Ndërlidhjet

Rusia përdor shkollat për propagandë në mbështetje të luftës


Aktivisti Dmitry Tsibirev.
Aktivisti Dmitry Tsibirev.

Më 5 maj, nxënësit e shkollës numër 40 në qytetin Tula, rreth 70 kilometra në jug të Moskës, treguan mbështetjen e tyre për ushtrinë ruse duke krijuar një formacion në formën e shkronjës latine Z, shkronjë kjo që së bashku me shkronjën V, po bëhet simbol i Qeverisë ruse për luftën e saj në Ukrainë.

Videoja e organizimit u postua në mediat lokale të lajmeve dhe llogaritë e shkollës në rrjetet sociale.

Disa ditë më vonë, emri, kontaktet dhe fotografia e drejtoreshës së shkollës, Svetlana Gnidina, u shfaqën në një kanal në Telegram që një aktivist ka krijuar për të mbledhur dhe publikuar informacione për shkollat që, siç thotë ai, i përdorin fëmijët për të "propaganduar luftën".

E njëjta gjë ndodhi me Aleksandra Pasechnikun, drejtoreshë e shkollës numër 18 në periferi të Moskës, Orekhovo-Zuyevo.

Në mesin e muajit prill, ajo postoi në rrjete sociale fotografi të studentëve të saj duke mbajtur një pëlhurë me ngjyrat e flamurit rus që kishte kuptimin: "Për Donbas", "Për të vërtetën" dhe "Për Presidentin".

Kanali në Telegram, “Oni Za Voinu”! (Ata janë për luftë!), është ideja e 36-vjeçarit Dmitry Tsibiryov, një ish-koordinator për politikanin e burgosur të opozitës Aleksei Navalny nga rajoni i Saratovit pranë lumit Vollga.

Tsibiryov u largua nga Rusia në vitin 2021, pak pasi organizatat e lidhura me Navalnyn u ndaluan si "ekstremiste" dhe organet ruse filluan hapjen e çështjeve penale kundër njerëzve që kishin punuar për të.

'Skandaloze'

Detyrimi i fëmijëve për t'u përfshirë në demonstratat e mbështetjes për luftën në Ukrainë, është një "krim moral i egër", tha Tsibiryov për Radion Evropa e Lirë. Për më shumë ai shtoi se ky veprim shkel ligjin rus për arsim, i cili ndalon abuzimin e shkollave për qëllime politike.

"Personalisht, si themelues i këtij projekti, do të doja të paktën të shihja dënime administrative për këta drejtorë - largim nga pozicionet e tyre dhe ndalim për të punuar më tej me fëmijët", tha Tsibiryov.

"Me shumë gjasa, kjo nuk është realiste tani, por ndryshimet mund të vijnë në këtë vend - duke përfshirë disa të papritura. Dhe, kjo bazë e të dhënave do të ishte e dobishme në atë rast."

Aktivisti Dmitry Tsibirev.
Aktivisti Dmitry Tsibirev.

Menjëherë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, filloi pushtimin më 24 shkurt, kur objektivi i dukshëm për të rrëzuar Qeverinë e Ukrainës ose për ta detyruar atë të bënte lëshime të mëdha, nuk u arrit, udhëheqja ruse filloi të punonte në mënyrë aktive për të nxitur manifestimet e mbështetjes publike për luftën.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Administratat lokale dhe degët lokale të partisë në pushtet Rusia e Bashkuar paraljmëruan fushata të ndryshme për aktivitete, fushata shkrimi letrash dhe shfaqje të tjera të patriotizmit dhe besnikërisë politike, shumë prej të cilave i përfshinin punonjësit e sektorit shtetëror dhe nxënësit e shkollave.

Tsibiryov heziton të përdorë fjalën "lustrim" në lidhje me projektin e tij, pasi kjo përfshin kufizime në veprimtarinë publike të njerëzve të lidhur me një regjim të mëparshëm, të diskredituar.

“Unë e kuptoj që këta drejtorë nuk po veprojnë me iniciativën e tyre. Ata nuk janë njerëz të lirë dhe po i zbatojnë urdhrat e qeverive rajonale, të qytetit dhe të Ministrisë së Arsimit", tha ai.

"Unë nuk mendoj se kjo meriton lustrim", shtoi ai.

Ai e përshkruan përdorimin e fëmijëve – të cilët në përgjithësi nuk janë në gjendje të kuptojnë apo të bëjnë zgjedhje të lira për deklarata të tilla politike – si “trafikim” i fëmijëve.

"Kur i përdorin fëmijët në këto aktivitete, nuk është thjesht imorale, por një shkelje fjalë për fjalë e ligjit ekzistues", insistoi ai.

Nxënësit e Putinit

Prindërit e nxënësve të shkollës rrallë informohen për demonstrata të tilla paraprakisht, tha Tsibiryov. Edhe kur një gjë e tillë ndodh, ata shpesh hezitojnë të ankohen, “sepse kanë frikë se mos u shkaktojnë probleme fëmijëve të tyre”.

Tsibiryov dikur dha mësim për një vit në një shkollë shtetërore për fëmijë me shikim të dobët dhe vështirësi në zhvillim dhe ai ndoqi fatin e asaj shkolle pasi u largua.

“Pas rreth pesë vjetësh , ajo shkollë me menaxhim shumë të kënaqshëm që kujdesej për fëmijët, u shndërrua në një fole të këtyre propagandistëve që, madje, janë të gatshëm t'i shfrytëzojnë fëmijët”, tha ai duke theksuar:

"Si të gjithë fëmijët, ata nuk e kuptojnë se çfarë i detyron mësuesja e tyre. Kjo më shqetësoi shumë. Unë nuk kam fëmijë të mi, por e di që ata janë e ardhmja e vendit tonë".

Aktivisti Dmitry Tsibirev.
Aktivisti Dmitry Tsibirev.

Ai shtoi se ushtarët rusë që tani luftojnë në Ukrainë ishin dikur "fëmijë që shkonin në shkollën që ishte nën Putinin", i cili ka qenë president ose kryeministër që nga viti 1999.

"Për vite me radhë ata u rritën në propagandë ushtarake dhe tani këta rekrutë po luftojnë dhe po vdesin në Ukrainë", tha ai.

"Nuk do të doja t'i shihja nxënësit e sotëm të klasës së pestë dhe nxënës të tjerë të shkollës pas disa vitesh duke marshuar për në luftën tjetër për shkak të gjërave që u thanë në shkollë", shton ai.

Sistemi arsimor i Rusisë, argumentoi Tsibiryov, duhet përfundimisht "të reformohet plotësisht, duke filluar nga drejtorët dhe mësuesit e nënshtruar politikisht dhe joparimorë".

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG