Deputetët në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë votuar për ndryshimet kushtetuese, pesë ditë pas përfundimit të debatit në Kuvend.
Debati për ndryshimet kushtetuese – përkatësisht të përfshirjes në preambulë të pakicës bullgare si popull shtetformues – më 18 gusht përfundoi pa votim, pasi kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se është e drejtë e tij që të vendosë se kur do të caktojë vazhdimin e seancës për aktin e votimit.
Ky debat ishte paraparë të zgjaste dhjetë ditë, por përfundoi pas tre orësh, meqë opozita nuk mori pjesë në të. Për rendin e ditës votuan 70 deputetë, që sipas partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE ishte “dëshmi se partitë në pushtet nuk kanë 80 votat, apo dy të tretat e nevojshme për miratimin e ndryshimeve” kushtetuese.
Pas përfundimit të debatit të premten, kryeparlamentari Xhaferi ndërpreu seancë, pa hedhur në votim çështjen e ndryshimeve kushtetuese.
Sipas VMRO-së me këtë veprim Xhaferi “shkeli rregulloren mbi punën e Kuvendit dhe Kushtetutën, pasi seanca nuk mund të ndërpritet pa aktin e votimit”.
“I bëjmë apel kryetarit të Kuvendit që të mos abuzojë me rregulloren e punës. Ai është në atë pozicion për të mundësuar marrjen e vendimeve, pavarësisht nëse Qeverisë i pëlqen vendimi ose jo. Fakti që drejtuesit e Qeverisë janë të zhgënjyer se mezi i kanë 70 deputetë, nuk do të thotë se deputetët tjerë nuk duhet të votojnë dhe të shohin se kjo nismë është projekt i dështuar i Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim”, deklaroi deputeti Antonio Milloshoski, pas një mbledhjeje të organeve drejtuese të VMRO-së.
SHIKONI EDHE: Kuvendi maqedonas para sfidës për ndryshimet kushtetueseGjatë kësaj mbledhjeje, VMRO-ja sërish kërkoi që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke argumentuar se zgjedhjet janë mundësia e vetme për të dalë nga kriza politike.
Kryetari i Kuvendit maqedonas, Talat Xhaferi, gjatë një paraqitjeje para mediave deklaroi se nuk ka bërë “asnjë shkelje”, pasi siç tha ai, edhe më herët ka pasur raste kur Kuvendi ka përfunduar debatin për ligje të caktuara dhe votimi është shtyrë për më vonë.
“Kohën për vazhdimin e mbledhjes së ndërprerë e cakton kryetari i Kuvendit dhe askush tjetër. Kemi vepruar ashtu siç parashihet me rregullore. Për shkak të mungesës së kushteve për vazhdim, pra për shkak të mungesës së kuorumit, nuk kishte mundësi që të vazhdonim”, tha Xhaferi.
Xhaferi më herët kishte deklaruar se në rast se shumica parlamentare nuk do të arrijë të sigurojë votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, atëherë mund të mos ketë fare votim në Kuvend.
Sipas dispozitave ligjore, në rast se ndryshimet kushtetuese hidhen në votim, por dështojnë të miratohen, atëherë kjo çështje nuk mund të hidhet në votim për një periudhë nëntëmujore.
Nga partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM), kanë deklaruar se do të bëjnë gjithçka që të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për votimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Blloku pro-evropian, në krye me LSDM-në, do të bëjë gjithçka për të zhbllokuar këtë proces. Ky proces mbështetet nga 70 deputetë. Do të sigurojmë edhe votat e tjera”, tha deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se në se VMRO-ja voton ndryshimet kushtetuese, ai po atë ditë do të japë dorëheqje për të përmbushur kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
SHIKONI EDHE: Mickoski: S’i votojmë ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet e reja rrugëdalja e vetmePartitë shqiptare në opozitë i kanë dhënë mbështetje ndryshimeve kushtetuese, por kanë kërkuar që në to të përhihet edhe “formulimi i ri për gjuhën shqipe në Kushtetutë”. Gjuha shqipe në Kushtetutën maqedonase aktualisht njihet si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës së përgjithshme të Maqedonisë së Veriut.
Opozita shqiptare, që përbëhet nga tri parti politike, ka deklaruar se në rast të dështimit të votimit, atëherë duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Debati mbi ndryshimet kushtetuese është mirëpritur nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.
“Shpresoj se të gjitha palët do ta mbështesin atë, për të ecur përpara në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ky bën pjesë në Bashkimin Evropian”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
Këto komente ajo i bëri pasi u takua me Kovaçevskin në Athinë të Greqisë, gjatë një darke joformale me liderët e Ballkanit Perëndimor për shënimin e 20-vjetorit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Ndryshimi i preambulës së Kushtetutës maqedonase parashihet në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe çështjet historike.
SHIKONI EDHE:
BE-ja i kërkon Maqedonisë së V. votimin e ndryshimeve kushtetueseDiplomati austriak: Shkupi rrezikon të izolohet nëse s’i miraton ndryshimet kushtetueseMarrëveshja bazohet në atë që njihet si “propozimi francez”, që ishte miratuar në kuvendet e të dyja shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke i hapur rrugën Shkupit që të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 19 korrik.
Por, nëse ndryshimet nuk miratohen, atëherë bisedimet nuk do të mund të vazhdojnë, pasi Sofja mban të drejtën e vetos, të cilën e kishte përdorur në nëntor të vitit 2020.