Ndryshimet në Qeverinë e Shqipërisë: "Pa sqarime, por me disa mesazhe"

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Fotografi nga arkivi.

Propozimet për ndryshime në Qeverinë e Shqipërisë i kanë lënë të habitur ministrat në detyrë, që nuk ishin në dijeni se do të kishte ndryshime, dhe analistët, që prisnin të dëgjonin arsyet prapa ndryshimeve të propozuara.

Analisti politik, Mentor Kikia, thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka të drejtën e propozimit të këtyre ndryshimeve, por shton se lëvizjet e tilla duhet të shoqërohen me transparencë për arsyet pse u morën ato vendime.

“Ajo që ra në sy ishte fakti që ministrat u ndryshuan pa sqaruar pse ikën. Për hir të transparencës ndaj publikut, duheshin shpjegime. Pse iku ministri i Brendshëm? Çfarë nuk shkoi gjatë punës së tij? Pse iku ai i Financave?”, thotë Kikia për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Rama propozon ndryshime në Qeveri dhe në Kryesinë e Kuvendit

Më 28 korrik, Rama propozoi që Taulant Balla ta lërë drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe ta marrë drejtimin e Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin. Në vendin që deri më tani ka mbajtur Balla është propozuar Ervin Hoxha.

Ndërkohë, është propozuar edhe zëvendësimi i ministrit të Financave, Ervin Mete, me Petrit Malajn, dhe zëvendësimi i ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, me Pirro Vëngun.

Balla dhe Mete kishin nga rreth një vit në kryesim të ministrive të Brendshme dhe të Financave. Largimi i tyre tregon se askush në kabinetin qeveritar nuk është i sigurt, sipas analistit Ben Andoni.

“Kjo lëvizje e Ramës tregoi edhe distancën që ai do të mbajë me disa prej individëve në Partinë Socialiste, për t’ua bërë të qartë se mund ta kenë të pasigurt të ardhmen politike. Është e paimagjinueshme që të ikin tre ministra dhe asnjëri nuk e di. Njëri prej tyre është ministri i Mbrojtjes, i një vendi anëtar të NATO-s”, thotë Andoni për REL-in.

Edhe analisti Kikia shprehet i befasuar me zgjedhjen e ministrive ku do të bëheshin ndryshime, pasi që thotë se ai kishte pritur të kishte ndryshime në Ministrinë e Shëndetësisë, apo atë të Turizmit dhe Mjedisit.

SHIKONI EDHE: Shqipëri: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë

Në fund të muajit qershor, në Spitalin e Onkologjisë në Tiranë ishin shkarkuar shtatë persona, në mesin e tyre edhe dy mjekë, për transferimin e pacientëve në një klinikë private.

Ndërkohë, pas rritjes së turizmit në Shqipëri vitin e kaluar, këtë vit ka pasur ankesa lidhur me çmimet e rritura. Në një adresim më 17 korrik, Rama kishte thënë se ka një sulm të organizuar më qëllim të dëmtimit të turizmit shqiptar, por e kishte pranuar se ka rritje të çmimeve në jug të Shqipërisë.

“Reflektimet e qeverisë duhet të vinin në raport me problemet që shqetësojnë qytetarët”, thotë Kikia.

SHIKONI EDHE: Çmimet e turizmit në Shqipëri me ngritje-ulje 

“Ministrat politikë u zëvendësuan me ministra teknikë”

Analisti Kikia thotë se ministrat e rinj janë “teknikë” dhe nuk janë shumë prezentë në ambientin politik. Propozimin e këtyre ndryshimeve, Kikia e lidh me probleme të mundshme brenda Partisë Socialiste, të cilën e udhëheq Edi Rama.

“Tre emrat e rinj i shtohen listës së ministrave teknikë, pasi janë administrativisht burokratë, u binden orientimeve, urdhrave. Ndërsa, drejtuesit politikë janë më problematikë. Rama vazhdimisht ka preferuar të mbledhë teknikë”, thotë Kikia.

Ervin Hoxha, që pritet ta marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, deri tani ka mbajtur postin e drejtorit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit.

Për më shumë se 20 vjet ai kishte shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese, si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë.

Drejtimin e Ministrisë së Financave pritet ta marrë Petrit Malaj, i cili deri më tani kishte shërbyer si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Ndërsa, në krye të ministrisë së Mbrojtjes është propozuar të jetë Pirro Vengu, që aktualisht mban postin e kreut të Autoritetit Portual në Durrës. Më herët ai ka mbajtur postin e drejtorit të Komisionit Antikorrupsion në Kryeministri.

Analisti Andoni thotë se emrat e rinj në qeveri lidhen me synimet politike të Ramës, që ai i ka prezantuar në Planin e Përgjithshëm Kombëtar, “Shqipëria 2030”.

Ai pret që deri në fund të mandatit të kësaj qeverie – të krijuar në shtator të vitit 2021 – të ketë edhe ndryshime të reja.

“Kandidaturat e reja, sidomos ministri i Financave dhe ai i Brendshëm, shërbejnë si një model për t’u treguar të rinjve se mundësitë që ofron kjo parti janë të pafundme dhe një ditë iu vjen radha”, thotë Andoni.

Rama kishte sjellë ndryshime në kabinetin qeveritar edhe në shtator të vitit të kaluar, kur kishte shkarkuar gjashtë ministra. Para shkarkimeve, ai kishte paralajmëruar një vetëreformim të Partisë Socialiste dhe të qeverisë së drejtuar prej tij.

SHIKONI EDHE: Dorëhiqet kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë

Vendimet për shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj pritet të votohen në parlament më 30 korrik.

Kuvendi do të votojë edhe për drejtuesen e re, pas dorëheqjes së Lindita Nikollës. Postin e saj pritet ta marrë Elisa Spiropali, që deri më tani ka qenë ministre e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.