“Zoti e kishte bërë për vete” - Përurohet shtatorja e Leotrimit

Foto gjatë ceremonisë së përurimit të shtatores së Leotrim Ahmetit, shtatëvjeçarit të vrarë gjatë luftës në Kosovë, në Skënderaj.

E premte, 11 qershor 1998. Shtëpia e familjes Ahmeti në Rezallë të Skënderajt sulmohet me granata nga forcat serbe. Nga sulmi mbetet i vrarë djali i vogël i familjes, Leotrimi shtatëvjeçar.

Ajo ditë do të mbetet përherë në kujtimet e vëllait të madh të Leotrimit, Bahriut. Në ato momente, ai nuk kishte qenë në shtëpi pasi që ishte i angazhuar si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“E kam marrë vesh në mbrëmje. Fatkeqësisht s’kam mundur ta gjej të gjallë. Kur kam mbërritur unë, ai veçse kishte vdekur”, thotë Bahriu për Radion Evropa e Lirë, që në atë kohë ishte 26-vjeç.

Bahri Ahmeti, vëllai i madh i Leotrimit.

Si vëlla i madh i Leotrimit, ai ka shumë kujtime të ëmbla me të.

“Leotrimi ka qenë një djalë shumë i urtë, një fëmijë shumë i dashur për secilin. Kush e ka takuar Leotrimin, edhe nëse nuk e ka njohur, e ka dashur. Sepse ashtu ka qenë i krijuar... Zoti e kishte bërë për vete të tillë”, shton ai.

Me sytë drejt statujës së Leotrimit, tani të vendosur në sheshin kryesor të Skënderajt, Bahriu shprehet mirënjohës që tani ka mundësi ta shohë sërish figurën e Leotrimit, edhe pse këtë herë në bronz.

“Nga sot, në mesin tonë, e kemi edhe Leotrimin. S’kam menduar që del një skulptor që mund ta sjellë Leotrimin kaq të vërtetë. Në çdo gjë i ngjason atij”, përfundon ai.

Shtatorja e Leotrim Ahmetit në Skënderaj.

Për skulptorin e kësaj shtatoreje, Sabri Behramajn, puna tremujore për këtë vepër ka qenë sfiduese për shkak të historisë që bart më vete shtatorja.

“Figura e Leotrimit më ka dhuruar emocione të papërsëritshme sepse vazhdimisht e kam ndier dhimbjen dhe historinë e Leotrimit. Ka qenë i vështirë i gjithë procesi i realizimit”, thotë Behramaj për Radion Evropa e Lirë.

Sabri Behramaj, skulptor i shtatores së Leotrim Ahmetit.

Behramaj ia kishte vendosur vetes qëllim ta realizojë këtë shtatore sapo kishte dëgjuar rrëfimin e nënës së Leotrimit, Shukries, për vrasjen e djalit të saj.

Nga rrëfimi i nënës së tij, Leotrimi, pasi është plagosur, i ka thënë se ka diçka në bark, që është “i sëmurë nga barku”. Pas disa orëve, ai ka vdekur.

Nëna e Leotrim Ahmetit, Shukria, duke prekur shtatoren e djalit të saj.

Nëna e Leotrimit ishte e pranishme edhe më 18 qershor, në përurimin e shtatores së Leotrimit në Skënderaj, dhe ndiqte dhjetëra fëmijë teksa linin karafila të bardhë e të kuq pranë shtatores.

Disa fëmijë duke vendosur lule pranë shtatores së Leotrim Ahmetit në Skënderaj.

Ceremoninë e përurimit të shtatores e ndoqën qindra persona në Skënderaj. Në mesin e tyre ishte edhe Rushit Jeta nga komuna e Skënderajt, i cili emocionohej gjatë ceremonisë, megjithëse historinë e Leotrimit e dinte edhe më parë.

Jeta, i cili gjatë luftës ishte vetëm 16 vjeç, ka dëgjuar edhe për shumë fëmijë të tjerë me histori të ngjashme si Leotrimi.

“Është një histori që është e trishtë për ta dëgjuar, por është e rëndësishme për ta dëgjuar... për ta kuptuar se nga ku erdhi rrugëtimi ynë dhe sa e shtrenjtë ka qenë liria për ne”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Rushit Jeta, gjatë ceremonisë së përurimit të shtatores së Leotrim Ahmetit në Skënderaj.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC), nga më shumë se 13 mijë të vdekurit gjatë luftës së fundit në Kosovë, mbi dhjetë mijë janë viktima civile. Prej tyre, mbi 1.000 janë fëmijë.

Dy vjet më parë, ky Fond publikoi një raport lidhur me memorialet e ngritura lidhur për luftën e fundit në Kosovë dhe gjeti se ato i karakterizon fokusi në grupet e armatosura e jo në viktima civile, si dhe mungesa e përfshirjes së grave dhe minoriteteve etnike si viktima.

Për këtë arsye, thotë Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i HLC-së, skulptura e Leotrimit ka rëndësi të veçantë.

“Shtatorja e Leotrimit është e jashtëzakonshme sepse e paraqet Leotrimin ashtu qysh ka qenë. Pra, si një fëmijë. Dhe, kjo sigurisht që nxit emocione te kushdo që e viziton këtë memorial”, thotë Blakaj për Radion Evropa e Lirë.

Blakaj e cilëson këtë si mënyrën më të mirë për të memorializuar të kaluarën e Kosovës - pa memoriale plot armë e me skena të dhunshme.

“Jo të krijohen mite përmes memorialeve, por të kemi memoriale që krijojnë empati me viktimat, me familjet e viktimave, me komunitetin e viktimave. Pra, që informojnë publikun, të rinjtë e të huajt që i vizitojnë ato memoriale”, shton ai.

Në vitin 2019, HLC-ja kishte hapur një ekspozitë të titulluar “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”, në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Your browser doesn’t support HTML5

Kujtohen fëmijët e vrarë në luftën e Kosovës

Vëllai i Leotrimit, Bahriu, shpreson që kjo statujë të shërbejë si mësim për të mos e harruar të kaluarën.

“Ky memorial simbolizon të gjithë fëmijët e rënë për lirinë e Kosovës. Mesazhi im është të mos harrohet e kaluara. Dikush këtë liri e ka paguar shtrenjtë, ta dimë vlerën e gjakut që është derdhur”, përfundon ai.