Në Ballkan, numërimi nuk është kurrë i lehtë si 1, 2, 3....

Bosnje dhe Hercegovina, e cila ende qeveriset nga një strukturë e përcaktuar me Marrëveshjen e Dejtonit, 25 vjet më parë, ka arritur ta kryejë regjistrimin e popullsisë në vitin 2013.

Është një vit regjistrimi, praktikisht si asnjë tjetër.

Me pandeminë COVID-19 që paraqet ende kërcënim serioz, qeveritë dhe organizatorët e regjistrimit të popullsisë përballen me sfida të mëdha.

Mbledhja e të dhënave, që ka nisur javën e kaluar në Angli, Uells dhe Republikën Çeke, bëhet për herë të parë kryesisht në mënyrë elektronike. Serverët e internetit në Republikën Çeke kanë qenë të mbingarkuar për pak kohë.

Rusia do t’i mbledhë të gjitha të dhënat e saj në prill, për regjistrimin e tretë kombëtar nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara janë ende duke përgatitur “regjistrimin e vitit 2020”, pas një sfide nga Gjykata Supreme për numërimin e joshtetasve dhe vonesave të tjera.

Por, në Ballkan, disa përpjekje për regjistrim janë shtyrë për kohë të pacaktuar ose janë vënë në pritje, sepse disa çështje të etnisë dhe kombësisë vazhdojnë të jenë të ndjeshme që nga shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë, në vitet 1990.

Bosnje dhe Hercegovina, e cila ende qeveriset nga një strukturë e përcaktuar me Marrëveshjen e Dejtonit, 25 vjet më parë, bën përjashtim, sepse ajo ka arritur ta kryejë regjistrimin në vitin 2013.

Një regjistrues i popullsisë (majtas) flet me një familje shqiptare nga fshati Tërnoc në kufirin Serbi-Kosovë, gjatë regjistrimit në prill të vitit 2002.

Kosova tashmë e ka shtyrë regjistrimin kombëtar deri në vitin 2022 së paku, për shkak të paralizës politike dhe pengesave logjistike, që pjesërisht burojnë nga pandemia COVID-19.

Por, nga Beogradi në Podgoricë e deri në Shkup, tri ish-republikat jugosllave, me përçarje kulturore dhe historike, kujtojnë se sa i tensionuar mund të bëhet një regjistrim i popullsisë.

Maqedonia e Veriut ka nisur në mars fazën fillestare të regjistrimit për maqedonasit që jetojnë jashtë vendit. Befas, ajo ka shtyrë fillimin e planifikuar të mbledhjes së të dhënave nga prilli për në shtator.

Serbia dhe Mali i Zi shpresojnë t’i mbajnë regjistrimet e tyre pas disa shtyrjeve - me gjithë tensionet e larta për arsye politike dhe etnike.

Maqedonia e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, regjistrimi i popullatës jashtë vendit ka filluar në mars. Procesi vjen vetëm dy vjet pasi ky vend ka ndryshuar emrin, për të qetësuar disa shqetësime kulturore dhe territoriale të Greqisë fqinje.

Numërimi brenda Maqedonisë së Veriut ishte planifikuar të fillonte më 1 prill dhe të zgjaste tri javë.

Por, kryeministri Zoran Zaev ka njoftuar më 29 mars, pas një takimi me udhëheqësin kryesor të opozitës, se ata kanë rënë dakord ta shtyjnë regjistrimin deri në shtator. Si arsye kanë përmendur rritjen e infeksioneve me koronavirus dhe mungesën e vaksinave.

Ky ishte një ndryshim qëndrimi i papritur i Zaevit, i cili, kohët e fundit, ka kërkuar që regjistrimi të vazhdojë, pavarësisht ankesave të opozitës se pandemia kërcënon saktësinë e tij.

“Ndoshta disa vende mund ta përballojnë shtyrjen, por ato kanë bërë regjistrimin para dhjetë vjetësh dhe ne nuk kemi pasur asnjë regjistrim për gati 20 vjet”, ka thënë Zaev.

SHIKONI EDHE: Shtyhet regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e V.

Mungesa e të dhënave të besueshme të regjistrimit, ka thënë ai, bën që institucionet “të punojnë në mjegull, në të panjohura”.

Një prej çështjeve kryesore që regjistrimi në Shkup duhet t’i japë përgjigje është përbërja etnike e vendit - përfshirë popullsinë e tij të konsiderueshme etnike shqiptare.

Shqiptarët vlerësohet se përbëjnë rreth një të katërtën e 2.1 milionë banorëve të Maqedonisë së Veriut.

SHIKONI EDHE: Sela: Do të pengojmë shtyrjen e regjistrimit të popullsisë

Nga opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe nga Kosova u janë bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që të regjistrohen sa më shumë.

Arbër Ademi është anëtar kryesor i partisë së koalicionit në Maqedoninë e Veriut, që përfaqëson shqiptarët - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Ademi tashmë ka kërcënuar se do t’i kontestojë rezultatet e regjistrimit nëse shqiptarët nuk arrijnë nivelin 20 për qind.

Në Kosovë, një nga veprimet e para që ka bërë Albin Kurti pasi është betuar si kryeministër, javën e kaluar, ka qenë apeli për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që të marrin pjesë në regjistrim.

SHIKONI EDHE: Kritikohen thirrjet për regjistrim të diasporës shqiptare

“Meqenëse edhe me Kushtetutën aktuale, të drejtat politike të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut diktohen dhe rrjedhin nga numrat, regjistrimi i çdo qytetari është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë Kurti.

Mesazhe të ngjashme ka dhënë edhe ish-ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Dhe të nesërmen, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka shkuar në Kosovë për të kërkuar nxitjen e pjesëmarrjes së publikut.

Kundërshtari kryesor i Kurtit në Kosovë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ky regjistrim është “një proces shumë i rëndësishëm politik”.

SHIKONI EDHE: Grubi, në Kosovë për procesin e regjistrimit të diasporës  

Ka qenë kjo një kundërpërgjigje e qartë ndaj përpjekjeve të kryeministrit Zaev për t’i siguruar pakicat se “askush nuk mund t’i sfidojë të drejtat e fituara të popujve pakicë”, pavarësisht rezultateve të regjistrimit, të cilat ai i ka minimizuar si “një operacion statistikor për nevojat administrative dhe planifikimin”.

Shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut duhet “të dëshmojnë përmes statistikave, se ata janë për Ballkanin ata çfarë janë gjermanët për Evropën”, ka thënë Hoxhaj.

Sefer Selimi, themelues i organizatës “Democracy Lab” për forcimin e vlerave demokratike në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkan, ka paralajmëruar se sulmet e opozitës ndaj regjistrimit mund të minojnë një proces thelbësor, që duhet të çojë në politika më të shëndosha qeveritare.

“Këto pengesa janë të ndikuara nga nacionalizmi dhe na kthejnë së paku 10 vjet prapa”, ka thënë Selimi për Radion Evropa e Lirë.

Kjo është pjesërisht rezultat i bërjes së “të drejtave të një grupi qytetarësh të varura nga popullsia e tyre”, ka thënë ai.

Mali i Zi

Në Mal të Zi, vendin që ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, Qeveria e zgjedhur së voni ka shtyrë regjistrimin e planifikuar në prill, për më vonë këtë vit.

Por, pengesat organizative e mungesa e konsensusit politik mund ta rrezikojnë edhe atë afat kohor.

Qeveria e Malit të Zi është zgjedhur në gusht, me një margjinë të vogël, dhe përfshin një grup nacionalist serb.

Për shkak të kulturës, fesë dhe historisë së tyre të përbashkët, shumë malazezë ngurrojnë të zhvishen nga identiteti serb.

Një pano për regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi. Prill, 2011.

Konfuzioni i identitetit kombëtar dhe politika sigurt se do të ndikojnë në çdo fushatë regjistrimi.

Dhe presioni, madje edhe nga jashtë, për të mbrojtur praninë e pakicave, është i fortë.

Beogradi ka kohë që përpiqet ta përdorë identitetin serb te popullata e Malit të Zi, për të forcuar praninë e tij kombëtare në këtë vend dhe për të rritur ndikimin rajonal.

Një pano gjatë regjistrimit të fundit në Mal të Zi, në vitin 2011, ka treguar tenistin serb, Novak Gjokoviq, duke i inkurajuar të anketuarit që “të jenë ata që janë”. Në fund, gati 29 për qind e qytetarëve në Mal të Zi e kanë deklaruar veten serbë në atë numërim.

Së paku dy herë në 18 muajt e fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar publikisht rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi.

“Ne nuk ndërhyjmë në regjistrim... por, është e rëndësishme për ne që populli serb të mos zhduket”, ka thënë Vuçiq, majin e kaluar.

Disa muaj më vonë, në gusht, ai ka thënë se është thelbësore “të ruhen numrat e serbëve në Mal të Zi, sepse atëherë mund të themi se kemi pasur sukses në ndihmën për popullin tonë”.

Qytetarët në Mal të Zi, gjatë regjistrimit, mund të kapërcejnë pyetjet në lidhje me kombësinë, gjuhën dhe fenë.

Por, duke bërë kështu, rrezikohen të drejtat e përcaktuara me ligj për pakicat me përfaqësim të konsiderueshëm.

“Edhe pa regjistrimin e popullsisë, 2021-shi do të jetë dinamik”, ka thënë së voni Dalliborka Ulareviq, e cila kryeson OJQ-në Qendra për Edukimin Qytetar në Podgoricë. “Bashkë me regjistrimin, duhet të presim tensione të shtuara dhe një fushatë agresive të të dyja blloqeve”, ka thënë ajo.

Në muajin shkurt, kryeministri Zdravko Krivokapiq ka trazuar tutje ndjenjat nacionaliste, duke mbështetur shtetësinë për njerëzit që jetojnë në Mal të Zi me dekada, por kanë shtetësi të huaj.

Qeveria e Krivokapiqit nuk ka gjasa t’i mbledhë votat për një ndryshim të tillë - nëse është edhe i lejueshëm.

Serbia

Në vendin e Vuçiqit, zyrtarët tashmë kanë shtyrë regjistrimin e popullsisë nga prilli në tetor, duke përmendur si arsye pengesat për rekrutimin dhe trajnimin e regjistruesve në kohë pandemie.

Serbia ka humbur qindra mijëra njerëz nga emigracioni që prej regjistrimit të fundit zyrtar në vitin 2011. Shumë ankohen për ngecje politike, korrupsion dhe kapje të shtetit nga Vuçiqi dhe aleatët e tij.

Sfidat më serioze të regjistrimit të ardhshëm mund të qëndrojnë në bindjen e të gjitha palëve për besueshmërinë e tij.

Bojkotimi i zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar nga ana e opozitës e ka lënë Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit me një super-fuqi, gjë që përjashton mbikëqyrjen serioze politike të procesit të regjistrimit.

Por, zyrtarët gjithashtu do të duhet të kapërcejnë një problem etnik.

Rreth 6 milionë nga afërsisht 7 milionë banorët e Serbisë e kanë deklaruar veten serbë në regjistrimin e fundit.

Grupet e pakicave përfshinin hungarezë etnikë, romë, boshnjakë e të tjerë.

Por, shumë boshnjakë dhe shqiptarë e kanë bojkotuar regjistrimin një dekadë më parë, duke u ankuar për gjuhën në format e regjistrimit dhe shpërndarjen e regjistruesve.

Nuk është e qartë nëse këtë herë do të jetë ndryshe.

Një shqiptar pushon në një rrugë në Bujanoc, ku shkruan "Bojkoto regjistrimin". Tetor, 2011.

Shaip Kamberi, ligjvënës nga Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e Bashkuar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit politikë shqiptarë nuk janë ende të sigurt.

“Rruga jonë drejt bojkotit në vitin 2011 ishte pasojë e shtetit që nuk dëshironte t’i dëgjonte kërkesat tona”, ka thënë Kamberi.

“Në këtë fazë fillestare, ia kemi lënë Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare që të vendosë kontakte me Zyrën e Statistikave [Kombëtare] dhe të bien dakord mbi kushtet”, ka shtuar ai.

Përveç pengesave teknike, Kamberi ka përmendur edhe zhvlerësimin de facto të shumë shqiptarëve, që janë detyruar të ikin nga dhuna midis forcave serbe dhe luftëtarëve për pavarësinë e Kosovës, në fund të viteve 1990.

Zyra e Statistikave e Serbisë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se po bashkëpunon me organin zyrtar të koordinimit të këshillave të pakicave për të identifikuar problemet kryesore.

Përgatiti: Valona Tela