin, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Ky konflikt ka ndërprerë flukset e investimeve dhe të tregtisë së jashtme, si dhe ka vënë në pikëpyetje rimëkëmbjen”, thekson raporti.

SHIKONI EDHE: Kur “shporta e bukës” është në luftë

Sipas tij, inflacioni do të vazhdojë të rritet, për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe të energjisë, ndërsa rënia e eksporteve, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimeve dhe reduktimi i të ardhurave nga turizmi, pritet të ngadalësojnë rritjen ekonomike.

“Prodhimi total i ka tejkaluar nivelet e para-pandemisë, por masat për luftimin e pandemisë kanë rezultuar me borxh më të lartë publik, duke lënë shenja të përhershme në të gjashtë ekonomitë”, thekson raporti.

“Rritja e bruto prodhimit të brendshëm në Ballkanin Perëndimor ka arritur në 7.4% në vitin 2021, pas një rënieje prej 3.2% në vitin 2020. Bruto prodhimi i brendshëm duhet t’i tejkalojë nivelet para pandemisë në vitin 2022”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Rritja në vitin 2021, thekson raporti, ka rezultuar me 227,300 vende të reja pune në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Bankës Botërore, deficiti mesatar është ulur për 4 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, krahasuar me vitin 2020, ndërsa borxhi publik ka rënë në 56.5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në vitin 2021.

SHIKONI EDHE: OKB: Çmimet e ushqimeve, në nivelin më të lartë në 10 vjet

Inflacioni është në rritje, sepse rritja globale e çmimeve nga mesi i vitit 2020 ka ushtruar presion edhe mbi çmimet e mallrave dhe të dërgesave të tyre. Ky inflacion “i importuar” është ndier në të gjithë Ballkanin Perëndimor, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Çmimet e produkteve në Kosovë, sikurse në vende të tjera të botës, kanë nisur të rriten qysh vitin e kaluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rritja ka vazhduar edhe pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në muajin shkurt, pasi të dyja këto vende janë ndër eksportueset më të mëdha të grurit dhe produkteve të tjera.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në muajin mars në Kosovë është rritur për 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.

SHIKONI EDHE: Inflacioni në rritje, ekonomia në rënie

Sipas ASK-së, ngritja më e madhe e çmimeve është vërejtur te faturat e energjisë elektrike: 13 për qind. Vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë pasur rritje prej 11.3 për qind, pijet alkoolike për 5.9 për qind, ndërsa veshjet për 4.9 për qind.

Kosova importon pothuajse të gjitha llojet e produkteve nga shtetet e rajonit dhe Evropës.

Sipas të dhënave të ASK-së, importi i mallrave në janar të këtij viti ka kapur vlerën e 338.1 milionë eurove, ndërsa eksporti ka qenë në vlerë prej 64.2 milionë eurosh.

Përgatiti: Valona Tela