Ndërlidhjet

Grubi, në Kosovë për procesin e regjistrimit të diasporës  


Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka nisur të enjten vizitën e tij në Prishtinë, ku po takohet me liderë shtetërorë dhe partiakë të Kosovës, derisa temë kryesore e takimeve është regjistrimi i popullsisë së diasporës.

Grubi është takuar me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe më pas ka thënë se ka kërkuar ndihmën e tij për mobilizimin e shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës, që të regjistrohen si banorë të Maqedonisë së Veriut.

“Rritja e numrave është jetike për zbatimin e të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Grubi.

Ai ka thënë se pret që deri në fund të procesit të regjistrimit të popullsisë - që përfundon më 21 prill - të regjistrohen rreth 300 mijë shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit.

“Deri në ditën e djeshme (17 mars) kemi kaluar numrin e 72 mijë qytetarëve të regjistruar në mërgatë. Po presim që të tejkalojmë numrin 200 mijë dhe të afrohemi te 300 mijë, sa i kemi parashikimet e qytetarëve tanë në diasporë. Por, kemi kohë deri më 21 prill dhe po shpresojmë në ndihmën e miqve tanë në Prishtinë dhe Tiranë, për të krijuar një atmosferë goxha mobilizuese në diasporë, që të regjistrohen vetë qytetarët tanë”, ka deklaruar Grubi.

Hoxhaj, në anën tjetër, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili mbahet pas 19 vjetësh.

Regjistrimi i popullsisë brenda Maqedonisë së Veriut pritet të nisë më 1 prill.

Sipas regjistrimit të fundit, Maqedonia e Veriut ka rreth 2 milionë banorë, prej tyre, 25.17 për qind janë shqiptarë.

Përqindja e popullatës shqiptare lidhet edhe me të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë, siç është ajo e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kjo pasi në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut gjuha shqipe përkufizohet si gjuhë, të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG