Ndërlidhjet

Çfarë është Këshilli i Evropës?


Ndërtesa e Këshillit të Evropës. Strasburg, Francë.
Ndërtesa e Këshillit të Evropës. Strasburg, Francë.

Kosova ka aplikuar të enjten, 12 maj, për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar aplikacionin fizikisht.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe
zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat
brenda juridiksionit të atij shteti.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Si i promovon të drejtat e njeriut ky Këshill?

Përmes konventave ndërkombëtare. Në to përfshihen Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave, kundër dhunës në familje, si dhe Konventa për krimet kibernetike.

Këshilli monitoron përparimin e vendeve anëtare dhe bën rekomandime përmes trupave të ekspertëve.

Vendet anëtare të Këshillit të Evropës nuk kanë më ligje që mundësojnë dënime me vdekje.

Si financohet ky Këshill?

Për vitin 2022, Këshilli i Evropës ka buxhet prej 477 milionë eurosh.

Buxheti krijohet kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare.

Kontributet bazohen në një formulë që merr parasysh bruto-prodhimin e brendshëm.

Në mesin e vendeve që kanë kontribuuar më shumë deri më tash janë: Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të hollat shfrytëzohen për të zbatuar programin, i cili bazohet në tri fusha: të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Cilat janë vendet anëtare të Këshillit të Evropës?

Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.

Vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Dallimi mes Këshillit të Evropës dhe Këshillit Evropian

Këshilli i Evropës është organizatë e ndarë nga Bashkimi Evropian, i cili ka 27 vende anëtare.

Megjithatë, asnjë shtet nuk është anëtarësuar në BE, pa iu bashkuar fillimisht Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare dhe promovon demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Kurse, Këshilli Evropian është institucion i Bashkimit Evropian. Së bashku me Komisionin Evropian hartojnë politikat e BE-së.

Pse Kosova aplikon tani?

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare - në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Këshilli i Evropës dhe Kosova në të kaluarën

Roli i Këshillit të Evropës, në raport me Kosovën, është më i njohur për publikun kosovar për shkak të një raporti që i është dorëzuar këtij institucioni në vitin 2010, ku përmenden krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”, në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000.

Autor i këtij raporti ishte ish-raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty.

Pohimet e Dick Martyt u hetuan nga një prokuror amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014, deklaroi se një ekip special i hetuesve "erdhi në përfundime të pakontestueshme për ngritje të akuzave për krime lufte ndaj individëve që kanë drejtuar ish-UÇK-në, por nuk ka pasur dëshmi për trafikim organesh".

Vitin pasues, më 2015, është formuar pastaj Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte në Kosovë.

Në këtë gjykatë deri më tani janë ngritur disa aktakuza dhe disa procese gjyqësore tashmë janë duke u zhvilluar.

Në mesin e të akuzuarve, të cilët ende presin fillimin e gjykimit, janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, edhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG