Ndërlidhjet

Rekruti i kthyer nga Ukraina përballet me të ardhme të pasigurt në Rusi


Andrei Pozdeyev (në anën e djathtë të fotografisë) dhe katër rektrutë të tjerë, gjatë konferencës për media në Kiev më 14 mars.
Andrei Pozdeyev (në anën e djathtë të fotografisë) dhe katër rektrutë të tjerë, gjatë konferencës për media në Kiev më 14 mars.

Adoleshenti nga një fshat i largët e i varfër në rajonin siberian, Irkutsk, Andrei Pozdeyev, nuk mund ta imagjinonte kurrë se fytyra e tij fëmijërore do të bëhej virale.

Por, për ish-saldatorin, fama në vendlindjen e tij mund t’i shkaktojë probleme në vitet në vijim.

Pozdeyev ishte në mesin e rekrutëve që u kapën nga forcat ukrainase pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi forcat e tij në shkurt që ta pushtonin Ukrainën.

Para mediave ndërkombëtare, Ukraina shfaqi më 14 mars në Kiev Pozdeyevin dhe katër ushtarë të rinj rusë. Kjo ngjarje kishte për qëllim që ta turpëronte Kremlinin, i cili vazhdimisht ka mohuar se rekrutët po marrin pjesë në luftë.

Pozdeyev, të cilit i dridhej zëri kur fliste, tha se nuk kishte ide që po dërgohej në fushëbetejë dhe ishte kritik ndaj Putinit për nisjen e luftës. Familja e tij tha se dukej që ai ishte nën presion gjatë asaj paraqitjeje.

Sipas sondazheve, rusët në përgjithësi e mbështesin luftën dhe disa prej tyre në atë kohë përdorën mediat sociale për të denigruar rekrutët duke i quajtur ata – veç tjerash – frikacakë dhe duke rekomanduar që ata të mos kthehen më në Rusi.

Në fund të muajit të kaluar, Pozdeyev u kthye në fshatin e tij në Siberi pas një këmbimi të të burgosurve. Ai paraprakisht qëndroi për një muaj në rajonin e Moskës ku pushoi dhe mori trajtim mjekësor për të hequr copëzat e predhave nga faqja e tij.

Por, familja e tij mbetet e shqetësuar lidhur me ndikimin afatgjatë të ndonjë traume psikologjike ose fizike që ai mund të ketë përjetuar gjatë luftës, përfshirë edhe gjatë periudhës kohore prej dyjavësh sa ishte në burgim.

“Çfarë personi do të jetë ai kur të kthehet, ne nuk e dimë ende”, tha motra e tij Oskana për Radion Evropa e Lirë, disa javë para 26 qershorit, në datën kur ai u kthye në shtëpi.

“Si do t’i ndikojë e gjithë kjo në psikikën e tij? A do të jetë në gjendje që menjëherë të nisë punën, apo do t’i duhet ende të rikuperohet”, pyeti Oksana, duke kërkuar që të mos i publikohej mbiemri.

Andrei Pozdeyev gjatë konferencës për media në Kiev.
Andrei Pozdeyev gjatë konferencës për media në Kiev.

Familja ende nuk ka pranuar një shpjegim zyrtar se si Pozdeyev përfundoi në fushëbetejë pavarësisht se ishte rekrut.

Oksana tha se Pozdeyevit duhet t’i jepet kompensim nëse ai nuk do të jetë në gjendje të punojë dhe kërkoi që të dënohen të gjithë ata që kanë bërë këtë gabim të rëndë duke e dërguar vëllain e saj në luftë.

“Unë nuk e pranoj këtë”, tha ajo.

Vëllai kundër vëllait

Seriodkina, që ka pak më shumë se 1,000 banorë, gjendet përgjatë Lumit Angara, rreth 300 kilometra në veri të Irkutskut.

Sikurse shumë fshatra të largëta ruse, gjendja në këtë fshat është rënduar që nga rënia e komunizmit më 1991.

Priangarski, një fermë kolektive shtetërore që njëherësh ishte punëdhënësi kryesor, falimentoi në fillim të viteve 2000. Kështu ndodhi edhe me fabrikat e sallamit dhe qumështit, por edhe me një furrë të bukës.

Irina Gutnyk, nëna e Pozdeyevit, tha se ka pak vende pune në fshat. Kjo 49-vjeçare, e cila tashmë është e papunë, tha se më herët punonte si pastruese në një shkollë lokale. Ajo tha se në atë shkollë tani ndoshta ka më shumë punëtorë sesa nxënës.

Babai i Pozdeyevit ka një punë, e cila e detyron atë që të largohet nga fshati për javë të tëra.

Disa shtëpi janë të braktisura dhe pronarët e tyre ose kanë vdekur ose janë larguar nga fshati për një jetë më të mirë.

Shtëpia e Andrei Pozdeyevit në Seriodkina.
Shtëpia e Andrei Pozdeyevit në Seriodkina.

Rekrutët rusë zakonisht vijnë nga këto vende të varfra. Ata kanë më pak lidhje shoqërore dhe më pak pasuri për të fituar përjashtim nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak njëvjeçar, por disa e shohin përfshirjen në ushtri si rekrutë si mundësi për një jetë më të mirë.

Pozdeyev kishte punuar si saldator në Irkutsk pasi kishte lënë shkollën teknike të aviacionit kur u rekrutua në qershor të vitit 2021.

Pasi u trajnua për disa muaj si qitës në BMP-2, që është një mjet luftarak amfib i këmbësorisë, ai u dërgua për të shërbyer pjesën e mbetur të shërbimit në rajonin e Moskës.

Por, teksa Rusia nisi grumbullimin e forcave pranë kufirit me Ukrainën në fund të vitit 2021 mes spekulimeve se pushtimi mund të ndodhte, njësia e Pozdeyevit u dërgua më pranë kufirit.

“Mos u shqetëso, nuk do të na dërgojnë në Ukrainë”, i kishte thënë në shkurt ai nënës së tij.

Disa ditë më vonë, më 24 shkurt, Putin urdhëroi forcat ruse që ta pushtonin Ukrainën.

Pozdeyev tha se ai kishte mësuar se kishte nisur pushtimi vetëm pasi ai kishte kaluar kufirin. Ai pretendon se kishte qenë duke fjetur kur njësia e tij kaloi kufirin për në Ukrainë, një pretendim që është mbështetur edhe nga deklarimet e rekrutëve të tjerë.

Pozdeyev u kap nga forcat ukrainase më 7 mars në afërsi të qytetit Sumi teksa ai po evakuohej për në Rusi.

Gutnyk tha se më 9 mars mësoi se djali i saj është burgosur, kur fshatarët i trokitën në derë dhe i treguan një fotografi të postuar online, ku shfaqej Pozdeyevi i plagosur.

Ukraina nisi postimin e emerave dhe fotografive të ushtarëve të kapur në ditët e para të luftës me shpresën se do të mposhte censurën e Kremlinit dhe të minonte mbështetjen brenda Rusisë për pushtimin. Më vonë, Ukraina organizoi një konferencë për media me pesë rekrutë të kapur.

Gutnyk tha se ajo ishte e tronditur nga lajmet për kapjen e djalit të saj, saqë i ishte dashur edhe trajtim mjekësor.

“Ata u mashtruan dhe u dërguan në luftë. Si mundet që një fëmijë vullnetarisht të shkojë atje? Çfarë mësuan ata gjatë gjashtë muajve trajnim?”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Pushtimi rus i Ukrainës jo vetëm që ka shkaktuar trauma për djalin e vetëm të Gutnykës, por po ashtu ka prishur marrëdhëniet me motrat dhe vëllezërit e saj.

Gutnyk, nëna e së cilës ka lindur në Ukrainë, ka tri motra dhe një vëlla që jetojnë në rajonin ukrainas të Sumit, ku Pozdeyev u kap. Vëllezërit dhe motrat e Gutykës kanë fëmijë që aktualisht shërbejnë për forcat e armatosura ukrainase.

“Pra, i bie se është vëllai kundër vëllait”, tha Gutnyk.

Që nga nisja e pushtimit më 24 shkurt, ajo nuk i telefonon më motrat dhe vëllain e saj në Ukrainë.

Motra e saj më e vogël e kishte njohur fytyrën e Pozdeyevit pas paraqitjes në lajme dhe i shkroi një mesazh Gutnykës dhe i tha se djali i saj kishte “ardhur për të na vrarë burrat dhe djemtë tanë”.

Gutnyk tha se motra e saj ishte një “Baderite”, një term në rusisht ekuivalent me “fashist”. Ky term rrjedh nga emri i Stepan Banderës, një lider nacionalist ukrainas që udhëhoqi lëvizjen anti-sovjetike për pavarësi. Putin ka tentuar që ta justifikojë pushtimin e tij para shtetasve rusë si pjesë e një ideje absurde se Ukraina udhëhiqet nga “nazistët”.

Oksana tha se për herë të parë mësoi se vëllai i saj ishte pjesë e këmbimit të të burgosurve vetëm pasi u kontaktua nga familja e një rekruti tjetër rus, i cili po mbahej së bashku me Pozdeyevin.

Kur Oskana më në fund arriti ta kontaktonte Pozdeyevin përmes telefonit, pasi ai kishte arritur në Moskë, ai nuk pranoi t’i tregonte shumë informacione motrës së tij, duke i thënë se do t’i tregonte më shumë kur të arrinte në shtëpi, në Seriodkina.

Oksana tha se përveç që ka marrë trajtim mjekësor në Moskë, vëllai i saj është ftuar në një takim nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), agjenci pasardhëse e KGB-së sovjetike.

“Prandaj, nuk e di nëse ai do të na tregojë ndonjë gjë”, tha ajo.

Radio Evropa e Lirë e ka telefonuar Pozdeyevin pasi u kthye në shtëpi më 26 qershor, apo ai nuk është përgjigjur. Më pas, REL-i e ka kontaktuar sërish Oksanën.

Ajo tha se ishte me vëllain e saj në Seriodkina, por pretendoi se nuk kishte biseduar me të për luftën apo për kohën që ai e kaloi në burg.

Oksana tha se nëse ai dëshiron të flasë për këto ngjarje, do të thërrasë vetë REL-in.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
Ky tekst është shkruar nga Todd Prince bazuar në raportimet e Realiteteve Siberiane të Radios Evropa e Lirë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG