Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kanë nxituar reagimet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Këta të fundit përmes letrave drejtuar Qeverisë së Kosovës, i kanë kërkuar asaj heqjen e kësaj takse dhe kanë shprehur zhgënjimin për këtë vendim. Qeveria e Kosovës, po ashtu përmes një letre i ka thënë BE-së se vendimi i saj për taksën nuk do të ndryshojë.
SHIKONI EDHE: Zyrtarët e lartë të BE-së i shkruajnë Haradinajt për zhgënjimin e tyre me tarifënNe anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në rast se kjo e fundit nuk e heq taksën.
Njohësit e zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se përplasjet përmes letrave ndërmjet zyrtarëve të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës, nuk janë shënuar ndonjëherë më parë.
Agon Maliqi, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që vendosja e taksës për mallrat serbe nga Qeveria e Kosovës, në rrethana normale do të konsiderohej jonormale. Por, sipas tij, këtë masë Kosova është detyruar ta vendosë. Sipas tij, në kohën kur po zhvillohet dialogu Kosovë - Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e konteston sovranitetin e Kosovës nga jashtë.
SHIKONI EDHE: Dialogu sfidoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës
Siç thotë ai, me vendosjen e taksës ose edhe me formimin e ushtrisë, Kosova po e konsolidon shtetësinë nga brenda dhe kjo do të jetë pika fillestare prej të cilës Kosova do të pranojë të ulet që të negociojë në fazën e ardhshme të dialogut.
“Këto, pak a shumë, janë në njëfarë forme pozicionime për negociata. Kështu i shoh unë. Serbia e ka qëndrimin që nuk ulet për të biseduar pa u hequr taksa dhe BE-ja në njëfarë forme, taksën po e sheh si pengesë për vazhdimin dialogut. Mirëpo, Kosova, duke qenë në një mënyrë edhe e mllefosur me BE-në dhe duke mos pasur kurrfarë perspektive evropiane, po rebelohet ndaj BE-së. Ndërkaq, BE-ja, për momentin, nuk ka mekanizma të ndëshkimit ndaj këtyre masave, të cilat Kosova është e detyruar t’i ndërmarrë, si masë mbrojtëse kundër agresionit të Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës”, theksoi Maliqi.
Ndërkaq, analisti tjetër i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që taksa e vendosur nga Kosova për produktet serbe, është një reagim i saj ndaj qëndrimit, siç e quan ai, indiferent të BE-së ndaj nevojës për liberalizim të vizave dhe ndaj premtimeve të BE-së për një gjë të tillë.
“Kosova po e kushtëzon zonjën (Federica) Mogherini dhe suksesin e saj politik me liberalizim të vizave, por edhe me një ndryshim në dialog. Tani, këto letrat që janë duke i dërguar përfaqësuesit e BE-së, janë një lloj testimi i qëndrueshmërisë së palës së Kosovës, mirëpo pala e Kosovës stabile në qëndrimin e saj dhe nuk mendoj që ofertat e zbehta të BE-së do të mund t’ia ndryshojnë mendjen”, tha Muhaxhiri.
SHIKONI EDHE: Haradinaj: Diskutimi për masa të reja, pasojë e agresionit nga SerbiaPor, analisti Maliqi, nuk e sheh vendosjen e taksës për mallrat serbe të ndërlidhur detyrimisht si kushtëzim për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Vizat janë diçka që Kosovës i takojnë dhe Kosova nuk ka nevojë që të vë diçka tjetër në pazar për viza. Taksat janë të ndërlidhura mbi të gjitha me procesin e dialogut dhe me qasjen agresive të Serbisë. Ndërsa, mungesa e çfarëdo lloj dëshire apo vullneti (nga ana e Kosovës) për t’i dëgjuar vërejtjet e BE-së, vjen edhe për shkak të qasjes mospërfshirëse të BE-së apo mospërmbushjes që lidhen me vizat. Pra, mospërmbushja e premtimit për vizat ka kontribuuar që Kosova ta ndërmarrë njëfarë qasje mospërfillëse ndaj BE-së, të cilën nuk e ka pasur më herët”, vlerësoi Maliqi.
Por, raportet e krijuara të Qeverisë së Kosovës me BE-në, sipas analistit Muhaxheri, paralajmërojnë se dialogu do të vazhdojë, por jo me qasjen e deritashme të palëve në dialog.
“Kjo mund të prodhojë një ndryshim të kursit të deritashëm të dialogut, sepse një ndryshim i tillë është imponuar, është nxitur nga vetë BE-ja dhe është imponuar pas vendimit të Kosovës për taksën. Nuk ka asnjë logjikë që të vazhdojë kështu dialogu në kohën kur marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë përkeqësohen”, u shpreh Muhaxhiri.
Ditëve të fundit, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, komisionarja për Tregti e BE-së, Cecilia Malmstrom, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, përmes një letre kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Por, ky i fundit, po ashtu përmes një letre të adresuar për zyrtarët e Be-së, ka këmbëngulur në vendimin e Qeverisë që ai drejton. Zyrtarët e BE-së, sërish përmes në letre kanë shprehur zhgënjimin me Qeverinë e Kosovës, ndërkohë që kryeministri Haradinaj, ka theksuar se taksa do të mbetet në fuqi.