Lubisha Ceroviq, një serb me prejardhje nga fshati Bellopojë i komunës së Pejës, ka mbi 20 vjet që po mundohet ta kthejë tokën e familjes së tij, që i ishte shitur, siç thotë, ilegalisht pas luftës në Kosovë, derisa ai dhe familja ishin shpërngulur në Serbi.
Këtë nuk arriti ta bëjë as pas një vendimi të gjykatës së Kosovës në favor të tij.
Ai thotë se toka e familjes në rrugën magjistrale Pejë-Deçan, u shit përmes një autorizimi të rrejshëm, me emrin e gjyshit të tij, që në atë kohë ishte i vdekur.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se janë disa raste të ngjashme brenda kësaj komune.
Çështjet pronësore të ndërlidhura me tensione etnike në Kosovë janë përmendur edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut të vitit 2023, të publikuar më 22 prill. Në veçanti, ky raport thekson se disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare "dështuan të ekzekutojnë vendimet e gjykatës në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në kontestet pronësore".
Probleme me pronën e uzurpuar kanë edhe shqiptarët e Kosovës, e posaçërisht ata në qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Në mesin e tyre është Shyqri Çeliku, i cili për 25 vjet nuk arriti ta rikthejë banesën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW), të publikuar më 2001, shkalla e shkatërrimit të pronave civile nga forcat qeveritare serbe më 1999 ka qenë shumë e madhe.
Në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.
“Sa të jem gjallë, do të mundohem ta kthej tokën”
Në qershor të vitit 1999, pas fushatës së bombardimeve të NATO-s, forcat serbe po tërhiqeshin nga Kosova.
Në zonat multi-etnike pati tension të shtuar mes komunitetit serb dhe atij shqiptar.
Në atë qershor, në fshatin Bellopojë të Pejës, në pjesën perëndimore të Kosovës - i banuar atëkohë me shumicë serbe - Lubisha Ceroviq së bashku me familjen e tij u nisën në drejtim të Serbisë.
Ata lanë prapa shtëpinë e tyre në fshatin Bellopojë, si dhe një tokë rreth 54 ari në rrugën Deçan-Pejë, që e kishin shfrytëzuar për mbjellje.
Shtëpia dhe toka i takonin Milleta Ceroviqit, gjyshit të Lubishës, i cili vdiq në vitin 1997.
"Kam pasur shumë miq shqiptarë. Kam edhe sot shumë miq shqiptarë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lubisha, 52-vjeçar, i cili për herë të parë pas luftës u kthye në Kosovë në vitin 2004.
Atë vit, ai thotë se e gjeti shtëpinë e djegur, por më vonë iu renovua përmes programeve në Kosovë, që inkurajonin kthimin e serbëve.
Pasi shtëpia e tyre në Bellopojë, sipas Lubishës, ishte plaçkitur dhe dëmtuar disa herë ndër vite, ata e shitën rreth vitit 2011.
Por, tokën në rrugën Deçan-Pejë, Lubisha thotë se familja e tij nuk e shiti asnjëherë.
“Toka të është shitur”
Familja Ceroviq vendosi të kthehej në Kosovë më 2004, pasi mori informacionin nga fqinjët se toka tanimë nuk i takonte asaj.
“Toka të është shitur dy-tri herë”, kujton Lubisha t’i kenë thënë atij dhe babait Lubomir.
Viti pasues për familjen Ceroviq ishte koha kur ajo do të niste një betejë ligjore që zgjati për shumë vite, në tentativë për të kthyer tokën në pronësi.
Kjo betejë, për këtë familje ende është e pasuksesshme.
Ngastra e tokës, në të gjitha këto vite, ka ndërruar të paktën tre pronarë, duke pësuar edhe ndryshime në sipërfaqe e ndarje, sipas regjistrave në Kadastrën e Pejës.
Megjithatë, Radio Evropa e Lirë siguroi dokumentin nga Gjykata e Pejës, i cili konstaton se shitja fillestare e tokës së Milleta Ceroviqit ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Si u shit toka?
Toka me sipërfaqe 54.13 ar, sipas Kadastrës së Komunës së Pejës, i takonte Milleta Ceroviqit së paku që nga viti 1956.
Në nëntor të vitit 2000 u nënshkrua një kontratë për shitje të kësaj toke, në mes të Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit nga Peja.
Në këtë kontratë, që Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, thuhet se Agron Kelmendi ka qenë i autorizuar nga Milleta Ceroviq nga Peja, për ta shitur tokën, ndonëse në atë kohë, Milleta kishte qenë i vdekur për më shumë se tre vjet.
Kështu, në vitin 2005, Lubomir Ceroviq, djali i Milletës, ngriti padi në Gjykatën e atëhershme të Pejës, duke kontestuar vlefshmërinë e kësaj kontrate.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata Themelore e Pejës dhe në atë kohë gjyqtari nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në tetor të vitit 2013, morën vendim mbi këtë çështje.
Në këtë vendim që më vonë u shpall i plotfuqishëm, Gjykata e konsideroi kontratën mes Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit pa forcë ligjore.
Brenda vendimit të Gjykatës thuhet se “është e qartë që nënshkrimi [i Milleta Ceroviqit] në autorizim ishte i rremë dhe kontrata e shitblerjes ishte e falsifikuar”.
Radio Evropa e Lirë e ka siguruar dokumentin që Gjykata e ka shpallur të pavlefshëm, me të cilin Agron Kelmendit i jepet autorizim për shitje të tokës së Milletës, si dhe disa ngastrave tjera të serbëve të tjerë nga Kosova.
Në autorizim përmendet, po ashtu, një person tjetër serb, me emrin Mirosllav Zonjiq.
Deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i nuk ka arritur të kontaktojë me të lidhur me këtë çështje.
Sipas Lubishës, ai është “një mashtrues nga Peja”, të cilin e ka paditur në një gjykatë në Serbi, por pa sukses.
Në anën tjetër, Agron Kelmendi nuk ka dhënë koment lidhur me vendimin e Gjykatës se autorizimi ka qenë i falsifikuar ose nëse e ka njohur Milleta Ceroviqin.
“Nuk e di. Nuk më kujtohet, është kaherë. Lirisht... në Gjykatë i merr të gjitha. Janë kryer ato procedura civile”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Kelmendi shtoi se autorizimet i ka sjellë Mirosllav Zonjiq dhe se ato janë sjellë nga Beogradi.
Ai tha se ndihet i mashtruar në këtë proces, duke mos dashur të komentojë tutje.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë Themelore të Pejës me pyetjen nëse Kelmendi ka qenë ndonjëherë i ndjekur penalisht për falsifikim. Deri më tani, ky institucion nuk është përgjigjur.
Në anën tjetër, Blerim Krasniqi, po ashtu nga Peja, thotë se përtej kontratës që kishte me Agronin, nuk ka të bëjë më asgjë me tokën në fjalë.
“Kemi pasur pretendim për blerje, i kemi besuar Agronit. Nga ti po dëgjoj që ka qenë autorizimi i falsifikuar. E gjitha që di, është kjo. Nuk kam pasur ndonjë pretendim të keq”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Si ka rrjedhur pronësia e tokës së kontestuar?
Ndonëse ka pasur një kontratë të nënshkruar, të vërtetuar në Gjykatë dhe madje ishte pronar i regjistruar i tokës në Kadastrën e Pejës, Blerim Krasniqi thotë se tokën nuk e mori asnjëherë.
Sipas Krasniqit, pasi që kishte nënshkruar kontratën dhe e kishte vërtetuar në Gjykatë, kishte pasur një reagim nga pjesëtarë të familjes Dinaj nga Peja.
Ai thotë se kjo familje pretendonte se tokën e familjes Ceroviq e kishin blerë me një marrëveshje verbale para luftës në Kosovë.
“Kanë dalë ata Dinajt, kanë thënë ne e kemi blerë para luftës, nuk kemi guxuar ta përkthejmë [ndërrojmë pronësinë], sepse kanë qenë rrethanat politike… Unë iu besova, iu thashë se po tërhiqem . [Më thanë] në rregull, tërhiqu ti, ne vazhdojmë me të gjitha procedurat. Atëherë janë marrë ata, nuk e di se çfarë kanë bërë ata pastaj”, thotë Krasniqi.
Krasniqi thotë se shuma e parave që kishte dhënë për blerje, i ishte kthyer dhe pas kësaj ai ishte tërhequr plotësisht nga procesi.
Lidhur me këtë çështje, Krasniqi thotë se e kishin thirrur në Gjykatë për të dhënë deklaratën e tij, por se nuk i kujtohet koha e saktë dhe epilogu i atij procesi.
Kush janë Dinajt dhe si u përfshinë ata në këtë proces?
Sipas dokumenteve që Radio Evropa e Lirë i ka siguruar nga Komuna e Pejës, pas Blerim Krasniqit, toka kishte kaluar në pronësi fillimisht te një grua e quajtur Nife Dinaj dhe më vonë te djemtë dhe familjarët e saj.
Pas shitblerjeve e ndërrimit të pronësisë, ngastra fillestare me numër 649/2 tani është e copëtuar dhe ka disa pronarë.
Rreth gjysma e ngastrës së dikurshme, tani i takon Mehmet Dinajt.
REL-i provoi të flasë me të lidhur me këtë çështje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk i është përgjigjur kërkesës për intervistë.
Sipas një dokumenti që Radio Evropa e Lirë e ka siguruar nga Komuna e Pejës, në dhjetor të vitit 2000, Mehmet Dinaj kishte bërë padi në Gjykatën e atëhershme komunale në Pejë, duke kërkuar që të vërtetohet pronësia e tij mbi tokën prej 54 arësh.
Lidhur me këtë padi, Gjykata kishte marrë një vendim për një masë të përkohshme më 21 dhjetor të vitit 2000, ku e ndaloi shitblerjen e tokës deri në zgjidhjen e kontestit për pronësinë, edhe pse tanimë ishte nënshkruar kontrata mes Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit.
Një muaj më vonë, më 18 janar të vitit 2001, Gjykata kishte marrë një vendim tjetër duke e tërhequr atë ndalesë, me arsyetimin se paditësi, në këtë rast Mehmet Dinaj, “ka arritur marrëveshje jashtëgjyqësore” me palët dhe kështu ka tërhequr padinë e tij.
Pse nuk mundi ta kthejë tokën e gjyshit Lubisha Ceroviq?
Ndonëse i zhvendosur në Beograd, Lubishës së bashku me familjen e tij i ra të vizitojë Kosovën disa herë, për shkak të çështjeve gjyqësore që po i ndiqte babai i tij, Lubomiri.
Pas fitores në Gjykatë që e anuloi kontratën e parë, familja Ceroviq iu drejtua Drejtorisë së Kadastrës së Pejës për të kërkuar që t’ia kthenin pronësinë e tokës, në vitin 2014.
Për përgjigje ai priti tre vjet, derisa, më 2017, kërkesa iu refuzua.
Në atë vit, për familjen Ceroviq nisi beteja e dytë ligjore, e cila ende nuk ka rezultuar me kthim të pronës.
Lubomiri, babai i Lubishës, vdiq në vitin 2020. Betejat ligjore pas tij i vazhduan Lubisha dhe nëna e tij, Lilana Ceroviq.
Mustafë Nila, drejtor i Kadastrës në Pejë, së bashku me Argjent Lleshin, zyrtar ligjor për transferimin e pronave në Pejë, thonë për REL-in se i qëndrojnë prapa vendimit që kanë marrë për refuzimin e lëndës.
“Ne e kemi refuzuar duke u bazuar në Ligjin për Kadastrën dhe udhëzimet administrative. Shënimet që janë në vendim të Gjykatës, nuk përputhen me shënime kadastrale… numri i parcelës, sipërfaqja dhe pronari…”, thotë Nila.
Nila thotë se e pranojnë fajin vetëm për vonesën trivjeçare të përgjigjes.
“Krejt është në rregull, ne jemi vonuar dhe atë e pranojmë. Jemi vonuar me kthim të përgjigjes. Por, sa i përket refuzimit, është plotësisht në rregull. Tek e fundit tregon refuzimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës... ata janë shkalla jonë e dytë”, thotë ai.
Sipas Nilës, meqë parcela që dikur ishte e Milleta Ceroviqit, ka pësuar disa ndarje dhe ndryshim pronarësh nga viti 2000 e këndej, është vështirë kthimi në gjendjen fillestare, meqë Gjykata e ka shpallur të pavlefshme vetëm kontratën e parë.
Mustafë Nila së bashku me Argjent Lleshin dhe një tjetër zyrtar komunal në Pejë, në vitin 2020, ishin akuzuar nga Prokuroria e Pejës për mosekzekutim të vendimit gjyqësor.
Aktakuza ndaj tyre u hodh poshtë më 2021.
Problem i shpeshtë në Pejë
Në tavolinën e punës me shumë dokumente, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se ka të klasifikuara disa raste të ngjashme me probleme pronësore brenda kësaj komune.
Sipas Muhaxherit, në dijeninë e tij janë të paktën edhe rreth pesë raste të tjera të qytetarëve serbë që janë ankuar në komunë, në përpjekje për t'i kthyer tokat e tyre.
Muhaxheri thotë se njerëz të njëjtë dhe skema të ngashme ka vërejtur në shumë prej rasteve.
“Ka ekzistuar një grup i organizuar kriminal, që është marrë me shitblerjen e pronave të serbëve, në të cilin kanë qenë të involvuar shqiptarë dhe serbë. Serbët i kanë falsifikuar letërnjoftimet në Serbi”, thotë Muhaxheri.
Në lidhje me rastin e tokës së Milleta Ceroviqit, Muhaxheri beson se problemi qëndron te fakti se Gjykata e ka anuluar vetëm kontratën e parë të shitjes.
“Zyrtarët komunalë nuk po veprojnë pa sjellë vendim gjyqtari që krejt procedurat (kontratat) të anulohen dhe të kthehen pronat në emër të tij”, thotë Muhaxheri.
“E lus Zotin të mos ma marrë shpirtin pa jetuar një javë atje”
Rreth 70 kilometra në veri-lindje nga Peja, në një studio të vogël në Mitrovicën e Jugut, janë ekspozuar shumë piktura të Shyqri Çelikut. Po ai veçon dy që thotë se i ka më për zemër.
Njëra prej tyre portretizon një copëz të qytetit ku është rritur, me urën që bashkon brigjet e lumit Ibër, në vend se të jetë pikë ndarëse e qytetit të dikurshëm të Mitrovicës.
Lufta pushtuese nga forcat serbe në Kosovë më 1998/99, që la mbi 13 mijë njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë, krijoi edhe tensione të larta etnike mes komunitetit shqiptar dhe atij serb, që bashkëjetonin në shumë zona.
Atëbotë, ura e Mitrovicës që shihet në pikturën e Shyqriut, u bë vija ndarëse e qytetit, në mes të dhunës e zhvendosjes së dy komuniteteve, duke i lënë serbët në veri e shqiptarët në jug.
Më vonë, ndarja u zyrtarizua duke u formuar dy komuna, Mitrovica e Veriut dhe ajo e Jugut.
Për Shyqriun, piktura e dytë me motiv natyre është e veçantë për një arsye tjetër.
Ajo është ndër të vetmet gjëra që kishte arritur të merrte nga banesa e tij e dikurshme në zonën që tani njihet si Mitrovicë e Veriut.
“Në ata 52 metra katrorë, si fëmija i shtatë i prindërve të mi, e kemi pasur një fëmijëri interesante, të bukur”, rrëfen Shyqriu.
Shyqriu me familjen e tij qëndroi në banesë deri në marsin e vitit 1999, kur forcat e NATO-s nisën bombardimet ndaj caqeve serbe, që do të rezultonin me përfundimin e luftës muaj më vonë.
“Në banesë kemi jetuar deri në bombardimet e para. Kur filluan bombardimet, nuk e kemi ndier veten të sigurt të rrimë. Dolëm nga banesa”, tregon ai.
Shyqriu, 61 vjeç, i cili më herët kishte punuar si inxhinier në Kombinatin Metalurgjik “Trepça”, kishte menduar se largimi nga banesa e tij do të ishte i përkohshëm dhe, me qetësimin e situatës, do t'i kthehej normalitetit.
“Po të më kishte thënë dikush në vitin 1999 se do të bëhen 25 vjet apo 26 dhe nuk do të kthehesh në banesë, aty do të çmendesha”, thotë Shyqriu.
Familja e tij - e shndërruar në refugjatë lufte - ishte larguar fillimisht në jug të qytetit të Mitrovicës dhe më vonë në Shqipëri.
Pas luftës, Shyqriu u angazhua më shumë në pasionin e tij për pikturën. Ky tani është aktiviteti kryesor për të në studion që e ka hapur në Mitrovicën e Jugut, ndonëse jeton në Prishtinë.
Kush e mori banesën e Shyqriut?
Menjëherë pas përfundimit të luftës, në një natë qershori të vitit 1999, Shyqriu ishte i pari nga familja e tij që kishte provuar të shkonte te banesa e braktisur.
Matanë urës së Ibrit, Shyqriu thotë se u rrah dhe u torturua nga disa persona që ai thotë se ishin të komunitetit serb.
“[Njerëzit] më thoshin 'mos shko lart [në veri] se është rrezik', por mua nuk më pritej. Kanë dalë nga të gjitha kafenetë e objektet, u bë mal... Nuk kam guxuar të lëviz, m'u këputën gjunjtë. Thashë [me vete] si shpëtova njëherë nga lufta, tani sërish…”, rrëfen Shyqriu.
Hera e dytë kur ai kishte tentuar të shkonte te banesa e tij, ishte rreth vitit 2001.
“Hyra në banesë, aty kishte qenë një plakë. Për një kohë të shkurtër aq shumë e kishin dëmtuar, sa nuk keni ide. Plaka jetonte aty me vajzën e saj. Nuk e dija se kush janë, vetëm iu prezantova, u thashë 'jam pronari i kësaj banese'. Më tha 'ne është dashur të rrimë diku, nuk jemi nga këtu'”, tregon Shyqriu.
Shyqriu thotë se nuk e mësoi asnjëherë identitetin e zonjës që po jetonte në banesën e tij.
Megjithatë, ai e njohu personin e radhës që kishte filluar të jetonte në banesën e tij në fillim të viteve 2000.
Ai ishte S.K, një qytetar serb, i cili sipas Shyqriut, ishte edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në pyetjet e dërguara nga REL-i, Policia e Kosovës nuk konfirmoi nëse ky person ka qenë apo është ende pjesëtar i saj.
Pas vitit 1999, Kosova administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK.
Brenda këtij misioni, programi i quajtur UN-Habitat, kishte marrë përsipër adresimin e kthimit të popullatës së zhvendosur dhe zgjidhjen e kontesteve pronësore “të lindura nga tensionet etnike”.
Institucionet e krijuara nga ky program, si Drejtoria për Çështje Banesore dhe Pronësore dhe Komisioni për Kërkesat Pronësore dhe Banesore, merreshin me zgjidhjen e kontesteve pronësore.
Këto institucione, pas vitit 2003, kishin kaluar nën përgjegjësinë e institucioneve të atëhershme të Kosovës dhe institucioni aktual që ka trashëguar një pjesë të përgjegjësive për këto probleme është Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
UN-Habitati tregoi për Radion Evropa e Lirë se deri në fund të vitit 2004 kishte zgjidhur rreth 17.500 raste të kontesteve pronësore në Kosovë.
Këtyre institucioneve u ishte drejtuar edhe Shyqriu, i cili arriti të vërtetonte pronësinë e tij mbi banesën, e madje të siguronte edhe një marrëveshje kontraktuale me S.K. dhe familjen e tij, në mënyrë që ata të paguanin një qira për aq kohë sa do të qëndronin në banesë.
“Ai e keqpërdorte uniformën dhe autoritetin e vet. Një muaj ose dy ma ka paguar qiranë dhe më jo”, thotë Shyqriu.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar personin e përmendur nga Shyqriu, por i njëjti ka mohuar mospagesën e qirasë, por ka refuzuar të prononcohet lidhur me këtë çështje, duke thënë se dokumentet i ka UN-Habitati.
REL-i ka bërë kërkesë për dokumentacionin e këtij rasti dhe është në pritje të përgjigjes.
Shyqriu thotë se S.K. qëndroi në banesën e tij për rreth 18 vjet dhe më pas doli nga aty.
Por, banesa e tij nuk është e lirë edhe sot e kësaj dite.
“Tani, aty është duke banuar dikush. Në banesën time qenka një plakë, siç më kanë thënë. Kam shkuar në polici, e kam lënë [numrin e] telefonit. [Më kanë thënë] të thërrasim”, thotë Shyqriu, duke shpresuar se banesa do t'i lirohet shpejt.
Radio Evropa e Lirë e vizitoi këtë banesë në prill të vitit 2024. Qasja në të ishte e pamundur, për shkak se hyrja e gjithë kompleksit ishte e mbyllur me çelës.
Shyqriu thotë, gjithashtu, se për shkak të frikës për sigurinë personale, nuk tenton të hyjë brenda kompleksit.
Sipas një raporti të OSBE-së në vitin 2019, rajoni i Mitrovicës kishte numrin më të madh të pronave ende të uzurpuara që prisnin largimin e banorëve ilegalë - nga 46 sa ishin në të gjithë Kosovën.
“Njëzet e dy prona që u përkasin shqiptarëve të Kosovës në Mitrovicën e Veriut, janë të okupuara nga serbët e Kosovës, ndërsa dy prona që u përkasin serbëve të Kosovës në Mitrovicën e Jugut, janë të okupuara nga shqiptarët e Kosovës”, thuhet në raportin e vitit 2020.
Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka ofruar të dhëna mbi numrin e qytetarëve që kanë probleme me posedimin e pronave të tyre në atë zonë, derisa Mitrovica e Jugut ka thënë se nuk ka të dhëna mbi pronat e uzurpuara në veri.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, i ka treguar Radios Evropa e Lirë se ndër vite, kërkesat për të drejta pronësore në Kosovë janë bërë në tri kategori të ndryshme, nga shqiptarë e serbë, të cilëve u është shkelur e drejta e pronës.
Sipas kësaj agjencie, vetëm te Drejtoria për Çështje Banesore dhe Pronësore, ndër vite janë drejtuar mbi 29 mijë kërkesa nga qytetarët e dy etnive.
Ndërsa, tek Agjencia për Prona (ku përfshihen lloje të ndryshme të pronave) ishin drejtuar afër 43 mijë kërkesa.
Kthimi i pasigurt
Për Shyqriun, kthimin për të jetuar në banesën e dikurshme, nuk po e pengon vetëm uzurpimi i pronës së tij.
“Siguria nuk është. Vetëm kur të zgjidhet problemi politik, mund të jetojmë aty lart [në veri], sepse ka kërcënim nga Serbia”, thotë ai.
Ndër vite, veriu i Kosovës me katër komuna të banuara me shumicë serbe ka refuzuar ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj.
Rajoni është përshkuar me tensione të larta dhe incidente ndëretnike.
Viteve të fundit, disa shqiptarëve të zhvendosur nga Mitrovica e Veriut më 1999, po iu rindërtohen shtëpitë e shkatërruara gjatë luftës.
Ndërkaq, shpresën për rikthim në banesë Shyqriut nuk ia ka zbehur as shkatërrimi i pronës së tij.
Your browser doesn’t support HTML5
Uzurpime dhe riuzurpime
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, me çështjet pronësore janë marrë disa institucione dhe organizata.
Në Kosovë, Agjencia për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës në përputhje me ligjin, ka autoritetin për të gjykuar kërkesat lidhur me masën, vlerën dhe pronësinë e parcelave të tokës.
Kjo agjenci, gjithashtu, zgjidh mospërputhjet në mes të dokumenteve kadastrale.
Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2023, thuhet se Agjencia e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronave e ka të vështirë të përmbushë mandatin e saj aktual për shkak të "mungesës së të dhënave kadastrale, të cilat Serbia i mori nga Kosova në vitin 1999 dhe vazhdon t'i mbajë".
Edhe Zyra e Avokatit të Popullit, por edhe Gjykata Kushtetuese në Kosovë i kanë thënë REL-it se disa prej ankesave më të shpeshta të komunitetit serb në Kosovë karshi këtyre institucioneve, kanë të bëjnë me çështje pronësore.
Proceset e mundimshme për kthimin e pronës, megjithatë, nuk po e dekurajojnë Lubishën.
“Maltretimi është i madh, por sa të jem gjallë do të mundohem ta kthej tokën”, thotë ai.
Shyqriu thotë se nuk ka plane ta shesë pronën, ashtu siç kanë bërë shumë vendas nga veriu, sipas tij.
“Banesa është e imja, nuk mund të heq dorë edhe sikur të ma japin gjithë Kosovën”, thotë ai.