Ndërlidhjet

Presidenti çek e do Putinin para gjykatës për krime lufte


Presidenti çek, Millos Zeman (majtas), dhe ai rus Vladimir Putin - Fotografi ilustruese.
Presidenti çek, Millos Zeman (majtas), dhe ai rus Vladimir Putin - Fotografi ilustruese.

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, thotë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka qenë “një dush i ftohtë” për të dhe shumë të tjerë që e kanë vlerësuar gabimisht Moskën dhe shton se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të përballet me një “gjykatë për krime lufte”.

Dikur kritik i sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, të shqiptuara për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë, Zeman thotë se lufta e intensifikuar në Ukrainë “është me të vërtetë luftë kundër gjithë Perëndimit dhe demokracisë perëndimore”.

“Është një luftë kundër rendit botëror siç e njohim ne, dhe kjo ndikon te ne”, thotë Zeman në disa përgjigje me shkrim në pyetjet e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, shtrëngon duart me presidentin e Republikës Çeke, Milosh Zeman, Pekin, 14 maj 2017.
Presidenti rus, Vladimir Putin, shtrëngon duart me presidentin e Republikës Çeke, Milosh Zeman, Pekin, 14 maj 2017.

Republika Çeke - anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, me rreth 10 milionë banorë - është bërë një nga furnizueset më aktive të Ukrainës me armë, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj, më 24 shkurt. Çekia është mbështetëse e zëshme e Ukrainës edhe në rrafshin diplomatik.

Flamuj ukrainas mund të shihen kudo në Pragë - nga tramvajet deri te ballkonet dhe dritaret e banesave private.

Sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, në Republikën Çeke kanë hyrë më shumë se 300,000 ukrainas që nga shpërthimi i luftës.

Zeman e cilëson reagimin e publikut çek si një “solidaritet të paprecedentë” dhe thotë se “pajtohet plotësisht” me kryeministrin çek, Petr Fiala, “për një qasje parimore ndaj Ukrainës”.

Fiala bashkë me homologun e tij polak dhe atë slloven kanë udhëtuar në Kiev me tren, vetëm tri javë pas fillimit të luftës, për t’i shfaqur mbështetjen ndërkombëtare presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe mbrojtësve ushtarakë dhe civilë të këtij vendi.

Fjalimi televiziv i Zemanit në ditën e parë të pushtimit rus ka befasuar çekët, të cilët kanë qenë të mësuar me një qëndrim më mbështetës të tij ndaj Rusisë.

Në muajt e parë pasi Moska ka aneksuar Krimenë dhe ka filluar të mbështesë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, në vitin 2014, Zeman ka thënë se Ukraina po përjeton “luftë civile”. Tre vjet më vonë, ai ka thënë se aneksimi i Krimesë nga Rusia është “një gjë e kryer”.

Në fjalimin e 24 shkurtit, Zeman po ashtu ka thënë se ka gabuar që ka menduar se “rusët nuk janë të marrë për të sulmuar Ukrainën” dhe se “nuk do ta sulmojnë”. Zeman e ka cilësuar sulmin si “krim kundër paqes”.

Në fillim të marsit, Zeman i ka dhënë Zelenskyt “Urdhrin e Luanit të Bardhë” - që është çmimi më i lartë shtetëror i Republikës Çeke - për “trimërinë dhe guximin e tij përballë pushtimit rus”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Zeman e krahason dëshirën e tij për marrëdhënie të mira me Moskën me politikat e qeverive gjermane dhe franceze, duke thënë se trajtimi i Rusisë si “vend normal” ka qenë “një gjë krejtësisht e natyrshme” dhe se “të gjithë burrështetasit evropianë dhe botërorë e kanë bërë atë”.

“Sidoqoftë, situata ka ndryshuar rrënjësisht në momentin e agresionit rus në Ukrainë. Dhe kur situata ndryshon, ndryshon edhe mendimi juaj”, thotë Zeman.

Ai e cilëson luftën e Putinit si “agresion të qartë kundër një shteti sovran”.

“Sulmi ndaj Ukrainës ka qenë një dush i ftohtë për shumë njerëz në Rusi dhe gjetkë. Unë jam njëri prej tyre”, shprehet Zeman.

A do të dalë Putini në bankën e të akuzuarve?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:12:02 0:00

Sot, shton ai, Putin “duhet të dalë para një gjykate për krime lufte dhe, në të njëjtë kohë, para një gjykate ruse për gjithçka që ka qenë i gatshëm të bëjë me Rusinë”.

“Putini ka vendosur ta pushtojë Ukrainën, edhe pse e ka ditur se çfarë do të pasojë - domethënë, masat e pashmangshme hakmarrëse në formën e sanksioneve ekonomike dhe politike që kanë goditur rëndë Rusinë”, thotë Zeman.

Sipas tij, Rusia “ka vendosur të izolojë Rusinë dhe rusët”.

“Ju e dini, unë kurrë nuk kam qenë në favor të sanksioneve ekonomike. Por, në këtë rast, ato janë një prej mjeteve funksionale që ne si Evropë i kemi ende. Dhe, ato kanë ndikim në ekonominë ruse, siç e dëshmojnë edhe shumë tregues ekonomikë”, thotë presidenti çek.

“Udhëheqjes ruse duhet t’i tregohet se një sjellje e tillë është e papranueshme. Agresioni nuk ka vend në Evropën e shekullit 21”, thekson ai.

Përveç masave të tjera ekonomike dhe financiare, shton Zeman, “ne duhet të vazhdojmë ta hapim tregun evropian ndaj Ukrainës dhe anasjelltas, natyrisht”.

Kievi, pas pushtimit rus, ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim të shpejtë në BE. Një hap i ngjashëm është marrë edhe nga Gjeorgjia dhe Moldavia - dy vende që kanë trupa ruse në territoret e tyre, përkundër dëshirave të qeverive përkatëse.

Zelensky vazhdimisht u ka bërë presion vendeve të NATO-s për mbështetje më të madhe ushtarake dhe për armatime më të avancuara.

Zeman thotë se Çekia i ka ofruar tashmë Ukrainës furnizime ushtarake në vlerë prej 130 milionë dollarësh.

Ai thotë se parashikimet për luftën në Ukrainë janë të vështira dhe shpreh pesimizëm për rrjedhën aktuale të luftës. “Duket se jemi ende shumë larg nga çdo pajtim diplomatik”, thotë ai.

“Kam frikë se, aktualisht, skenari më i mundshëm duket se është e ashtuquajtura luftë e dobësimit”, thotë Zeman.

Ai, po ashtu, shton se është e vështirë të dihet nëse strategët ushtarakë rusë janë duke parashikuar ndonjë sulm ndaj shteteve në perëndim të kufirit ukrainas.

“Por, unë e di një gjë: nëse Rusia do të sulmonte një shtet anëtar të NATO-s, kjo do të nënkuptonte dorëzimin e ekzistencës së saj”, thotë Zeman.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG