Kosova të enjten ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
SHIKONI EDHE: Çfarë është Këshilli i Evropës?Nëpërmjet një video-adresimi, ministrja Gërvalla, ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.
“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, edhe Daniel Holtgen, zëdhënës i Këshillit të Evropës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar se kanë pranuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
“Aplikimi është pranuar dhe do të dërgohet te Komiteti Ministror në linjë me statutin e Këshillit të Evropës”, thuhet në përgjigjen e Holtgenit, i cili nuk dha detaje të tjera në lidhje me procedurat e mëtutjeshme të shqyrtimit të aplikimit.
SHIKONI EDHE: Këshilli i Evropës zyrtarisht e përjashton RusinëAplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.
Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe
zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat
brenda juridiksionit të atij shteti.
Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.
Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet.
“Pranimi në Këshillin e Evropës u mundëson kosovarëve t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”
Nëse Kosova arrin sukses me aplikimin për të qenë anëtare në Këshillin e Evropës, kjo do të sillte shumë përfitime për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Kështu mendon Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë.
Ai, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se pranimi i Kosovës në një organizatë kaq të fuqishme si Këshilli i Evropës, do të thotë shumë për fuqinë e Kosovës si shtet në të ardhmen.
“Duke qenë anëtare e Këshillit të Evropës (Kosova) përfundimisht e fuqizon më tepër atë që është subjektivitet juridik i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova do të trajtohet ndryshe nga ata që e njohin dhe ata që nuk e njohin si shtet”, vlerëson ai.
Por, një nga përfitimet kryesore dhe të rëndësishme për qytetarët e vendit, sipas Ujkanit, është hapja e mundësisë për kosovarët që t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të përfitojnë nga Konventa për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Ata mund t’i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe kjo konsiderohet si një mundësi shtesë e qytetarëve të Kosovës për ta synuar drejtësinë në një nivel tjetër” , thotë Ujkani.
Çfarë është Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut?
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një gjykatë ndërkombëtare e krijuar në vitin 1959. Ajo vendos për individin ose kërkesat shtetërore që pretendojnë shkelje të të drejtave civile apo politike, të përcaktuara në Konventën Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut.
Që nga viti 1998, gjykata punon me kohë të plotë dhe individët mund të ankohen drejtpërdrejt në të.
Gjykata shqyrtoi qindra mijëra kërkesa që kur është ngritur. Gjykimet e saj janë të detyrueshme dhe kanë bërë që qeveritë të ndryshojnë legjislacionin dhe praktikën e tyre administrative në fusha të ndryshme.
Gjykata e ka selinë në Strasburg. Nga këtu, Gjykata monitoron respektimin e të drejtave të njeriut të 830 milionë evropianëve në 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që e kanë ratifikuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
BE-ja nuk e komenton kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KE
Bashkimi Evropian ka qenë në dijeni edhe më herët se Kosova do të dorëzojë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk e ka komentuar këtë hap pasi kjo organizatë nuk ka të bëjë me BE-në.
"Ne jemi në dijeni për qëllimin e shprehur të Kosovës për të kërkuar anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, në njërën anë, ne nuk i komentojmë paralajmërimet dhe shprehjen e qëllimeve, e në anën tjetër nuk i komentojmë proceset e mundshme në institucionet tjera. Vetëm t’iu rikujtojmë se Bashkimi Evropian nuk është anëtar i Këshillit të Evropës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Ai ka thënë se, sa i përket BE-së, “mund të rikujtojë thirrjen që Kosova dhe Serbia të bëjnë gjithçka në mundësinë e tyre për të çuar para dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes tyre”.
Ndonëse Bashkimi Evropian nuk shprehet rreth kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shumë shtete anëtare në mënyrë jozyrtare kanë paralajmëruar se do ta mbështesin Kosovën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës sipas procedurave të fuqi.
Vuçiq paralajmëron takim më 13 maj me Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës reagoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Presidenti serb, të enjten, në Beograd tha se me këtë veprim Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe atë të Brukselit.
“Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje dhe në një psikozë konflikti, por të japim një përgjigje të fortë, në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se për premten ka caktuar një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe në javët në vijim, “Serbia do të bëjë çmos për të treguar se mund ta shpëtojmë vendin tonë”.
Marrëveshja e Uashingtonit, apo Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.
Afati i kësaj marrëveshjeje ishte paraparë të zgjatë një vit, por Departamenti i Shtetit më herët kishte inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që ta vazhdojnë moratoriumin për çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike, pikë e cila ishte pjesë e marrëveshjes.
SHIKONI EDHE: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë - nga linja ajrore deri te njohja nga IzraeliÇfarë është Këshilli i Evropës?
Këshilli i Evropës është themeluar më 1949. Kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.
Roli i Këshillit të Evropës në raport me Kosovën është më i njohur për publikun kosovar për shkak të një raporti që i është dorëzuar këtij institucioni në vitin 2010, ku përmenden krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”, në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000.
Autor i këtij raporti ishte ish-raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty.
Pohimet e Dick Martyt u hetuan nga një prokuror amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014, deklaroi se një ekip special i hetuesve "erdhi në përfundime të pakontestueshme për ngritje të akuzave për krime lufte ndaj individëve që kanë drejtuar me ish UÇK-në, por nuk ka pasur dëshmi për trafikim organesh".
Vitin pasues, më 2015, është formuar pastaj Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm për akuzat e rejaNë këtë gjykatë deri më tani janë ngritur disa aktakuza dhe disa procese gjyqësore tashmë janë duke u zhvilluar.
Në mesin e të akuzuarve, të cilët ende presin fillimin e gjykimit, janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dheJakup Krasniqi, edhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Ajo nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.
Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.
Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare - në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.