Ndërlidhjet

Diplomati austriak: Shkupi rrezikon të izolohet nëse s’i miraton ndryshimet kushtetuese


Ministrat e Punëve të Jashtme të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë gjatë një vizite në Shkup më 13 korrik.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë gjatë një vizite në Shkup më 13 korrik.

Maqedonia e Veriut rrezikon të izolohet, nëse nuk i miraton ndryshimet kushtetuese, kanë paralajmëruar ministrat e Punëve të Jashtme të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë gjatë një vizite në Shkup më 13 korrik.

Ata thanë se vizita e tyre ka për qëllim ta përçojë mesazhin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell, se Maqedonia e Veriut nuk ka kohë për të humbur në ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicave bullgare në të.

“Duam që të vazhdoni me ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të mund të vazhdoni me bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian [BE]. Shtyrja e miratimit të amendamenteve kushtetuese do të thotë shtyrje e procesit të anëtarësimit në union. Kjo do të ishte e dëmshme”, tha ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Ndryshimi i Kushtetutës është kusht i Bullgarisë për të mos e bllokuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Schallenbergu theksoi se Shkupi e ka kaluar një "maratonë të vështirë" dhe të rrëzohet në pengesën e fundit "nuk është mirë".

“Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, Maqedonia e Veriut rrezikon të izolohet, andaj duhet të bëni gjithçka që ta përmbushni këtë detyrim. Interesat shtetërore duhet të jenë para atyre partiake, prandaj edhe nevojitet përgjegjësi”, deklaroi ai.

Maqedonisë së Veriut i kërkohet t’i bëjë këto ndryshime në mënyrë që ta përfshijë pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë për identitetin dhe gjuhën maqedonase dhe aspektet historike.

Këto dallime që nga viti 2019 e kanë mbajtur “peng” procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tre ministrat thanë se nuk janë në Shkup për takime bilaterale, por që të përçojnë mesazhin e fortë të Borellit, për t’i inkurajuar autoritetet maqedonase që të vazhdojnë në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së.

Schallenberg tha se ky proces duhet të shtyhet përpara edhe për shkak të rrethanave të tjera gjeostrategjike, siç është konflikti në Ukrainë i shkaktuar nga agresioni rus, e që paraqet kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor.

“Maqedonia e Veriut dhe të gjitha shtetet e rajonit duhet të bëhen pjesë e BE-së. Tani është koha kur duhet të mendohet për veprime strategjike. Në këtë drejtim është edhe mesazhi ynë për Bullgarinë për t'i kapërcyer dallimet për çështjet bilaterale dhe të punohet me strategji”, tha shefi i diplomacisë austriake, Schallenberg.

Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Jan Lipavsky, tha se institucionet duhet të angazhohet për integrimin evropian pasi BE-ja, sipas tij, garanton prosperitet për vendin.

“Këtu jemi për të shprehur mbështetje për vendin tuaj, t'i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që vendi të bëhet anëtar i BE-së. Unë gjithmonë e them se NATO-ja garanton sigurinë, ndërsa BE-ja garanton prosperitetin. Ky proces duhet të përfundojë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Wlachovsky, duke cituar ish-sekretarin e OKB-së, Kofi Anan, tha:

“Koha është tani, zgjidhja është e qartë. Ju presim që të bëheni anëtare e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nguli këmbë se Qeveria mbetet e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE.

“Në javët në vijim deputetët do të vihen para zgjedhjes, që të bëjnë ndryshimet kushtetuese apo të mbeten në të kaluarën me shantazhe, të cilat më vonë askujt nuk do t’i kujtohen”, tha Osmani, duke paralajmëruar vendimin e Qeverisë për dërgimin e propozim-ndryshimeve kushtetuese për miratim në Kuvend.

Ndryshimet kushtetuese miratohen në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me dy të tretat apo me 80 nga 120 votat e deputetëve, të cilat nuk i ka shumica parlamentare, andaj nevojitet mbështetja e opozitës. Por, VMRO DPMNE-ja është kundër këtyre ndryshimeve, me arsyetimin se me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, nuk do të marrë fund “diktati bullgar” ndaj popullit maqedonas.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG