Qeveria dhe Posta e Kosovës vazhdojnë të përplasen rreth ligjshmërisë së kërkesës së parashtruar nga Posta, për ndarjen e mjeteve nga buxheti i Kosovës për mbulimin e humbjeve të kësaj ndërmarrjeje.
Kjo kërkesë e Postës së Kosovës drejtuar Qeverisë, sipas zyrtarëve qeveritarë, nuk është ligjore, pasi paraprakisht janë anashkaluar institucionet kompetente për këtë çështje. Ndërkohë, përfaqësuesit e Postës e thonë të kundërtën.
Posta e Kosovës, dikur konsiderohej ndër kompanitë më fitimprurëse në vend. Por, tani ajo ndodhet në një situatë të vështirë financiare. Madje, nga muaji i ardhshëm, thuhet se do të rrezikohen edhe pagat e punëtorëve të saj për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Për këtë arsye, Bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje ka kërkuar nga Qeveria që t’i mbulojë humbjet financiare.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria është aksionare e kësaj kompanie dhe ka obligim të subvencionojë në situata të vështira, por që paraprakisht nevojitet plotësimi i disa kushteve ligjore për një kërkesë të tillë.
Ministri Lluka sqaron se për t’u njohur në mënyrë zyrtare humbjet financiare të Postës, kërkesa duhet të kalojë në disa mekanizma që e mbikëqyrin këtë institucion, e të cilët mekanizma, sipas tij, janë anashkaluar.
“Përderisa kërkesa nuk ka kaluar tek Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (ARKEP), për ne nuk është valide, sepse ashtu edhe shihet në ligj. Forma se si ne i llogarisim ato humbje, atëherë duhet të shkojë përmes disa kanaleve, të filtrohet dhe të konfirmohet nga ARKEP-i, se ato humbje janë të vërteta dhe të pasqyrohen. Dhe, ne mandej marrim për bazë pasqyrën financiare të Postës, së bashku më rekomandimin e ARKEP-it, që rekomandojnë të subvencionohet apo në këtë formë e konfirmojnë atë pjesë të humbjes”, thotë ministri Lluka.
Por, zyrtarë të Postës për Radion Evropa e Lirë, thonë se kërkesa është ligjore. “ Kërkesa është dërguar tek Autoriteti (ARKEP)”, thuhet në një përgjigje të shkurtër nga Arsim Mehmeti, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Postën e Kosovës.
Mirëpo, ndryshe thonë zyrtarë të Autoritet Rrefullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Ata konfirmojnë për Radion e Evropa e Lirë, se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë apo shkresë nga Posta e Kosovës, lidhur me konfirmimin e humbjeve komerciale.
Lidhur me këtë çështje, ARKEP-i është informuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), përmes komunikimeve zyrtare dhe mediet elektronike në vend.
Nazim Rahimi, udhëheqës i Sektorit të Shërbimeve Postare në ARKEP, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, thotë se “në bazë të ligjit aktual, ARKEP-i është përgjegjës për mbikëqyrjen e realizimit të shërbimeve universale dhe shërbimeve tjera postare në përgjithësi për territorin e Republikës së Kosovës”.
Ndryshe, gjendja e rënduar në Postë, sipas një komunikate për media, thuhet se ka ardhur si pasojë e humbjeve financiare që ka Posta në ofrimin e Shërbimit Postar Universal, si dhe në mosshlyerjen e obligimeve financiare për shërbimet që i ofron për operatorë të caktuar.
Posta e Kosovës është e obliguar me ligj të ofrojë Shërbimin Universal Postar pa marrë parasysh koston dhe humbjen e vazhdueshme me vite të tëra. Nga ana tjetër, thuhet në komunikatë, Qeveria e Kosovës është e obliguar me ligj që t’i mbulojë humbjet në këtë shërbim. Për këtë ekziston edhe një marrëveshje ndërmjet Postës dhe Ministrisë për Zhvillim Ekonomik në vitin 2014.
Kurse, roli i ARKEP-it, si rregullator, sipas marrëveshjes, thekson Nazim Rahimi, është për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e realizimit të marrëveshjes, vetëm në pjesën që i referohet ofrimit të shërbimeve universale dhe të rezervuara postare, përkatësisht çështjes së tarifave, raportimeve dhe publikimit të informacioneve të shërbimeve.
Sidoqoftë, ministri Valdrin Lluka, konsideron se fajtor për gjendjen e krijuar në Postë, është edhe menaxhmenti i kësaj kompanie. Ai thotë se në këtë ndërmarrje, faktori njeri ka bërë gabime të vazhdueshme me punësimin e numrit të madh të punëtorëve, madje edhe të pakualifikuar me një pagë mesatare prej 850 eurosh.
“Ka pasur mbipunësim dhe me rroga të larta. Ana tjetër është se mund të bëhen politika tjera për ta ndihmuar Postën në rritjen e të hyrave. Qeveria e Kosovës ka marrë obligim që të shikojë shpërndarjen e skemave sociale. Ne kemi rreth 28 skema të ndryshme sociale , ku vetëm disa prej tyre shpërndahen përmes Postës së Kosovës. Pse mos të shpërndahen shumica apo të gjitha për arsye se ajo i ndihmon Postës të inkasojë më shumë mjete dhe të rrisë të hyra dhe kjo do të ndihmojë edhe në mbulimin e shpenzimeve”, deklaron ministri Lluka.
Sipas zyrtarëve të Postës së Kosovës, numri i punëtorëve në këtë ndërmarrje është 1,015 syresh.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomikë një dozë të fajit për situatën e rëndë financiare, e adresojnë te Qeveria e Kosovës.
Muhamet Sadiku, profesor i ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Posta e Kosovës është ndërmarrje publike që gjendet nën ombrellën e Qeverisë së Kosovës dhe për këtë, përgjegjësi duhet të japë edhe Qeveria.
Prandaj, kërkohen hapa konkretë nga ekzekutivi që Posta të kthehet si biznes i suksesshëm.
“Faktori për një situatë të tillë dihet. Të gjithë ata që në mënyrë institucionale e kanë mbuluar funksionimin në Postë. Ata janë të parët që duhet të përjetojnë llogaridhënien, sepse për një kohë të gjatë jemi mburrur me sukseset e PTK-së, kurse tashmë flasim për probleme financiare”, vlerëson Sadiku.
Ndryshe, Posta e Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Por, në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, Posta u nda nga Telekomi dhe u themelua si Ndërmarrje Publike Qendrore.
Të hyrat e Postës së Kosovës për vitin 2017 kanë qenë mbi 11 milionë euro.
Posta e Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.
Në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos - Capital” u shpall fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh, por kontrata, sipas kompanisë fituese, nuk u zbatua asnjëherë. Kompania e paditi Qeverinë e Kosovës dhe proceset gjyqësore janë duke u zhvilluar.
Qeveria e Kosovës, ndërkaq, ka përzgjedhur kompaninë “Paton Box” si përfaqësuese ligjore, për ta zgjidhur kontestin ndërmjet kompanisë “Axos” dhe Qeverisë së Kosovës.