Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është shtyrë për në shtator. Kështu kanë vendosur kryeministri, Zoran Zaev dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickocski në takimin kokë më kokë që kanë zhvilluar në Shkup.
Regjistrimi ishte paraparë të mbahej nga 1 deri më 20 prill, por sipas liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, shtyrja e këtij procesi është bërë për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike.
Vendimi i liderëve të dy partive politike, Lidhjes Social Demokrate të Zaevit dhe VMRO-DPMNE duhet të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Në takimin mes Zaevit dhe Mickocskit nuk kanë marrë asnjë nga kryetarët e partive politike shqiptare, të cilët paraprakisht kishin caktuar një takim në nivel të sekretarëve shtetërorë të partive, por që nuk u mbajt për shkak të refuzimit të tij nga opozita shqiptare.
Zaev dhe Mickovski ndërkohë janë marrë vesh edhe për shtyrjen e zgjedhjeve lokale që ishte paraparë të mbaheshin në shtator, por mbajtja e tyre pamundësohet për shkak të procesit të regjistrimit të popullsisë.
Zgjedhjet lokale është vendosur të shtyhen për në pjesën e parë të muajit tetor, pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë.
Ata gjithashtu kanë vendosur që regjistrimit i diasporës, që ka nisur më 1 mars, të mos anulohet, por përkundrazi të vazhdojë deri më shtator kur do të mbahet regjistrimi brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.
Para takimit, dy partitë kishin vlerësim të kundërta për regjistrimin e popullsisë.
“Përfitimet e regjistrimit janë të mëdha prandaj unifikimi është i nevojshëm, e jo bojkoti i këtij procesi të rëndësishëm. Gjithkush që mendon mirë për shtetin dhe që dëshiron që ai të zhvillohet dhe të ecë përpara, duhet të japë kontributin dhe mbështetjen maksimale në këtë proces. Kjo është arsyeja pse ju bëj thirrje që t’i përgjigjeni masivisht regjistrimit, për të shfrytëzuar rastin për të kontribuar në përparimin e atdheut”, kishte deklaruar deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Por, nga VMRO-DPMNE-ja thanë se regjistrimi është shndërruar në marrëveshje politike mes partnerëve të koalicionit andaj edhe kryetari i saj, Hristijan Mickoski edhe në takimin me Zoran Zaevin insiston në shtyrjen për në vjeshtë të këtij procesi, atëherë, kur sipas opozitës, do të plotësoheshin kushtet, si epidemiologjike ashtu edhe politike.
“Me insistimin për mbajtjen e regjistrimit Zoran Zaev dhe (ministri i Shëndetësisë) Venko Filipçe me vetëdije po i çojnë qytetarët drejt rrezikut për jetën. A është i vetëdijshëm Zaevi se 5.500 regjistrues duhet të futen nëpër secilën shtëpi në shtet. Pjesa dërmuese e tyre mund të jenë pa simptoma dhe t’i infektojnë qytetarët me sëmundje kronike, të cilët mund të kenë pasoja fatale. Regjistrimi duhet të shtyhet”, thuhet në një komunikatë të VMRO-DPMNE-së duke riafirmuar qëndrimin e partisë në takimin e liderëve.
Takimi Zaev-Mickovski kishte nxitur dhe reagimin e opozitës shqiptare, e cila e ka vlerësuar si takim një-etnik, që sipas koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, “ka për qëllimin anulimin e regjistrimit, jo për shkak të pandemisë, por për shkak të frikës së rritjes së përqindjes së shqiptarëve në shtet”.
Derisa partitë debatojnë për anulimin ose jo të regjistrimit të popullsisë, nga ana tjetër Enti Shtetëror i Statistikës, thotë se ky proces është gati, pasi tashmë ka nisur regjistrimi i diasporës dhe më 1 prill do të nisë regjistrimi brenda vendit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikës, ka thënë se procesi duhet të realizohet ndërsa ka shprehur habinë se si partitë maqedonase, sipas tij, mund t’i bëjnë thirrje maqedonasve që të mos regjistrohen apo të dalin me pretendimet se do të kurdiset rezultati mbi përqindjes e popullatës.
“Kjo nuk është një punë që po hapim fletoren dhe të shënojnë se kaq janë shqiptarët, kaq janë maqedonasit e kaq turqit. Ne jemi profesionistë dhe nuk pranojmë rekomandime qofshin ato nga (kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim) Ali Ahmeti apo Zoran Zaev. Kemi ligjin dhe ne atë e zbatojmë. Këtë proces nuk e bëjnë dy veta, unë dhe drejtori, por mbi gjashtëmijë regjistrues që do të dalin në terren për të kryer një operacion shumë të rëndësishëm, siç është regjistrimi i popullsisë. Unë hedh poshtë të gjithë dyshimet e partive se procesi është i kurdisur apo nuk di me çfarë tjera pretendimesh dalin në opinion”, ka deklaruar Selami.
Facebook Forum