Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka vënë në gjendje të gatishmërisë spitalet.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, thotë se situata aktualisht është e qetë, por ka tendencë të përkeqësimit.
Të mërkurën e 13 korrikut, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka raportuar për 763 raste të reja me koronavirus.
Në bazë të 2,030 testeve të bëra, del se 37.5 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.
Në raportin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë njoftohet edhe për një të vdekur nga koronavirusi.
Shkalla e infektimit me koronavirus në Kosovë ka nisur të rritet në gjysmën e dytë të qershorit.
SHIKONI EDHE: Pandemia drejt një faze të reMuajt e pranverës kanë qenë kryesisht të qetë - ka pasur ditë me zero raste.
Besohet se në qarkullim janë disa nënvariante të variantit Omicron të koronavirusit, që përhapen më shpejt, por shkaktojnë më pak simptoma.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Krasniqi thotë se numri i pacientëve me koronavirus, të shtrirë në spitalet e Kosovës, aktualisht është rreth 40.
“Ne, si SHSKUK, duhet të jemi të përgatitur, siç kemi qenë gjithmonë, për t’u përballur eventualisht me ndonjë fluks më të madh të pacientëve. Tash për tash, situatën e kemi të qetë”, thotë Krasniqi.
Pandemia e koronavirusit ka shpërthyer në mars të vitit 2020 dhe në periudha të caktuara të saj, Kosova është përballur me valë të rënda, që kanë imponuar angazhime shtesë të stafit mjekësor, por edhe shtim të shtretërve në klinika të ndryshme.
SHIKONI EDHE: 'Omicroni është vërtetë kudo’Aktualisht, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, e cila ka bartur barrën më të rëndë gjatë pandemisë, janë të shtrirë 11 pacientë me koronavirus.
Më 12 korrik, nga kjo klinikë janë raportuar dy viktima nga koronavirusi.
“Rastet që kanë ndërruar jetë, kanë qenë të shtrira në mjekim intensiv dhe kanë qenë në moshë të shtyrë”, thotë drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.
Sipas tij, dy rastet në fjalë kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Your browser doesn’t support HTML5
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe udhëheqës të spitalit rajonal në Pejë - njërit prej më të mëdhenjve në Kosovë.
Sipas drejtorit Fazli Shala, në spitalin e Pejës të mërkurën kanë qenë të shtrirë tetë pacientë me koronavirus.
“Prej tyre, tre janë në gjendje të rëndë, dy janë në oksigjeno-terapi, rastet e tjera janë më të menaxhueshme”, shpjegon Shala.
Aktualisht, raste aktive me koronavirus në Kosovë janë mbi 2,100. Nga fillimi i pandemisë, mbi 3,140 persona kanë humbur jetën pas infektimit.
SHIKONI EDHE: Fytyrat prapa numraveNë Kosovë, më pak se gjysma e popullatës së përgjithshme, përkatësisht mbi 823.900 veta kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit. Me dozën e tretë janë vaksinuar mbi 103 mijë qytetarë.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, një vend duhet ta ketë mbi 85-90 për qind të popullsisë të vaksinuar, për ta pasur situatën nën kontroll.
Javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka miratuar dozën e katërt të vaksinës për personat mbi 60 vjeç, që e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më herët.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë për ditën e mërkurë, 289 qytetarë janë vaksinuar në 24-orëshin paraprak.
Nga kjo ministri vazhdimisht bëjnë thirrje për vaksinim, duke thënë se është masa më e mirë për mbrojtje, ndërsa paralajmërojnë mobilizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve spitalore, varësisht zhvillimit të mëtejshëm të situatës.
- Rriten rastet me COVID-19 në Kosovë
- BE-ja njeh certifikatat e vaksinimit kundër COVID-19 të Kosovës
- OBSH: Disa shtete evropiane hoqën “brutalisht” masat kundër COVID-19
Epidemiologia Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se rritja e numrit të rasteve me koronavirus ka qenë e pritshme, për shkak të shfuqizimit të pothuajse të gjitha masave kufizuese.
“Jemi dëshmitarë të asaj se, në momentin kur kanë filluar të organizohen ngjarje të ndryshme, ka filluar edhe rritja e numrit të rasteve. Ajo që preferohet edhe nga OBSH-ja, është që sa më shumë t’u iket vendeve, ku ka grumbuj të njerëzve”, thotë Humolli për Radion Evropa e Lirë.
Vendimin e fundit për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit, Qeveria e Kosovës e ka marrë më 30 prill, duke hequr shumicën e masave kufizuese, si: mbajtjen e maskave apo orarin e shkurtuar të gastronomisë.
SHIKONI EDHE: "Ky dimër do të tregojë gjithçka" për COVID-inMe këtë vendim kërkohet vetëm nga punonjësit e institucioneve publike dhe private që të posedojnë certifikatën e vaksinimit me së paku dy doza, ndërsa veshja e maskës dhe mbajtja e distancës fizike janë vetëm rekomandime.
Humolli thotë se vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt për mbrojtje.
“Kthimi i maskave, i kufizimeve në lëvizje, për momentin nuk janë opsione as nga OBSH-ja, e as nga shtetet e ndryshme... Rekomandim i OBSH-së, që vlen për të gjitha shtetet, është vaksinimi i kompletuar dhe sa më shumë njerëz të vaksinohen edhe me dozën e tretë dhe të katërt”, thotë Humolli.
Rritje të numrit të rasteve me koronavirus janë duke përjetuar edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Sipas të dhënave të fundit, në Shqipëri, shkalla e të infektuarve është rreth 46 për qind; në Maqedoni të Veriut 34 për qind; në Mal të Zi 32 për qind; në Bosnje e Hercegovinë 19 për qind dhe në Serbi 18 për qind.