Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar nëse ka nisur apo jo ndonjë hetim ndaj një grafiti në Prishtinë të hënën, i cili bënte thirrje për vrasjen e homoseksualëve.
Në një rrugë të kampusit të Universitetit të Prishtinës (UP), në mëngjesin e 7 gushtit u pa një grafiti me mbishkrimin në gjuhën angleze: “kill the gays”, apo në shqip: “vrisni homoseksualët”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të hënën vonë se çdo mbishkrim i cili ka elemente serioze trajtohet nga policia.
Por, për mbishkrimin e 7 gushtit në kampusin e UP-së, ai thotë se deri tani, nuk ka ndonjë informacion.
Ndërkohë, juristja nga Kosova, Flutura Kusari, në një reagim në rrjetin social Facebook, këtë mbishkrim e konsideron të rrezikshëm dhe, si i tillë, sipas saj, duhet të hetohet.
“Thirrjet për vrasje janë vepër penale”, shkroi Kusari.
SHIKONI EDHE: Dhuna dhe përjashtimi izolojnë komunitetin LGBTIQ+ në KosovëNë orët e pasdites, një organizatë e cila avokon për të drejtat e homoseksualëve rrjetin social Facebook ka postuar një fotografi ku shihet se mbi fjalën “vrisni” është shkruar “puthni”.
“Kiss the gays”, apo në shqip “puthni homoseksualët”, shkruhet në mbishkrimin e korrigjuar.
“Na jemi këndej dhe jemi gati t'i mbrojmë hapësirat tona publike”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Në Kosovë, në muajin qershor, për të shtatën herë me radhë është mbajtur Parada e Krenarisë.
Paradat e Krenarisë në Kosovë shërbejnë si protesta për të drejtat ligjore si martesat midis personave me të njëjtën gjini.
SHIKONI EDHE: Nis Java e Krenarisë me thirrjen “T’du qashtu qysh je!”Aktivistë dhe pjesëtarë të këtij komuniteti vazhdimisht theksojnë se shoqëria kosovare është tejet konservatore, andaj ka pak të tillë që deklarohen hapur për orientimin e tyre seksual.
Pjesëtarë të këtij komuniteti kanë raportuar se janë shënjestër e dhunës, diskriminimit dhe stigmatizimit.