Fytyrat prapa numrave

“Vetëm një vdekje sot”...sa herë e kemi dëgjuar këtë shprehje, kur kemi lexuar raportin ditor për numrin e rasteve të vdekjes nga koronavirusi i ri. Me raste natyrshëm kemi ndier lehtësim, se qenka “vetëm një vdekje” dhe jo dhjetë, njëzet e më shumë.Por, edhe prapa asaj “vetëm një” vdekjeje qëndron një familje e tërë në zi... diku ka mbetur një karrige e zbrazët përreth tavolinës. Nuk janë vetëm numra të trishtë, kanë një jetë të tërë prapa dhe kishin plot ëndërra për nesër.

Radio Evropa e Lirë ka krijuar një hapësirë, me qëllimin e vetëm që çdo numër të ketë një fytyrë – një gjysh, gjyshe, nënë, baba, burrë, grua, partner apo mik.

Nëse keni humbur dikë dhe keni dëshirë ta kujtoni, na dërgoni një fotografi, me një kujtim për atë që keni humbur – një lamtumirë që s’e patët mundësinë t'ia thoni. Na kontaktoni në mediat sociale, në adresën cubollik@rferl.org ose përmes formularit më poshtë.

Le t'i kujtojmë së bashku.

A
Afrim Tasholli
54 vjeç
Dr. Tasholli ka qenë specialist i anesteziologjisë me mjekim intensiv, i cili i ka shërbyer shëndetësisë primare në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj. Ai ka dhënë kontribut të veçantë edhe në edukimin e brezave të ri me angazhim në shkollën mesme të mjekësisë "Elena Gjika".
Ali Tolaj
59 vjeç
Dr. Tolaj, ka qenë kirurg në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës.
Avni Hoxha
69 vjeç

Avni Hoxha ka qenë laborant në Institutin e Patologjisë në Prishtinë.

Babi, ditët e para pas lindjes së Hanës kur të takova në spital, nuk munda të të falënderoj për të gjitha që ke bërë për mua dhe Norën, për dashurinë dhe kujdesin e treguar, sepse thellë në shpirt shpresoja që do ta tejkaloje këtë sfide.

Sot teksa po pikëllohem që më nuk do të kthehesh, jemi shume krenarë që ishe i yni, që jetove me dinjitet dhe na mësove sesa ka vlerë njeriu dhe njerëzillëku. Përjetë e pikëlluar që Hana dhe Lisi nuk do të rriten me ngrohtësinë tënde ashtu sikurse Morea, babush!

Deri në përjetësi do të jesh ylli më i ndritshëm në qiellin tonë!

Teuta

B
Bektesh Vidishiqi
79 vjeç

Gjyshi i buzëqeshur i Donës, Thesarit dhe Andit.

TY të faleminderit pafund, për çdo përqafim e buzëqeshje, për sytë që shkëlqenin dritë sa herë thërrisnim emrin tënd. Të faleminderit, për urtësinë dhe mendjen e bukur që e ndave me ne, duke na mësuar çdo ditë se ç’do të thotë të kesh gjithçka, kur je i rrethuar me njerëz që të duan. Pa ty, jemi bërë si hije që nuk e gjejnë dot trupin e vet. Për ne nuk ka lamtumirë, nuk e kemi për detyrim të pajtohemi me të premten e 19 marsit 2021. Do të na duhet të mësohemi të jetojmë me dhimbjen që kemi në shpirt që nga ajo ditë, por jo të pajtohemi me të. Të pastë shpirti dritë, ashtu sikur ti që ke ndritur jetët tona.

Do të të duam përjetësisht,

Akterja, Arbana, Saranda dhe Lenarti.

Burim Krasniqi
58 vjeç
Dr. Krasniqi ka qenë specialist i Gjinekologjisë me Obstetrikë dhe anëtar i Odës së Mjekëve të Kosovës
E
Emine Krasniqi-Morina
72 vjeçe
Halla jonë, sa herë na duket se po hyn në derë me buzëqeshjen tënde! Na duket se dëgjojmë ecjen tënde të qetë, dhe përpiqemi të dalim shpejt e shpejt përpara e të të përqafojmë! Por, kot. Që ditën që vdiqe nuk të pamë kurrë e as lamtumirë nuk patëm forcën të të themi.
Ernest Jusufi
45 vjeç
Nuk bindemi dhe nuk do të bindemi që ti nuk je më me ne. Bujaria, krenaria dhe shpirti yt i bardhë neve na kanë bërë krenarë. Do të jetosh gjithmonë në zemrat dhe mendjen tonë!
F
Fadil Zuka
62 vjeç
Dr.Zuka ka qenë mjek familjar. Në kohët më të vështira, ai ka shërbyer në Ambulantën e Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, pastaj në Pozheran.
Faik Sinani
77 vjeç
Babi, thonë se ke vdekur, por jo , sepse ti ende jeton ne zemrat tona. 😢
Fatmir Bajraktari
67 vjeç
Fatmir Bajraktari nga Peja ishte artist, këngëtar i muzikës së shquar shqipe, kryesisht në vitet 1980-90. E kujtojnë përherë, bashkëshortja Melihati, fëmijët, Floriani, Dritoni e Krenarja, mbesa Liana e nipi Gjin Fat (të cilin nuk arriti ta shohë)
Feti Hetemi
66 vjeç

Për babanë tonë kemi aq shumë kujtime sa nuk mund të përshkruhen lehtë, por atë do e kujtojmë gjithmonë si njeri të drejtë e parimor, si prind shumë të përkushtuar, si profesionist të pazëvendësueshëm, si atdhetar e mbi të gjitha si humanist. Si intelektual dhe i shkolluar në kushte jo të lehta, ai qëllim në jetë e kishte shkollimin dhe pavarësimin tonë. Punonte pa ndjerë lodhje, vetëm e vetëm që ne t‘i arrinim majat më të larta të dijes. Në kohën e tij të lirë e në ndejat tona, gjithmonë zinin vend diskutimet nga lëmi të ndryshme, sidomos për gjeografinë, historinë, e politikën, ku ai kishte njohuri te jashtëzakonshme.

Gjithmonë na inkurajonte të lexonim shumë. Na mësonte të përkushtoheshim ne shkollim e në punë. Ai e ushtronte profesionin prej mjeku me një përkushtim te madh. Ai, thjesht e adhuronte punën e tij prej humanisti. Ai ishte i përkushtuar jo vetëm për ne fëmijët, por edhe për mbesat dhe nipat, të cilët i donte, e i adhuronte shumë. Ai na mësonte ta duam familjen e atdheun dhe këtë e bënte jo me fjalë, por me vepra. Familja për të ishte krejt jeta, e atdheu dashuri dhe detyrë për ta mbrojtur.

Edhe në kohën kur koronavirusi merrte jetë njerëzish, ai ishte i përkushtuar të mjekonte e shpëtonte njerëz, edhe pse e ndjente se ky virus nuk do të kishte mëshirë për vetë atë.

Fikrete Gashi
42 vjeçe
Ti do të duhej të ishe këtu me ne, por Zoti deshi të të marrë në botën e amshueshme. Ti je çdoherë në kujtime dhe në ditët tona. I përjetshëm është kujtimi për ty. Pusho e qetë në paqe. Të kujtojmë me mall, familja, bashkëshorti dhe fëmijët.
Fikrije Kelmeni-Sherifi
76 vjeçe
Nënë, më fal që nuk isha pranë teje në kohën më të vështirë për ty. Ende të kam pranë në mendje dhe shpirt, dhe të ndjej gjallë se je diku. Unë krenohem me ty nëna ime që më ke mbështetur për gjithçka pozitive në rrugën time.

Të kujton biri yt

Flamur Shasha
39 vjeç
Një jetë plot dashuri dhe shpresë që jetoi për të na ndihmuar neve të tjerëve të gjejmë kuptimin e jetës.
G
Gëzim Berisha
52 vjeç
Dr. Berisha ka qenë specialist i pediatrisë dhe u ka shërbyer pacientëve pranë Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, ku nuk e ka ndërprerë punën as gjatë pandemisë.
H
Hakif Hodolli
64 vjeç
Hakif Hodolli nga Llapashtica e Epërme e Podujevës e humbi jetën me koronavirus më 19 gusht, 2020. Hakifi deri në pesë ditët e fundit, kur edhe e kuptoi se ishte infektuar, ishte në shërbim të qytetarëve. Ka vite që policia nuk bllokon rrugët për të mos i lënë qytetarët të shkojnë në varrim. E për varrimin e tij policia u detyrua, edhe pse qytetarët, në kohë pandemie donin t’ia jepnin lamtumirën e fundit. Respekti për Hakifin ishte i madh. Atë e nderoi një qytet. Ishte i dashur me të gjithë dhe respekti që gëzonte te qytetarët bënte që ai të mirëpritej nga të gjithë. Tani kur po bëhet një vit nga shkuarja e tij në amshim, malli për të po bëhet edhe më i madh. Ai nuk arriti ta priste pensionimin dhe të përshëndetej me secilin koleg një nga një. Hakifi jeton mes nesh.
Hysnije Haliti
71 vjeçe
MAMI, ti ishe dhe do të mbetesh krenaria e familjes. Do të të përkujtojmë me mall deri ne frymën tonë të fundit. Të duam përjetësisht 🤍
I
Isa Bricori
70 vjeç

NA MUNGON SHUME BABË & BABGJYSH

Koha shëron të gjitha plagët, por dhimbjet nuk shërohen kurrë. Si mund të jemi mirë, kur vjen çdo ditë, e çdo vit, ku ti këtu mungon? Çdo gjë duket e zbehtë pa ty, më duket sikur çdo gjë ka ndodhur vetëm pak ditë më parë. Trishtohet shpirti, vajton zemra, loti nuk ndalon edhe pse e dimë që vdekja nuk ka kthim. Ndonjëherë nuk ja vlen pa ty të jetohet, edhe pak muaj bëhet një vit pa ty, na duket si sot ata sytë e tu që na shikonin me ëmbëlsi, zëri yt i ngrohtë që gjithmonë na ka bërë të jetojmë. Thjesht jemi gjallë, por edhe të vdekur pa ty. Edhe pse nuk jemi bashkë, ti je pjesë e jetës tonë, që do të jetosh gjithmonë në zemrat tona.
J
Jetmir Latifi
31 vjeç
Do të na mungojë buzëqeshja e ëmbël dhe do të mbetet përgjithmonë e freskët në zemrat dhe kujtesën tonë, i dashuri, Jetmiri ynë i çmuar.
K
Kujtim Zarari
51 vjeç
Dr.Zarari ishte mjek familjar nga Gjakova dhe anëtar i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës.
L
Lulzim Kolgjeraj
56 vjeç
Dr. Kolgjeraj i ka shërbyer shëndetësisë primare në Prizren për rreth tri dekada dhe ka qenë specialist i mjekësisë familjare në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjonaj.
M
Metush Metushi
69 vjeç
Metushi ka qenë profesor dhe mësimdhënës i lëndës së historisë. E kujtojnë familja:

Bashkëshortja Sanija

Fëmijët: Iliri, Emrushi dhe Merita, dhe si nipi Leonidi.

Miftar Jashari
75 vjeç
Lamtumirë daja im i mirë, i dashur e fisnik! Zoti i plotëfuqishëm e mëshiroftë Lalin, shpirtin e tij të bardhë e të urtë në parajsë. Nipi zemërthyer! Do ta kujtojmë gjithmonë me kujtimet më të bukura!

Blerimi

Muhamet Avdyli
69 vjeç
Dr.Avdyli ishte specialist i epidemiologjisë nga Peja.
Musli Berisha
60 vjeç

Nuk do ta harroj kurrë zërin që ma dha lajmin përmes telefonit, atë zë e ndiej edhe në ëndërr, sepse unë kisha shumë shpresa dhe nuk e prisja...më dhanë shpresa, më thanë se nuk ishe aq keq, por unë nuk mund të të shihja. Nuk mund ta fshija ballin nga djersët e asaj nate vere. Nuk më lanë të isha pranë teje ashtu siç i patëm premtuar njëri-tjetrit, nuk mund të ta mbaja dorën fort deri sa po e lije këtë botë. Ndjej se nuk të kam dalë hakut siç e meritoje dhe kjo më mundon shumë. Do të të pëshpëritja se sa fort të dua dhe se të gjithë ishim mirë, sepse atë brengë kishe, meqë ishim infektuar.

Nuk e di a do ishte më lehtë, por së paku nuk do të më mundonin shumë pikëpyetje. A ishte dikush afër teje? A u kujdesën për ty? A e the ndonjë fjalë të fundit? Kush t'i mbylli sytë ??? Ti nuk e meritoje të ikje kështu pa na thënë asgjë, pa paralajmërim, pa të parë për herë të fundit. Ndoshta nuk e doje lamtumirën sepse na deshe më shumë se çdo gjë dhe preferove të ikësh në heshtje, të bëheshe përgjithmonë engjëlli ynë mbrojtës.

E di që je në një vend të bukur ashtu siç e kishe shpirtin dhe mendjen. Ngushëllimin po mundohem ta gjej në veprat e mira që le pas.

Do të të kujtoj deri sa të vi te ti. Mos përjetoftë njerëzimi kurrë më kohëra të tilla!

Mynafir Beshiri
67 vjeç
Dr. Beshiri i ka shërbyer shëndetësisë primare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash.
N
Nexhip Berisha
54 vjeç
Dr. Berisha ka qenë specialist i mjekësisë familjare, i cili i ka shërbyer shëndetësisë primare në Prizren ku dhe ishte udhëheqës i sektorit të shëndetësisë.
Nijazi Ahmeti
55 vjeç
Dr. Ahmeti ka qenë specialist i dermatovenerologjisë.
Q
Qamil Salihu
70 vjeç
E kujtojmë përjetësisht gjyshin tonë të dashur!
R
Rasim Thaçi
72 vjeç
Në familjen tonë kemi humbur babin apo shtyllën e shtëpisë, një njeri që ishte i dashur jo vetëm nga familja dhe shoqëria, por nga mbarë populli shqiptar. Ai la pas vetes shumë kujtime dhe vepra që të gjithë i kujtojnë. Është e vështirë që të shkruajmë apo të gjejmë fjalët e duhura për humbjen e familjarit në këtë rast të prindit.

Po ashtu bashkëndjejmë dhimbjen me të gjithë familjarët e tjerë që kanë humbur më të dashurit e tyre në këtë betejë.

Ruzhdi Zhugolli
71 vjeç
Fjalët janë të pakta për ta përshkruar mallin e dhimbjen për ty gjysh! Me shumë mall të kujtojmë e gjithë familja Zhugolli, e veçanërisht mbesa jote, Vanesa! U takofshim në botën tjetër! ❤️
S
Sabajdin Smani
56 vjeç
Dr. Smani ishte specialist i mjekësisë familjare, dhe i ka shërbyer shëndetësisë primare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren.
Safet Idrizi
63 vjeç
Dr. Idrizi ka qenë specialist i mjekësisë familjare dhe i ka shërbyer shëndetësisë primare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri. Nuk e ka ndërprerë punën as gjatë pandemisë.
Salajdin Latifi
61 vjeç
Do të të kujtojmë ndër breza me shumë mall e dashuri, kushëri! Të pastë shpirti dritë, pushofsh në paqen e amëshuar baca Salajdin!
Sedat Hoti
62 vjeç
Dr. Hoti ka qenë specialist i fiziatrisë dhe u ka shërbyer pacientëve pranë Spitalit të Përgjithshëm në Prizren si shef i shërbimeve të terapisë fizikale.
Shefqet Januzi
74 vjeç
Babush, ishe njeri i urtë dhe human. Asnjëherë nuk nxorre një fjalë të keqe nga goja jote. E deshe shumë familjen dhe sakrifikove çdo gjë për të. Edhe pse ike papritmas në atë botë, gjurmët tua do të jetojnë përjetësisht me ne.

Faleminderit për gjithçka.

Do të mbetesh përherë krenaria e familjes sonë.

Prehu në paqe!

Shemsedin Emiri
62 vjeç
Vetëm shpirti im e di sa dhemb nga mungesa jote Babi 💔😢😢!
Suzana Perjuci
72 vjeçe
NANA, ti ishe dhe do të mbetesh krenaria e familjes, do të të mbajmë të gjallë deri në frymen tonë të fundit.

Të duam përjetësisht❤️

Ilirja dhe Florenti me familje.

Sylejman Dulla
55 vjeç
Dr. Dulla ka qenë specialist i anesteziologjisë me mjekim intensiv, i cili i ka shërbyer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai nuk e ka ndërprerë punën as gjatë pandemisë me qëllim të shërbimit të qytetarëve.
Sylejman Rexhepi
67 vjeç
Dr.Rexhepi ka qenë mjek internist, reumatolog, doktor i shkencave dhe profesor.
Y
Ylber Dahsyla
62 vjeç
Babë, nuk më lanë as me të përqafu për herë të fundit…

Egzoni

Z
Zenel Kabashi
79 vjeç
Profesori Kabashi ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve në fushën e mjekësisë, sidomos në lëmin e mjekësisë interne dhe gastroenterologjisë. Ai ishte edhe profesor pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
A/Z
Të gjithë
A
B
E
F
G
H
I
J
K
L
M
N
Q
R
S
Y
Z