Ndërlidhjet

Mungesa e transparencës ka degraduar PTK-në


PTK
PTK
Mungesa e transparencës së plotë rreth privatizimit të 75 për qind të aseteve të Postës dhe Telekomit të Kosovës ka shkaktuar mos besim te ligjvënësit, institucionet tjera, por edhe te qytetarët, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tyre, ky proces duhet të rifilloi nga zeroja, e sidomos pas dështimit të radhës të Kuvendit të Kosovës për formimin e një Komisioni hetimor, i cili do të vërtetonte procedurat legale të shitjes se aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Ymer Havolli, profesor në Fakultetin Ekonomik ne Universitetin e Prishtinës, konsideron se Posta dhe Telekomi i Kosovës duhet të privatizohet, por transparenca duhet të përcjellë këtë proces.

“Kosova ka interes për investitorë të huaj, por kushtet e jotransparencës bëjnë që investitorët të ikin. Sikurse që kanë ikur kohëve të fundit, jo vetëm nga procesi i privatizimit, por edhe nga proceset e krijimit të partneritetit ose formave tjera".

"Posta duhet të privatizohet për shkak se shërbimet do të jenë më të mira për qytetarët, mirëpo unë vlerësoj se duhet të ketë transparencë dhe të njihen kushtet e privatizimit të këtij institucioni të rëndësishëm", thotë Havolli.

Në anën tjetër, përfaqësues të organizatave joqeveritare, thonë se gjendja e Postës dhe Telekomit të Kosovës është vënë në një pozitë të vështirë.

Lorik Bajrami, nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion "Çohu" konsideron se edhe dështimi por edhe privatizimi i PTK-se nuk sjell rezultate në menaxhimin e saj.

Ai vlerëson se ndalja e procesit të privatizimit do të degradon edhe më tepër vlerën e PTK-së, por edhe fituesi për blerjen e saj, konsorciumit “AXOS-capital” nuk do të mund të rrisë përformancën e kompanisë.

Bajrami dyshon se konsorciumi fitues ka ndonjë kredibilitetet në fushën e telekomunikacionit.

“Nëse Posta mbetet kompani publike do t’i bjerë vlera, pasi kjo klasë politike ka treguar nuk e menaxhon si duhet Postën. Por, edhe nëse e shesim postën, ne po ia shesim një konsorciumi që nuk ka asnjë referencë në fushën e telekomunikacionit".

"Madje është një kompani shumë e vogël. Më shumë “AXOS” ka edhe prezencë në të ashtuquajturat parajsa fiskale, gjë që tregon se mjetet materiale nga mund të vijnë për të privatizuar PTK-në mund të jenë para të dyshimta”, thekson Bajrami.

Sidoqoftë, për shkak të situatës se krijuar në Kuvend, Qeveria e Kosovës i ka kërkuar konosrciumit “ AXOS-capital” nga Gjermania kohë shtesë për nënshkrimin e kontratës.

Nënshkrimi i ardhshëm i kontratës për PTK është shtyrë për 26 dhjetor.

Profesori Ymer Havolli, thekson se Kuvendi duhet të formojë komisionin hetimor, në mënyrë që të bëhet vlerësimi i mënyrës së privatizimit, pastaj ky privatizim të realizohet në kushte dhe rrethana transparente.

Do të duhej të ishte shembull se si duhet të privatizohet një aset i rëndësishëm kosovar, e cila do të ishte shembull edhe për investitorët e huaj që nesër të vijnë dhe të investojnë në Kosovë në mënyrë transparente. Pa u debatuar në tri katër seanca të Kuvendit, lidhur më mënyrën dhe metodologjinë e një aseti kosovar", bën të ditur Havolli.

Megjithatë, tani mbetet të shihet nëse konsorciumi fitues “AXOS – capital” me konsorciumin Najafi Companies LLC,do të jetë në gjendje të presë tutje përderisa Kuvendi të vazhdojë procedurat hetimore për të vërtetuar procedurat e shitjes apo do të tërhiqet fare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG