Subjektet politike, të cilat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë kanë përfaqësuar komunitetin serb, presin dhe janë të gatshme të bashkëpunojnë me Qeverinë e re të Kosovës.
Njëri prej këtyre subjekteve thotë se pjesëmarrjen në qeverinë e re e kanë të garantuar me Kushtetutë, ndërkaq, subjektet tjera vlerësojnë që përbërja e qeverisë së re është shans, të cilin serbët e Kosovës nuk duhet ta lëshojnë.
Megjithatë, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila si parti e parë me më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, pretendon postin e kryeministrit dhe formimin e qeverisë së re, ka thënë se Lista Serbe duhet të shkojë në opozitë dhe se për postin e një ministri nga komuniteti serb, do të bisedojë fillimisht me partitë tjera serbe.
Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe bartës i listës zgjedhore të këtij subjekti politik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë që subjekti i tij politik ka fituar zgjedhjet në mjediset me shumicë serbe dhe tashmë ka të drejtën e garantuar me të gjitha aktet juridike të Kosovës, që të propozojë anëtarët për Qeverinë e Kosovës.
“Synimi për t’ia hequr të drejtat popullit serb dhe në vend të përfaqësuesve legal dhe legjitim në Qeveri, Prishtina të fusë serbë më të pranueshëm, është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore dhe me Kushtetutën, si dhe paraqet gabim të njëjtë, sikur se që e kanë bërë serbët në vitet ‘90, duke marrë në institucione shqiptarë të përshtatshëm. Ajo qeveri do të ishte jokushtetuese, si dhe një sjellje e tillë do të tregonte fytyrën e vërtetë të liderëve politikë, të cilët e kanë gojën plot me sundim të ligjit”, tha Igor Simiq.
SHIKONI EDHE: Përfaqësimi ‘i pashmangshëm’ i Listës Serbe në QeveriAi ka shtuar se do të ishte cinike që dikush që ka fituar 26 për qind të votave të bashkësisë së tij, të vë në pikëpyetje pozitën e Listës Serbe, e cila ka marrë 96 për qind të votave të bashkësisë serbe. Gjithashtu sipas tij, pozitën e përfaqësuesve të Listës Serbe ua ka besuar populli me votë dhe nuk e presin atë si dhuratë nga kushdo.
“As neve nuk na pëlqejnë përkrahësit e idesë shqiptaro-madhe, por ne nuk mund të zgjedhim se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët, sepse për ketë vendosin fqinjë tanë shqiptarët”, tha Simiq.
SHIKONI EDHE: Përpjekjet për shfuqizimin e Listës Serbe me pasoja katastrofale, thotë VuçiqSlobodan Petroviq, lider i Partisë së Pavarur Liberale, beson që pas numërimit të votave, ky subjekt politik do të arrijë të futet në Kuvendin e Kosovës. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është i hapur për çfarëdo lloj bashkëpunimi me qeverinë e ardhshme, e cila do të çonte drejt një jete më kualitative, para së gjithash, të komunitetit serb, por edhe të gjithë qytetarëve tjerë të vendit. Ai thekson se partia e tij, tash e disa vite është angazhuar për bashkëjetesë dhe zgjidhje të problemeve të qytetarëve, në nivelin lokal. Për Kurtin, ai thekson që është një person që i përmbahet qëndrimeve të tij dhe beson që edhe më tej do të jetë i tillë.
“Kanë pasur mjaft aktivitete, të cilat janë të njohura për të gjithë. Fundja, ne si parti kemi bashkëpunuar me të gjitha partitë politike në Kuvend. Për disa gjëra nuk jemi pajtuar, por marrëdhëniet kanë qenë korrekte, sikurse me të tjerët ashtu edhe me (Albin) Kurtin. Besoj që do t’i mbetet besnik dhe parimor ashtu siç ka qenë deri më tash. Po e theksoj, roli në pushtet dhe në opozitë nuk është asgjë. Pres që do të jetë mjaft sfida, por edhe rezultate, të cilat tashmë janë të njohura në atë mënyrë që qytetarët kanë dëshiruar që të shohin ndryshim. Në çfarë mase dhe përqindje do të jetë kjo, për këtë nuk ka askush përgjigje”, tha Petroviq.
Ai ka shtuar se është i sigurt që në qeverinë e ardhshme do të ketë ndryshime kur bëhet fjalë për pozitën e ministrit, në të cilën deri më tash kanë qenë përfaqësuesit e Listës Serbe. Ai pret që më nuk do të mund të sillen ashtu sikurse janë sjellë deri më tash, që pozitat, siç tha ai, të shfrytëzohen për qëllime personale ose të partisë, por për interesin e përgjithshëm.
Nenad Rashiq, bartë i listës së koalicionit “Liria”, thotë që përfaqësuesit e Listës Serbe kanë qenë destruktiv ndaj institucioneve të Kosovës dhe se i kanë keqpërdorur serbët e Kosovës, duke theksuar që veprimtaria e tyre në institucione ka qenë e karakterit personal, ku përfitime kanë pasur vetëm individët.
SHIKONI EDHE: Votimi i serbëve të Kosovës, nën presionSipas tij, në zgjedhjet e fundit, qytetarët e bashkësisë shqiptare “e kanë parë shansin historik për Kosovën” për rindërtimin e institucioneve, sepse kanë votuar për dy persona (Albin Kurtin e Lëvizjes vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin e Lidhjes Demokratike të Kosovës), të cilët, sipas tij, janë “plotësisht të panjollosur”. Përfshirja e serbëve të Kosovës në procesin e vendimmarrjes, sipas tij, është pika më e fortë ku përputhet koncepti i tij me atë të Kurtit.
“Mendoj që është një rast i madh jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, në kuptimin që kanë fituar një strukturë që nuk është e njollosur, por edhe për serbët, të cilët përmes procesit të komunikimit, bisedimeve dhe bashkëpunimit me Kurtin dhe Osmanin, do të mund të krijonim një korpus politik të Kosovës, autentik, i cili do të barte dhe merrte përgjegjësinë për të gjitha ato që po ndodhin. Deri më tash kemi qenë vetëm vëzhgues të heshtur të fatit tonë dhe ky është shans që kjo të ndryshojë”, ka thënë Rashiq.
Ai ka shtuar që, në vazhdimësi kanë potencuar që jeta e serbëve të Kosovës është më e rëndësishmja dhe vetëm përmes veprimit institucional, me forcimin e serbëve në institucionet e Kosovës, me përfaqësim adekuat të njerëzve që janë të orientuar për jetesë të përbashkët, për pajtim dhe dialog, mund të mbijetojnë në Kosovë. Rashiq konsideron që koalicioni që përfaqëson mund të jetë faktor që do të sillte një nivel të ri të përfaqësimit dhe një nivel të ri të përgjegjësisë brenda institucioneve të Kosovës.
Votat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë edhe më tej janë subjekt i rinumërimit.
Misioni evropian, i cili e ka mbikëqyrur procesin zgjedhor, e ka vlerësuar pozitivisht këtë proces, por me vërejtjen që mjedisi, në të cilin është mbajtur fushata zgjedhore në hapësirat e banuara me serbë, është shkelur përmes frikësimeve, të cilat kanë pasur për cak kandidatët dhe mbështetësit që nuk i kanë takuar Listës Serbe.
Qeveria e re e Kosovës, për të cilën janë duke biseduar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht qëndrimit të Albin Kurtit, sipas Kushtetutës do të duhej kishte një post të ministrit për komunitetin serb dhe një për komunitetet tjera pakicë. Posti i ministrit për komunitetin serb do të duhej të merrte mbështetjen formale të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës.
Votat e Listës Serbe, ndryshe nga herët e kaluara, nuk janë vendimtare për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.