Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dha dorëheqje të premten nga kjo detyrë, në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar.
Në fjalën e saj para deputetëve, ajo tha se vendimin e mori për shkaqe shëndetësore.
“Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit, me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon”, tha Nikolla.
Ajo kërkoi nga deputetët që largimi i saj të mos spekulohet politikisht dhe e cilësoi vendimin si të padëshiruar, por të pashmangshëm.
Mes tjerash, Nikolla tha se është përpjekur të bëjë më të mirën për të siguruar mbarëvajtjen e punës së Parlamentit, dhe kërkoi ndjesë nëse ka gabuar, siç tha ajo, pa dashje në ndonjë rast.
Në shkurt të vitit të kaluar, opozita kërkoi shkarkimin e saj, me pretendimin se “ka shkelur Rregulloren e Kuvendit, ka minuar parlamentarizmin dhe funksionimin demokratik të Kuvendit.”
Duke iu referuar këtyre akuzave të opozitës, Nikolla tha se sulmet ndaj saj kanë qenë të pamerituara.
Lindita Nikolla u zgjodh kryetare e Kuvendit të Shqipërisë më 10 shtator të vitit 2021.
Ajo ka mbajtur postin e ministres së Arsimit nga shtatori i vitit 2013 deri në tetor të vitit 2018.