Subjektet politike të koalicionit PAN, që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, njëherësh edhe partner të koalicionit qeverisës në Kosovë, ende janë duke e pritur vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e Dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 27 mars ka emëruar tetë anëtarët rinj të KQZ-së. Tri partitë e koalicionit në pushtet, pretendojnë vendet në KQZ, si parti dhe jo si koalicion, për shkak se kjo ua pamundëson përfaqësimin e të tri partive. Por, atyre u kanë mbetur edhe dy vende në KQZ. Më 8 prill, tri partitë e koalicionit PAN, por edhe subjekti opozitar, Partia Socialdemokrate, e kanë dërguar Dekretin e presidentit në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim.
Partitë e koalicionit PAN, megjithatë, e shohin nga kënde të ndryshme situatën e cila çoi deri te dërgimi i Dekretit të presidentit Thaçi në Gjykatën Kushtetuese.
Basri Musmurati, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi i mosemërimit të anëtarëve të koalicionit PAN në KQZ qëndron te dy partnerët tjerë të koalicionit, AAK dhe Nisma.
“Ne si PDK e kemi dërguar njeriun tonë, por presidenti nuk e ka emëruar, sepse po pret që edhe këto dy partitë tjera, AAK dhe Nisma, të merren vesh për ta dërguar një kandidat. Problemi është i dy partnerëve tanë, nuk është problemi i PDK-së. Kjo do të ishte zgjidhur moti po të kishin vendosur ata që të merren vesh. Tashmë kjo çështje është në Gjykatë Kushtetuese. Ne e kemi respektuar edhe marrëveshjen, si dhe përqindjen e deputetëve në Kuvend, por edhe ata (AAK dhe Nisma) do të duhej ta respektonin”, theksoi Musmurati.
SHIKONI EDHE: Thaçi emëron anëtarët e rinj të KQZ-sëPor, zyrtarët e dy partnerëve tjerë të koalicionit, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, hedhin poshtë pohimet se ndërmjet tyre ka mosmarrëveshje lidhur me kandidatët për anëtar të KQZ-së.
Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë që grupet parlamentare kanë dërguar emrat e kandidatëve për anëtarë të KQZ-së, sipas kërkesës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Asnjë mosmarrëveshje nuk ekziston në mes grupeve parlamentare. Presidenti ka kërkuar nga gjashtë grupet parlamentare që të dërgojnë emrat e anëtarëve. Pas dërgimit të emrave të anëtarëve nga grupet parlamentare, është ndërprerë procesi dhe është prolonguar deri më tash. Vendimi i fundit ( i presidentit) është në kundërshtim me kërkesën e Zyrës së Presidentit, prandaj konsiderojmë që presidenti ka rënë në lajthitje në këtë rast dhe ka dëmtuar grupet parlamentare”, theksoi Isufi.
SHIKONI EDHE: Partitë në pushtet mbeten pakicë në KQZEdhe shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, hedh poshtë pohimet se ekzistojnë mosmarrëveshjet ndërmjet partisë së tij me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas tij, këto dy parti janë marrë vesh që të presin mendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Këndvështrimi jonë është ashtu siç thotë Kushtetuta, neni 139, paragrafi 4, pra që KQZ-ja përbëhet nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Nuk përmend parti politike të dala nga zgjedhjet dhe nuk përmend parti politike, të cilat kanë qenë ose nuk kanë qenë në koalicion. I referohet në mënyrë eksplicite, shumë qartë, grupeve parlamentare. Prandaj, ne mendojmë që çdo grup parlamentar, i cili ekziston, në kohën kur presidenti u bën ftesë grupeve parlamentare për të dërguar nga një emër në KQZ, ju takon nga një vend. Ne jemi grup parlamentar i veçantë dhe konsiderojmë se na takon një vend. Gjykata Kushtetuese duhet t’i japë përgjigje kësaj çështje. Ne po presim”, theksoi Sherifi.
Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, që dërgimi i lëndës në Gjykatën Kushtetuese lidhur me përbërjen e KQZ-së, ka qenë krejtësisht i panevojshëm, marrë parasysh që tashmë ekziston një vendim i kësaj gjykate, i cili i definon qartë se çfarë është një grup parlamentar dhe cilat janë grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend. Por, sipas tij, është e natyrshme që partitë politike të tentojnë të shtrijnë influencën edhe në institucionet tjera.
Megjithatë, dërgimi i kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese, siç thotë ai, ka edhe implikimet e veta lidhur me funksionalitetin e brendshëm të KQZ-së, e sidomos marrë parasysh që tashmë ka nisur procesi i jashtëzakonshëm zgjedhor për kryetarët e katër komunave në veri, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Të gjitha vendimet që ndërlidhen me procesin, pra, pjesa e rezultateve e partive politike dhe të ngjashme, duhet të miratohen me dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Pra, nevojiten tetë vota nga 11 anëtarë sa ka KQZ-ja. Në këtë drejtim, fakti që tashmë janë vetëm nëntë anëtarë, prej të cilëve katër janë zyrtarisht të opozitës, nënkupton që opozita mundet që në çfarëdo momenti të bllokojë funksionimin e brendshëm të KQZ-së, përkundër faktit që ata në këtë detyrë janë betuar që do të shërbejnë pa anësi politike. Mirëpo, duke e njohur kontekstin politik në Kosovë, kjo gjë është pothuajse e pamundur që të ndodhë”, theksoi Cakolli.
Sidoqoftë, afatet ligjore për dhënien e një vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për kushtetutshmërinë e Dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës, lidhur me çështjen e emërimeve të anëtarëve të KQZ-së, janë dy muaj nga data e dorëzimit të kërkesës për vlerësim.