Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, të premten ka hyrë në fazën finale procedura për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por mbetet e paqartë nëse ato do të votohen nga dy të tretat e nevojshme, apo me votat e 80 deputetëve nga 120 sa numëron legjislativi.
Ndryshimet kushtetuese kanë të bëjnë me preambulën e saj, përkatësisht përfshirjen e pakicës bullgare në të si popull shtetformues, ashtu siç parashihet në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe çështjet historike.
Marrëveshja bazohet në atë që njihet si “propozimi francez”, që ishte miratuar në Kuvendet e të dyja shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke i hapur rrugën Shkupit që të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 19 korrik.
Por, nëse ndryshimet nuk miratohen, atëherë bisedimet nuk do të mund të vazhdojnë pasi Sofja mban të drejtën e vetos, të cilën e kishte përdorur në nëntor të vitit 2020.
Shumica parlamentare ka 64 deputetë, kështu që për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojiten edhe 14 vota të partive opozitare.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin para deputetëve tha se “miratimi i këtyre ndryshimeve garanton të ardhmen e shtetit dhe perspektivë për qytetarët pasi me përmbushjen e këtij detyrimi Maqedonia e Veriut rrumbullakon integrimin euroatlantik të vendit”.
“Jam i bindur se me votimin për ndryshimet kushtetuese të gjithë ne do të jemi fitues, ashtu sikur të gjithë ne do të jemi humbës nëse votojmë kundër këtyre ndryshimeve. Nga kjo do të humbë shteti dhe qytetarët të cilët nuk e meritojnë një gjë të tillë. Marrëveshja me Bullgarinë dhe korniza negociuese me BE-në sigurojnë të ardhmen, kurse nuk qëndrojnë pretendimet e opozitës se me këtë rrezikohen çështjet e identitetit. Marrëveshja është nënshkruar dhe shkruar në gjuhën maqedonas. Nuk qëndrojnë pretendimet se punojmë sipas diktatit bullgar. Janë gënjeshtra të atyre që punojnë për interesat e tyre personale dhe të faktorëve të tjerë që nuk e duan të ardhmen evropiane të këtij vendi”, tha Kovaçevski.
VMRO DPMNE-ja thotë se do t’i mbështesë ndryshimet vetëm pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, pasi beson se Sofja gjatë procesit të bisedimeve do të paraqesë kërkesa tjera të “dëmshme për interesat kombëtare e shtetërore maqedonase”.
“Edhe nëse Maqedonia përmbush gjithçka që kërkon Bullgaria, askush nuk garanton se vendi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Shembull për këtë është Turqia, e cila është ekonomikisht shumë më e fuqishme se ne dhe ka negociuar me BE-në për dekada të tëra dhe është ende larg anëtarësimit të saj të plotë”, thotë kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“Në fund të debatit Qeveria LSDM-BDI do të bindet se nuk i ka dy të tretat e votave për t’i miratuar këto ndryshime dhe se pas kësaj, temë e vetme që duhet të zhvillohet do të jetë ajo e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thekson Mickoski.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare kërkohen edhe nga partitë opozitare shqiptare, në rast se nuk miratohen ndryshimet kushtetuese.
Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe partia Alternativa thanë se i mbështesin ndryshimet kushtetuese, si mundësi e vetme për të ardhmen e vendit, por në rast se shumica nuk arrin t’i sigurojë votat, atëherë Kuvendi duhet të shpërndahet dhe të caktohet data e zgjedhjeve të reja.
“Nëse në plan afatshkurtër nuk sigurohet shumica e nevojshme për votimin e nevojës së ndryshimeve kushtetuese, do të jetë e qartë se kjo përbërje parlamentare nuk ka kapacitet të zhbllokojë negociatat për integrim në BE. Andaj, bëjmë thirrje për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në mënyrë që të kërkohet një përbërje e re që të shtyjë proceset integruese drejt BE-së”, thotë Afrim Gashi nga partia Alternativa.
Opozita shqiptare edhe njëherë kërkon që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe formulimin e ri të gjuhës shqipe, e cila në Kushtetutë është e përkufizuar si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës në Maqedoninë e Veriut.
Edhe Aleanca për Shqiptarët, që është pjesë e Qeverisë, ka kërkuar formulimin e ri të gjuhës shqipe. Ky subjekt politik ka kërkuar që një nismë e tillë të jetë e partive maqedonase për të “dëshmuar madhështinë e tyre se janë për shtet të barabartë për të gjitha etnitetet në këtë shtet.
Para nisjes së debatit parlamentar, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani përmes një letre të hapur kërkoi nga deputetët që t’i mbështesin ndryshimet. Sipas Osmanit, “varet nga deputetët nëse me votimin e ndryshimit të Kushtetutës do të vazhdojmë me bisedimet për kapitujt për anëtarësim në BE, apo do të ndërpriten negociatat në afat të gjatë, deri në një shans të ri, pa asnjë garanci për të ardhmen - gjë që do të nxiste procesin e ‘pasaportizimit’ të qytetarëve që të kërkojnë të ardhmen evropiane jashtë këtij shteti”.