Përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian kanë vazhduar komunikimin përmes letrave me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. BE po i kërkon kryeministrit të Kosovës që të shfuqizojë masën e tarifës 100 për qind që u është vendosur prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, komisionarja për Tregti e BE-së, Cecilia Malmstrom, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, përmes një letre i kanë shprehur kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, zhgënjim e tyre për shkak të mbajtjes në fuqi të taksës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Letra vjen si përgjigje ndaj një shkrese që Haradimaj u kishte dërguar zyrtarëve të lartpërmendur të BE-së, më 15 dhjetor, në të cilën ai nuk e ka pranuar kërkesën për tërheqje të taksës.
Tre zyrtarët evropianë po ashtu thanë se nuk pajtohen me deklaratat e Haradinajt se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur.
"Ne fuqishëm nuk pajtohemi me deklaratën tuaj se dialogu është zvarritur. Përkundrazi, dialogu i zhvilluar në mes të dy presidentëve ka shënuar progres të qëndrueshëm. Ne e kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e Bashkimit Evropian në Këshillin Evropian në dhjetor dhe kemi pranuar mesazhe të forta mbështetëse", thuhet në letër.
"Ne konsiderojmë se veprimet e njëanshme apo deklaratat e parakohshme, nga të dyja anët, vetëm se mund të ngadalësojnë progresin që mund të arrihet në kornizën e dialogut. Tani është koha të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, duke i adresuar të gjitha çështjet, për të arritur normalizim të qëndrueshëm të raporteve me Serbinë", thuhet mes tjerash në letrën e zyrtarëve të BE-së.