Ndërlidhjet

Dhuna dhe përjashtimi izolojnë komunitetin LGBTIQ+ në Kosovë


Anëtarët dhe mbështetësit e komunitetit LGBTIQ gjatë Paradës së Krenarisë mbajtur në Prishtinë, më 1 korrik 2021.
Anëtarët dhe mbështetësit e komunitetit LGBTIQ gjatë Paradës së Krenarisë mbajtur në Prishtinë, më 1 korrik 2021.

Frika nga reagimi i familjes dhe shoqërisë kanë bërë që shumë pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë të mos flasin publikisht për atë se si ndihen.

Aktivistë dhe pjesëtarë të këtij komuniteti, që përfshin lesbiket, homoseksualët, biseksualët dhe transeksualët, thonë se shoqëria kosovare është tejet konservatore, andaj edhe ka pak të tillë që deklarohen hapur për orientimin e tyre seksual.

Sipas tyre, ekziston gjithmonë rreziku që nëse një person tregon se është pjesëtar i komunitetit LGBTIQ+, ai mund të lëçitet nga familja, të jetë viktimë e dhunës fizike, psikike apo seksuale.

Myrvete Bajrami, nga Prishtina, flet hapur për orientimin e saj lesbik, por ajo ka kohë që jeton në Suedi.

Bashkë me partneren Cristina, ajo thotë se ka një vajzë dyvjeçare dhe se ka vendosur të jetojë në Suedi, për shkak të trajtimit të barabartë të komunitetit LGBTIQ+ dhe përparësive ligjore.

“Kam dalë në Suedi për studime dhe kam vendosur të jetoj atje. Jeta në Suedi është më e lehtë për punë të fëmijës, sepse atje fëmijët janë të regjistruar, atje është e rregulluar me ligj gjithçka sa i takon bashkëjetesës mes personave të gjinisë së njëjtë, qoftë edhe martesës. Kjo është arsyeja përse unë dhe partnerja ime, Cristina, kemi vendosur të vazhdojmë të jetojmë në Suedi dhe të mos kthehem më në Kosovë”, thotë Myrvetja për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse nuk jeton në Kosovë, Myrvetja është aktive në promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ në vend.

Ajo thotë se i mirëkupton pjesëtarët e këtij komuniteti në Kosovë, që, sipas saj, janë më të mbyllur dhe “heshtin ndjenjat e tyre”.

“Shumica e tyre janë të rinj, të cilët nuk janë të gatshëm as ekonomikisht të jetojnë vetëm. Ka shumë prej tyre që janë pre e dhunës fizike dhe mentale, qoftë në shtëpi, qoftë në rrugë, kudo që të jenë”, thotë Myrvetja.

Ajo bashkë me partneren dhe vajzën, aktualisht, ndodhen në Kosovë, ku po shënohet Java e Krenarisë, në mbështetje të komunitetit LGBTIQ+.

Motoja e Javës së Krenarisë këtë vit është “N’shtet, edhe n’familje”, pasi këto dy institucione, sipas aktivistëve, janë ndër mohuesit kryesorë të të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+.

Radio Evropa e Lirë, në muajin janar, ka sjellë rrëfimin e një homoseksuali, i cili, siç ka thënë, është larguar nga familja shtatë vjet më parë, pasi prindërit nuk e kanë pranuar orientimin e tij seksual.

“Duke u fajësuar si fëmijë, që ti je marrja dhe turpi i shtëpisë, rritesh duke nënvlerësuar veten, duke u ndier se asnjëherë nuk je mjaftueshëm i mirë”, ka thënë ai, duke rrëfyer për jetën e tij.

Pse hesht komuniteti LGBTIQ+?

Arbër Nuhiu, udhëheqës i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore në Prishtinë, thotë se komuniteti homoseksual në Kosovë është kryesisht i mbyllur, për shkak të frikës se mund të përballet me dhunë fizike dhe psikike, apo edhe përjashtim nga familja.

“Unë vlerësoj se Prishtina, për shembull, është në një situatë krejt tjetër, por të dalësh publikisht në Deçan, Dragash apo vende më të vogla... Nuk ma merr mendja se dikush guxon të dalë hapur atje, sepse vetëm Zoti e di se çfarë ndodh... përveç që e largojnë prej shtëpisë dhe fshatit, e lëçitin”, thotë Nuhiu.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2021 janë raportuar katër raste të kanosjes së personave të komunitetit LGBTIQ+, tri traste të dhunës në familje, si dhe një rast i sulmit seksual.

Deri më tash këtë vit është raportuar një rast i ngacmimit dhe një rast i dhunës në familje ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+.

Sipas Nuhiut, rënia e këtyre shifrave nuk mund të merret si dëshmi se situata është përmirësuar.

Ai thotë se pjesëtarët e këtij komuniteti nuk guxojnë t’i raportojnë rastet e ngacmimit, të dhunës fizike apo të largimit nga shtëpia.

“Nuk është me rëndësi se çfarë lloj kërcënimi, por është me rëndësi që ai person e di që nesër nuk ka mundësi të jetojë rehat aty, në atë shtëpi, lagje apo komunitet”, thotë Nuhiu.

Avokatja Rina Kika thotë se ka pasur disa zhvillime pozitive për komunitetin LGBTIQ+ në Kosovë, duke aluduar në Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi dhe Ligjin për barazi gjinore.

Por, “duhet të punohet më shumë në çrrënjosjen e paragjykimeve ndaj këtij komuniteti”, si dhe në “ngritjen e vetëdijes së përgjithshme shoqërore lidhur me çështjet e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+”, thotë Kika, e cila përfaqëson dhe këshillon pjesëtarët e këtij komuniteti.

Sfidë për këtë komunitet, rregullimi martesës

Më 17 mars, në rend dite në Kuvendin e Kosovës ka qenë shqyrtimi i Projektkodit Civil, i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm për rregullimin e bashkimit civil midis personave të gjinisë së njëjtë.

Por, mundësimi eventual i kësaj ka nxitur debat të ashpër në Kuvendin e Kosovës dhe disa deputetë e kanë kundërshtuar iniciativën.

Kodi Civil, një pengesë e re për martesat e gjinisë së njëjtë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:59 0:00

Aktivistët, më vonë, kanë protestuar, duke thënë se deputetët kanë fyer pjesëtarët e këtij komuniteti.

Avokatja Rina Kika thotë se Projektkodi Civil, siç ka dalë herën e fundit në Kuvend, do t’i hapte rrugë vetëm bashkimit civil të personave me gjini të njëjtë, por jo edhe martesës.

Sipas saj, Kosova duhet ta lejojë martesën në mes të personave të gjinisë së njëjtë.

“Kushtetuta e Kosovës ia garanton secilit dhe secilës të drejtën për martesë dhe përcakton se askush nuk mund të diskriminohet në bazë të orientimit seksual”, thotë Kika.


Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”, por aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vendet perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paralajmëruar se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend, por nuk është e qartë se kur.

Të enjten në Prishtinë pritet të mbahet edhe Parada e Krenarisë, në mbështetje të personave të komunitetit LGBTIQ+.

Parada e parë e tillë në Prishtinë është organizuar në tetor të vitit 2017, pa ndonjë incident domethënës.

Mbahet Parada e parë e Krenarisë në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG