Putini rrit numrin e ushtarëve në Ukrainë. Vërtet?

Ushtarët rusë. 11 korrik 2022.

Gjashtë muaj luftë dhe Rusia ka nevojë për ushtarë.

Të dhënat për ushtarët rusë të vrarë që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt variojnë. Zyrtarët amerikanë thonë se numri i ushtarëve të vrarë dhe të plagosur është midis 70.000 deri në 80.000, shifra këto që janë mbështetur edhe nga vlerësimet e inteligjencës britanike dhe të shteteve të tjera perëndimore.

Për muaj të tërë, komandantët rusë dhe rekrutët kanë kryer një fushatë të heshtur, por gjithëpërfshirëse, për të gjetur më shumë burra që do të mbushin radhët.

Në edicionet informative të mediave shtetërore janë shfaqur numra telefoni ku vullnetarët mund të telefonojnë për t’u informuar lidhur me bashkimin në atë që Kremlini e quan “operacion të posaçëm ushtarak”. Ligjvënësit kanë hequr kufizimin e moshës për shërbimin ushtarak të burrave që hyjnë me kontratë në shërbim. Ndërkaq, ueb-faqet ku bëhen shpallje për vende pune janë të mbushura me vende të lira “për ushtarë me kontratë” me paga të larta dhe përfitime të shumta.

SHIKONI EDHE: Rusia përdor shkollat për propagandë në mbështetje të luftës

Zyrtarët raportohen se duan të krijojnë “batalione vullnetarësh” në çdonjërën prej 80 e më shumë rajoneve të Rusisë. Sipas raportimeve, kompanitë private të mercenarëve po u ofrojnë të dënuarve ulje të dënimit në këmbim të pjesëmarrjes në luftë. Rekrutët, të cilëve u ndalohet të marrin pjesë në luftime, po detyrohen që të nënshkruajnë kontrata për zgjatjen e shërbimit.

Një gjë që kanë refuzuar të bëjnë Kremlini dhe Ministria e Mbrojtjes është që të shpallin mobilizim të përgjithshëm, një lëvizje që mund të shkatërrojë pranimin e heshtur të luftës nga shoqëria ruse dhe qëllimet e shprehura nga Kremlini sa i përket pushtimit.

Megjithatë, më 25 gusht presidenti rus, Vladimir Putin, ndërmori një hap të vogël – por të rëndësishëm – për t'i tërhequr rusët më thellë në luftë.

Në një dekret të publikuar në ueb-faqen e Kremlinit, Putin urdhëroi një rritje të rëndësishme të numrit të ushtarëve aktivë: një rritje prej 13 për qind apo 137.000 trupash nga gjithsej 1.15 milion.

Urdhri, që hyn në fuqi më 1 janar, sjell ndryshimin e parë të madh në pesë vjet sa i përket madhësisë së ushtrisë ruse. Ky urdhër nuk është shoqëruar me asnjë shpjegim shtesë. As Kremlini, Putini apo Ministria e Mbrojtjes nuk kanë folur publikisht për këtë urdhër.

“Shqetësimi kryesor i Kremlinit në luftën në Ukrainë aktualisht është numri i ushtarëve”, tha Oscar Jonsson, hulumtues në Universitetin e Mbrojtjes në Stokholm të Suedisë.

“Kjo duket se është mënyra për të shfrytëzuar këtë rrëmujë me qëllim që të rriten shifrat zyrtare... më shumë ushtarë të përhershëm sesa të përkohshëm, dhe po ashtu është një mënyrë tjetër që të shmanget mobilizimi i përgjithshëm”, tha ai.

Video: "Kuzhinieri i Putinit" raportohet se po rekruton mercenarë nga burgjet

Your browser doesn’t support HTML5

"Kuzhinieri i Putinit" raportohet se po rekruton mercenarë nga burgjet

Rritja e numrit të ushtarëve do të bëjë që numri i personelit ushtarak dhe civil në forcat e armatosura të arrijë në mbi 2 milionë. Por, kjo rritje mund të arrihet vetëm duke shtuar ushtarë të rinj, e jo civilë të rinj.

Viktimat e luftës

Para pushtimit të 24 shkurtit, analistët perëndimorë vlerësuan se madhësia e forcave të armatosura ruse ishte rreth 850.000 deri në 900.000 ushtarë, edhe pse numri zyrtar i prezantuar nga Rusia thotë se ky numër është mbi 1 milion. Analizat e inteligjencës të prezantuara para nisjes së luftës thoshin se Rusia kishte dislokuar afër 170.000 trupa në rajonet pranë kufijve të Ukrainës si përgatitje për pushtim.

Në muajt e parë pas pushtimit, forcat pushtuese ruse dështuan në mënyrë spektakolare në disa fronte, përfshirë edhe në përpjekjet për të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kiev. Këto përpjekje ruse, që u bënë në ditët e para të pushtimit, u përballën me rezistencën e fuqishme të trupave ukrainase.

SHIKONI EDHE: Mbi 75 mijë ushtarë rusë "të vrarë apo të plagosur në luftë"

Trupat ruse morën kontrollin e qytetit-port të Mariupolit pas një rrethimi brutal që rrafshoi pjesën më të madhe të qytetit.

Kjo detyroi komandantët rusë që të bënin “një pauzë operacionale”, duke zhvendosur ushtarët dhe tërhequr pajisjet nga afërsia e Kievit dhe duke i dërguar në Donbas. Po ashtu, ushtria ruse riorganizoi strukturat komanduese. Këto vendime kanë sjellë përfitime të ngadalta.

Së fundmi, ritmi i luftimeve në Donbas është ngadalësuar, deri në një ngecje të plotë dhe vëmendja është kthyer në jug të Ukrainës, ku ka shenja të një kundërofensive ukrainase që ka në shënjestër trupat ruse në Herson, dhe ndoshta edhe në Zaporizhja.

Ndërkaq, problemet me operacionet tokësore të Rusisë janë vendosur më shumë në fokus, me raportimet se është rritur numri i viktimave, ka më shumë pajisje jofunksionale dhe me raportimet e refuzimit të ushtarëve që të luftojnë. Madje, ka raportime se njësi të tëra po luftojnë me njëri-tjetrin.

SHIKONI EDHE: Pse ushtarët rusë po refuzojnë të luftojnë në Ukrainë?

Ekspertët thanë se dërgesat e shumta të armëve nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet evropiane kanë ndihmuar trupat ukrainase që të shënjestrojnë linjat e furnizimit të ushtrisë ruse dhe qendrat e tyre komanduese.

Përgatitje për një luftë të gjatë

Shifrat e fundit sa i përket numrit të ushtarëve të vrarë, Rusia i publikoi në fund të marsit. Atëbotë, Ministria e Mbrojtjes tha se 1.351 ushtarë ishin vrarë në luftime. Që atëherë nuk ka pasur përditësim të të dhënave.

Ndërkaq Ukraina, që praktikisht ka mobilizuar të gjithë vendin dhe ka ndaluar burrat në moshë për luftë që të largohen nga vendi, po ashtu ka pësuar humbje të mëdha. Javën e kaluar, komandanti i ushtrisë ukrainase tha se pothuajse 9.000 trupa janë vrarë që nga 24 shkurti, shifër që ndoshta mund të jetë më e ulët nga shifra reale e viktimave.

SHIKONI EDHE: Gjenerali ukrainas: Afër 9.000 ushtarë të vrarë në luftën kundër Rusisë

Dekreti i Putinit dhe rritja e numrit të trupave sugjeron se Kremlini po përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë, tha Tor Bukkvol, një ekspert i ushtrisë ruse në Qendrën Hulumtuese norvegjeze të Mbrojtjes.

“Por, a nuk mund të shihet ky dekret po aq sa një përpjekje për t’u siguruar se ai do të ketë trupa të mjaftueshme pa pasur nevojë që të shpallë mobilizim?”, tha Bukkvol për Radion Evropa e Lirë.

“Përshtypja ime deri më tani është se atij me të vërtetë nuk i pëlqen ideja që zyrtarisht t'i detyrojë njerëzit të shkojnë në luftë. Shtyrja e tyre për t’iu bashkuar luftës në mënyra të ndryshme apo duke i tunduar ata me para, po, por detyrimi i gjithë popullsisë nuk është më opsion”.

Infrastruktura trajnuese dhe e rekrutimit të Rusisë ka të ngjarë që nuk është në gjendje të përballojë një mobilizim të përgjithshëm që do të nënkuptonte përpunim, pajisje dhe dislokim të dhjetëra-mijëra ushtarëve, tha Bukkvol.

“Një rritje e qëndrueshme e personelit në njësitë ekzistuese mund të jetë më e lehtë që të menaxhohet”, tha ai.

Numri i trupave që është specifikuar në dekretin për rritje – 137.000 – po ashtu përputhet me madhësinë e dy cikleve të rekrutimeve që ndodhin çdo gjashtë vjet në kohë paqeje, tha Jonsson. Sipas ligjit rus, të gjithë burrave nga mosha 18 deri në 27 vjeç u kërkohet të shërbejnë për një vit në ushtri, dhe po ashtu janë edhe dy periudha rekrutimesh – një në pranverë dhe një në vjeshtë – që zakonisht rekrutohen po kaq ushtarë.

‘Natyrisht i dëshpëruar’

Një tjetër shpjegim se pse Kremlini përpiloi këtë dekret është që të shërbejë si kornizë ligjore për të gjitha përpjekjet e rekrutimeve, tha Nick Reynolds, analist për luftën tokësore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.

“Sipas mendimit tim, thjesht lehtëson përpjekjet e tyre aktuale për të tërhequr më shumë rekrutë që t’i bashkohen shërbimit ushtarak duke iu ofruar mbrojtje ligjore dhe buxhet shtesë për çdo shpenzim”, tha Reynolds.

“Rusia natyrisht se dëshpërmisht po kërkon që të rrisë fuqinë e forcave të saj dhe ka vazhduar të mbështesë rirekrutimin e veteranëve dhe rezervistëve që kanë njëfarë përvoje ushtarake, në mënyrë që të kompensojë humbjet dhe ka shfrytëzuar ata që kanë punuar në qarqet ndërkombëtare të kontraktorëve të sigurisë private”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

Rusia josh ushtarët: Pagë e mirë dhe shpërblim për shkatërrimin e tankeveRekruti i kthyer nga Ukraina përballet me të ardhme të pasigurt në RusiA mund t’i kapërcejë Rusia problemet me ushtarë në Ukrainë? 

Sipas Reynolds, Kremlini ende e sheh shpalljen e një mobilizimi të përgjithshëm si diçka të rrezikshme.

Prandaj, përpjekjet për të mbushur radhët përfshijnë edhe gjëra sikurse rritja e rekrutimeve në rajonet e Luhanskut dhe Donjeckut që gjerësisht kanë qenë nën kontrollin rus që nga viti 2014. Dhe Reynolds theksoi se ka raportime se kompania private më famëkeqe ruse e mercenarëve, Grupi Vagner, po rekruton të dënuarit që gjenden në burgje.

“Këto nisma duket se janë ende metoda të preferuara për të zgjeruar fuqinë e tyre të ushtrisë”, tha ai. “Por po, të pranosh se lufta nuk do të përfundojë së shpejti është gjithashtu një faktor dhe gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku