Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se lufta në vendin e tij mund të përfundojë vetëm me diplomaci, edhe pse negociatat me shtetin rus ka javë që janë pezulluar. Pas më shumë se 100 ditësh luftë, Zelensky ka thënë se ushtria e tij nuk do të dorëzohet.
“E kemi mbrojtur Ukrainën për 100 ditë tashmë. Fitorja do të jetë e jona”, ka thënë ai.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në shkallë të gjerë, më 24 shkurt. Zelensky ka thënë se, deri më tash, forcat ruse kanë arritur të marrin nën kontroll “rreth 20 për qind” të territorit ukrainas.
Përpara 24 shkurtit, ato kanë kontrolluar Gadishullin e Krimesë, të aneksuar në vitin 2014, dhe rreth një të tretën e rajonit lindor të Donbasit. Muajve të fundit kanë avancuar në lindje dhe jug të Ukrainës, sidomos përgjatë vijës bregdetare të Detit të Zi dhe Detit Azov.
Your browser doesn’t support HTML5
Armët nga Perëndimi e kanë ndihmuar Ukrainën t’i zmbrapsë forcat ruse në disa fronte. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se administrata e tij do të dërgojë edhe raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, për t’i përforcuar edhe më shumë luftëtarët atje - por jo raketa me gamë që mund të arrijë territorin rus.
Në një shkrim për gazetën amerikane, New York Times, Biden ka thënë se NATO-ja nuk do luftë me Rusinë.
“Ne nuk e inkurajojmë dhe nuk i mundësojmë Ukrainës të godasë përtej kufijve të saj. Ne nuk duam ta zgjasim luftën vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Rusisë”, ka shkruar Biden.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ushtria e tij do të godasë edhe më fuqishëm, nëse Ukraina furnizohet me raketa me rreze të gjata veprimi. Ai ka thënë se do të goditen caqe të reja, por nuk ka specifikuar më shumë.
“Nëse dërgohen [raketa me rreze më të gjatë], ne do t’i përdorim mjetet tona të shkatërrimit, të cilat i kemi të mjaftueshme për të goditur ato objektiva që nuk i kemi goditur ende”, ka thënë Putin.
SHIKONI EDHE: Putin kërcënon të godasë objektiva të reja në UkrainëPutin, që në ditën kur ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës, ka kërcënuar se kushdo që përpiqet ta pengojë, do të përballet me pasoja të papara në histori. Ai ka urdhëruar ministrin e tij të Mbrojtjes që t’i vendosë në gjendje gatishmërie edhe forcat bërthamore ruse.
Vëzhguesit e luftës në Ukrainë thonë se kërcënimi i fundit i Putinit mund të jetë në vazhdën e kërcënimeve të padefinuara që bën kohë pas kohe dhe jo një ndryshues i vërtetë i lojës. Peter Rutland, ekspert i nacionalizmit bashkëkohor rus në Universitetin Wesleyan, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:
“Nuk jam i sigurt se kërcënimi i fundit e ndryshon lojën në mënyrë të veçantë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të kujdesshme që nga fillimi dhe nuk kanë ndërmarrë hapa që do ta justifikonin një sulm të drejtpërdrejtë të Rusisë mbi asetet e NATO-s. Pra, nuk mendoj se gjërat do të ndryshojnë. Por, nuk mund ta dini kurrë, sepse Putin është shumë i paparashikueshëm, shumë agresiv”.
Your browser doesn’t support HTML5
Ulrich Brueckner, profesor i shkencave politike në Universitetin Stanford në Berlin, thotë se kërcënimi i Putinit është vështirë të zbërthehet, pasi ai vepron sipas interpretimeve dhe perceptimeve të veta.
“Është shumë lehtë të shndërrohet në konflikt rajonal, kur partnerët perëndimorë - NATO-ja, Bashkimi Evropian - janë të angazhuar në mënyrë aktive. Se çfarë është angazhimi aktive, varet se si e përkufizon agresori”.
“Nëse Putin thotë se tanket gjermane nënkuptojnë hyrjen formale të NATO-s në luftë, ai mund të fillojë të godasë tanket gjermane, por edhe infrastrukturën që e ndihmon Ukrainën të sigurojë armë nga Perëndimi”, thotë Brueckner.
SHIKONI EDHE: A mund ta ndalë artileria perëndimore përparimin rus në Donbas?Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë thënë vazhdimisht se nuk duan konflikt me Rusinë dhe për këtë qëllim kanë refuzuar edhe vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë. Presidenti amerikan, Biden, ka thënë disa herë se konflikti i drejtpërdrejtë me Rusinë do të shkaktonte Luftën e Tretë Botërore.
Për ta ndëshkuar, Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra kundër shtetit rus - ekonomike dhe diplomatike. Ndër të fundit është vendimi i Bashkimit Evropian për të ndalur gati plotësisht importin e naftës ruse deri në fund të këtij viti.
- “Legjioni i huaj” i Ukrainës, në frontin e luftës në Severodonjeck
- Gratë e ushtarëve të Azovstalit tregojnë për ‘tmerrin’ në Mariupol
Peter Rutland, nga Universiteti Wesleyan, nuk është optimist se sanksionet do të bëjnë punë në Rusi. Rusia, tek e fundit, ka përvojën sovjetike, kur prodhimet perëndimore atje kanë qenë joekzistente, thotë ai.
“[Sanksionet] janë shumë të gjera dhe publiku është duke ndierë efektin. Por, Rusia nuk është një demokraci, ku ndryshimet në opinionin publik përkthehen në politikë të re të qeverisë. Andaj, mendoj se njerëzit do të adaptohen me rrethanat e ndryshme ekonomike. Do të mbijetojnë. Publiku rus është shumë i mirë në tejkalimin e veprimeve të çmendura të Qeverisë. Ky është një model që e kemi parë me gjenerata të tëra”, thotë Rutland.
Rusia dhe Ukraina kanë nisur negociatat për paqe vetëm katër ditë pas shpërthimit të luftës. Negociatat ka javë që janë ndërprerë dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për bllokadën.
SHIKONI EDHE: Kremlini akuzon Ukrainën për deklarata 'kontradiktore' mbi bisedimet e paqesProfesori Rutland thotë se nuk ka gjasa reale që Ukraina të arrijë një marrëveshje të besueshme paqeje me Rusinë, derisa Putin është president. Ai nuk jep detaje se si e sheh fundin eventual të Putinit, por thotë se lufta do të tejzgjatet.
“Lufta po shndërrohet gjithnjë e më shumë në luftë shkatërrimi, ku asnjëra palë nuk do të jetë në gjendje të shënojë fitore të rëndësishme territoriale. Duket sikur do të jetë një konflikt shumë i gjatë, me muaj, e ndoshta edhe me vite”, thotë Rutland.
Edhe profesori Brueckner, nga Universiteti Stanford në Berlin, thotë se fituesi i luftës - nëse do të ketë një të tillë - nuk do të dihet së shpejti. Sipas tij, gjërat mund të lëvizin në favor të të dyja palëve.
“Pak javë më parë, shumë njerëz kanë besuar se Ukraina mund ta dëbojë Rusinë, për shkak të fitoreve të shpejta. Por, në të njëjtën kohë, mund të ketë përshkallëzim të situatës në terren dhe Ukrainës t’i mbarojnë pajisjet ushtarake për vetëmbrojtje”, thotë Brueckner.
SHIKONI EDHE: Ukraina: Varemi nga armët e PerëndimitKur Putin ka nisur pushtimin e Ukrainës, ai ka thënë: “Ne jemi të gatshëm për çdo rezultat”. Po, a mund të jetë ky rezultat fundi i pushtetit për të? As Brueckner nuk mund të përgjigjet, por thotë se është e rëndësishme që Perëndimi të vazhdojë dërgimin e armëve në Kiev.
“Ukraina është viktimë, Rusia po pushton një vend që nuk ka provokuar asnjë sulm ushtarak, të asnjë lloji. Kjo është shkelje masive e ligjit ndërkombëtar. Ne, si vende shumëpalëshe, që jemi të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit, duhet të qëndrojmë të bashkuara dhe ta mbështesim Ukrainën, pavarësisht nëse ajo është ose jo anëtare e NATO-s apo Bashkimit Evropian. Ne duhet ta mbështesim Ukrainën, sepse, në fund të fundit, ajo po mbron atë që ne mbështesim”, thotë Brueckner.
SHIKONI EDHE: Presidenti çek e do Putinin para gjykatës për krime lufteNë muajin e katërt të tij, konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore ka vrarë mijëra njerëz nga të dyja anët dhe ka zhvendosur më shumë se 12 milionë të tjerë nga shtëpitë e tyre - prej tyre mbi 6.5 milionë jashtë kufijve të Ukrainës.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjysma e bizneseve të Ukrainës janë mbyllur dhe 4.8 milionë vende pune janë humbur. Po sipas OKB-së, prodhimi ekonomik i vendit do të bjerë përgjysmë këtë vit, ndërsa 90% e popullsisë rrezikon të bjerë pranë ose nën kufirin e varfërisë.
Përkundër këtyre parashikimeve, një sondazh i publikuar në fund të majit nga agjencia Reiting në Ukrainë ka zbuluar se gati 80 për qind e ukrainasve besojnë se vendi i tyre “është duke lëvizur në drejtim të duhur”.
Në Rusi, qendra Levada ka bërë sondazhin e fundit në prill, në të cilin 68 për qind e të anketuarve kanë thënë se mbështesin luftën. Por Rusia, e izoluar gjeopolitikisht, është duke ndierë po ashtu pasojat e luftës: Bankat ruse janë shkëputur nga financat perëndimore, ndërsa kompani të shumta të Perëndimit kanë dalë nga tregu rus.
Putin ka bërë vazhdimisht përpjekje të minimizojë ndikimin e sanksioneve, duke thënë se ekonomia ruse është duke funksionuar mirë dhe se sanksionet i dëmtojnë vetë vendet perëndimore.
Në botë, jehu i luftës në Ukrainë ka arritur me rritje të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, si dhe me disa ndërprerje të zinxhirit të furnizimeve. Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë. Ukraina akuzon Rusinë se ka bllokuar disa porte në Detin e Zi dhe Detin Azov.
SHIKONI EDHE: Plani i OKB-së për drithërat ukrainase përballet me pengesaSekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë për të shpëtuar jetë.
“Për ata që janë në terren, çdo ditë sjell gjakderdhje dhe vuajtje të reja. Për njerëzit në gjithë botën, lufta po kërcënon me një valë të paprecedentë urie dhe varfërie, që do të lërë pas kaos social dhe ekonomik”, ka thënë Guterres.
Sido që të vazhdojë ky konflikt, bota ka ndryshuar. Marrëdhëniet e Rusisë me botën e jashtme nuk do të jenë më njësoj, e as qëndrimi i Evropës ndaj rendit dhe sigurisë.