Ndërlidhjet

Shitja e aksioneve të PTK-së drejt dështimit


Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë iniciuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit në lidhje me shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kërkesa e tyre është mbështetur nga nënshkrimet e 40 deputetëve me çka është kërkuar formimi i një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me privatizimin e PTK-së.

Kryesia e Kuvendit e ka miratuar këtë kërkesë dhe seanca është caktuar për të enjten.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se ka dyshime të bazuara se i gjithë procesi i privatizimit të aksioneve të PTK-së është bërë në mënyrë jo të rregullt dhe jo transparente.

Andaj, tani mbetet që Kuvendi të hetojë çështjen e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje në një afat prej 6 muajve.

Beqiri i ka bërë thirrje edhe konsorciumit fitues të privatizimit të PTK-së që të heqë dorë nga nënshkrimi i kontratës përderisa Kuvendi po inicion këtë procedurë hetimore.

Qeveria e Kosovës dhe në këtë rast kompania AXOS nuk do të duhej që më të merren me këtë çështje përderisa të përfundon puna e këtij komisioni, sepse do të ishte vazhdimësi e parregullsive. Prandaj ne duam të besojmë që qeveria dhe kjo kompani të heqin dorë nga privatizimi, mënyra se si e kanë bërë, formën dhe metodat që i kanë bërë dhe veprimet e ndërmarra”, ka thënë Beqiri.

Kërkesa e opozitës për seancë të jashtëzakonshme dhe hetim parlamentar në lidhje me shitjen e aksioneve të PTK-së, vjen në kohën kur partitë e koalicionit qeverisës mëtonin të merrnin miratimin e Kuvendit për aktin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

Mirëpo, parashikimet e analistëve politikë ishin edhe më herët se koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën në Kuvend që të miratojë vendime të tilla pa një dakordim me opozitën dhe një pjesë të deputetëve të PDK-së që tashmë nuk po i mbështesin politikat e qeverisë Thaçi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci tha se PDK do të mbështesë formimin e komisionit hetimor duke qenë i bindur se procesi i privatizimit të PTK-së ishte zhvilluar konform procedurave ligjore.

Ndërkaq, ka pranuar se shitja e aksioneve të PTK-së, po shkon drejt dështimit duke konstatuar se do të jetë vështirë që në të ardhmen të shiten në shifrën e tanishme prej 227 milionë eurosh.

“Ne jemi të gatshëm që jo vetëm për këtë çështje, por për çdo çështje dhe për çdo shqetësim që ka nevojë të hetohet. Ne jemi të gatshëm si Parti Demokratike të japim mbështetjen për të hetuar dhe për të pasqyruar të vërtetën. Po shihet qartë pa fajin tonë, me keqardhje them, që ky proces po shkon drejt dështimit dhe dëmet do të jenë jashtëzakonisht të mëdha për ekonominë e Kosovës. Besoj se dikush duhet t'i marrë këto përgjegjësi”, është shprehur Grabovci.

Për shkak të mungesës së përkrahjes në Kuvend, Qeveria e Kosovës i ka kërkuar konsorciumit “AXOS – capital” nga Gjermania kohë shtesë për nënshkrimin e kontratës.

Megjithatë, tani mbetet të shihet nëse ky konsorcium do të jetë në gjendje të presë tutje përderisa Kuvendi të vazhdojë procedurat hetimore për të vërtetuar procedurat e shitjes apo do të tërhiqet fare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG