Ndërlidhjet

Futja e PTK-së në buxhet, e paligjshme


Anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës në projektbuxhetin për vitin 2014, ka futur një amendament të veçantë për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Futja në këtë mënyrë e aprovimit të shitjes së këtij aseti publik nga Qeveria e Kosovës, kundërshtohet nga ekspertët të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se të enjten gjatë një takimi të këtij komisioni, i cili ishte bërë pa praninë e mediave, u janë prezantuar disa ndryshime në projektbuxhetin për vitin 2014.

Sipas saj, në njërin nga amendamentet e buxhetit është futur edhe shitja e aksioneve të PTK-së.

“Në atë takim, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka prezantuar një amendament të ri që vjen nga Qeveria e Kosovës. Ky amendament shpjegon që paratë nga shitja e 75 për qind e aksioneve të PTK-së që gjenden në bilancin bankar në tabelën një të buxhetit, të perceptuar sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, do të shfrytëzohen vetëm për investime kapitale. Derisa në fjalinë e fundit të këtij neni shkruan që me votimin apo aprovimin e ligjit të buxhetit për vitin 2014, raporti i komisionit ndërqeveritar për privatizim konsiderohet i miratuar”, tregon Bajrami.

Procesi i shitjes së 75 për qind të aksioneve ishte përcjellë me debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës.

Kjo çështje kishte bllokuar edhe punimet e Parlamentit, pasi që ishte opozita ajo e cila kundërshtonte miratimin e shitjes së 75 për qind të aksioneve.

Opozita kishte kërkuar formimin e Komisionit hetimor parlamentar për privatizimin e PTK-së, me pretendimet se procedurat nuk i kishin përfillur ligjet.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami, thotë se janë kundër futjes së këtij neni në buxhet, pasi që, siç shprehet ajo, është antiligjor dhe antikushtetues.

“Nëse ky amendament paraqitet në seancë parlamentare, ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, do ta lëshojmë seancën kur votohet projekt buxheti për vitin 2014”, bën të ditur Bajrami.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thonë se futja e këtij neni në buxhet, e bën procesin e shitjes së këtij aseti publik, të kontestueshëm dhe lë pas vetes një proces ku nuk dihet se a ishte i rregullt dhe i ligjshëm.

“Kjo është hera e dytë që ndodh që Qeveria e Kosovës bën përpjeke që ta kontrabandojë shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, përmes Ligjit për buxhet. Mirëpo, futja e këtij neni në buxhetin e vitit 2014, do të jetë vazhdimisht një çështje e kontestueshme dhe do të ketë pas vetes gjithmonë dilema, se a ishte e rregullt shitja apo jo”, vlerëson Rexhepi.

Rexhepi konsideron se Qeveria e Kosovës, me këtë rast, tejkalon disa standarde kur është fjala për Ligjin për buxhet.

“Nëse na kujtohet para tre vjetësh kur Qeveria e pati futur këtë çështje në Ligjin për buxhet, nuk e respektoi apo zbatoi ligjin. Unë mendoj që në këtë rast duhet të heqë dorë prej këtij neni dhe ta lëshojë debatin parlamentar, i cili kishte filluar para një muaji”, thekson Rexhepi.

Postë-Telekomi i Kosovës është e njohur si kompania më fitimprurëse në vend.

Procesi i Privatizimit kishte nisur në tetor të vitit 2008.

Derisa në këtë vit ishte zgjedhur konsorciumi "Axos capital" si ofertuesi më i mirë në ofertën për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës. Ky konsorcium ka ofruar 277 milionë euro.

Nënshkrimi i kontratës me këtë kompani ishte shtyrë dy herë, derisa afati i ardhshëm është caktuar për 26 dhjetor të këtij vit.

Përfaqësues të konsorciumit "Axos capital" kohë më parë kishin deklaruar se nëse nuk do të arrihet të nënshkruhet kjo kontratë, pra nëse ky proces dështon, do të jetë një shenjë dramatike për Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG